Iku Adem Demaçi-Baca. Pas veti la Kosovën e lirë e të pavarur. Ai ishte një atdhetar e hunmanist i veçantë që do të mbahet mend gjithnjë për rezistencën e tij ndaj të padrejtave që iu bënë shqiptarëve nën Jugosllavi dhe Serbi. Kurrë nuk u pajtua me regjimin që bëri aq shumë dhunë mbi shqiptarët, jashtë Shqipërisë Londineze.
Për këtë rezistencën, ai u burgos dhe mbajti 28 vjet burg. Nuk u dorëzua dhe nuk u mposht kurrë. Demaçi ishte intelektual, atdhetar dhe luftëtar në beteja të shumta për të drejtat e njeriut dhe nuk u quajt rastësisht “Mandela i Ballkanit”. Europa demokratike e vlerësoi lart rezistencën e tij si disident kundër shkeljes të të drejtave njerëzore e kombëtare të shqiptarëve nën Jugosllavi dhe i ndau çmimin më të madh “Saharov”.
Në vitin 1992 Baca Adem erdhi në SHBA. U prit ngrohtësisht nga komunitetit shqiptar i New York-ut. Gjatë qëndrimit në SHBA vizitoi edhe gazetën Illyria. E informuam për punën që bënim ne, që gazeta të paraqiste të vërtëtën para opinionit amerikan për Kosovën në gjuhën angleze, krejt ndryshe nga ajo që ishte propaganduar për kohë të gjatë nga Serbia. Për punën tonë shprehu shumë mirënjohje.
Rexhep Krasniqi, udhëheqës i “Shqipërisë së Lirë”, intelektual i njohur që ishte shkolluar në Vjenë para Luftës së Dytë Botërore, pasi kishte dëgjuar se Adem Demaçi do të vizitonte gazetën Illyria, erdhi për ta takuar. Z. Krasniqi në atë kohë ishte shumë i lodhur dhe për ta parë simbolin e rezistencës ishte ngritur nga shtrati. Në redaksi erdhën edhe shumë bashkatdhetarë të tjerë, në mesin e tyre edhe z. Qazim Emra, një ushtarak i Mbretit Zog.
Demaçi për ne do të mbetet gjithnjë simbol i rezistencës dhe njeri me karakter të pamposhtur.
Shpirti i tij pushoftë në paqe!
Harry Bajraktari
New York, 2018