Ballina Histori ADEM DEMAÇI: “GJENIU I QENDRESËS SHQIPTARE”, NDËRMJET NESH…

ADEM DEMAÇI: “GJENIU I QENDRESËS SHQIPTARE”, NDËRMJET NESH…

(Përurohet seria me 10 libra të tij, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë)

Nga: Prof.Murat Gecaj, publicist e studiues

Me dhimbje të thellë, morëm lajmin e hidhur, se u nda përgjithnjë nga jeta, personaliteti i shquar, Adem Demaçi-“Nderi i Kombit”, “gjeniu i qendresës shqiptare”. Ai ishte frymëzim i gjallë, si për brezat e sotëm e ata pasadhës dhe la një boshllek të madh, jo vetëm në Republikën e Kosovës e në Republikën e Shqipërisë, por kudo në trojet tona amtare dhe në Diasporën Shqiptare. Për ta nderuar kujtimin e tij, në Kosovë janë shpallur tri ditë zi kombëtare dhe kudo po flitet për jetën e veprën e tij, në shtypin e shkruar dhe atë elektronik.

Duke u dërguar ngushëllimet e mia më të thella, të gjithë familjarëve të tij dhe bashkëvuajtësve, përulem me respekt para kujtimit të Adem Demaçit. Jam i nderuar, që kam patur fatin ta njoh nga afër e bashkë të bëjmë fotografi.

Me këtë rast, më poshtë po ripublikoj një shkrim modest, të pak viteve më parë.

Tiranë, 27 korrik 2018

                                                       x   x   x

Sot në mesaditë, në sallën kryesore “Aleks Buda”, të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, u organizua një tubim i bukur e mbresëlënës. Ishte festë e vërtetë për përurimin e serisë me 10 libra, shkruar nga “gjeniu i qendresës shqiptare”, Adem Demaçi, siç e cilësoi në përshëndetjen e tij, ish- i burgosuri tjetër politik, Visar Zhiti, tanimë ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve. Ishin të pranishëm shkrimtarë e poetë, pedagogë e profesorë, studiues të fushave të ndryshme të arsimit, kulturës e shkencës, botues dhe nga media e shkruar e ajo elektronike etj.

Të ardhur posaçërisht për këtë veprimtari festive, të parët folën disa të ftuar nga Prishtina. I pari e mori fjalën prof.Shyqyri Galica, i cili tregoi se seria e 10 librave të Adem Demaçit është botuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Ato do të dhurohen për lexuesit e trojeve amatare dhe në diasporën shqiptare.

Në fjalën e saj, veprimtarja e shquar Flora Brovina theksoi se këta libra përshkrohen tejembanë nga filozofia e qendresës dhe janë shkruar nga një hero i gjallë i popullit tonë, i lirisë e demokracisë. Përmes tyre përjetohen vuajtjet, sakrificat dhe shpirti i vendosur liridashës i një autori, i cili është zë i fuqishëm i kohë sonë. Vërtet ai qendroi 28 vjet në burgjet e tmerrshme serbe, por asnjëherë nuk arritën t’ia burgosin fjalën as shpirtin e tij kryengritës e liridashës, me të cilat mundi ta shpartallojë errësirën. Adem Demaçi i dha emër secilit brez, në Kosovë, Shqipëri e trojet tjera shqiptare.

Në vazhdim, diskutoi prof. Burhan Çiraku, i cili u ndal në disa veçori të veprave letrare dhe të stilit krijues të këtij autori, të cilin e vlerësoi “kalendar i vërtetë i kohës”. Prof. Shefkije Islamaj u ndal posaçërisht në veçoritë gjuhësore e sintaksore të veprave të Adem Demaçit. Ndër të tjera, nënvizoi se ato kanë një pasuri të çmuar të leksikut të shqipes letrare, me fjalëformime të reja dhe gjuhë të zgjedhur letrare etj.

Me interes u ndoqën edhe diskutimet e bëra nga: prof.Meri Lalaj, Besim Ndregjoni, prof. Emil Lafe, veprimtarja e poetja Kozeta Zavalani; publicistët Albert Zholi, Kolec Traboini e Dhimitër Xhoga dhe arsimtarja e poetja Zyba Hysa, e ardhur posaçërisht nga Vlora, në këtë përurim.

Gjatë kësaj veprimtarie përuruese, miq e kolegë të autorit recituan disa poezi të bukura dhe domethënëse të tij, sidomos nga libri “Tung, vargu im!” Këtu po shënojmë vetëm titujt tjerë, të kësaj serie me libra, nga Adem Demaçi, që janë: 7 romane, 1 libër me tregime, 1 libër me poezi e 1 dramë: “Fërkime”(tregime), “Gjarpinjtë e gjakut”(roman), “Libër për Vetë Mohimin”(roman), “Heli e Mimoza”(roman), “Nëna Shegë e pesë gocat”(roman), “Shkrumbnajë e dashuri”(roman), “Dashuria kuantike e Filanit”(roman), “Alb Prometeu”(roman) dhe “Politika e pushka”(dramë).

Në mbyllje të kësaj ceremonie të paharruar foli vetë Adem Demaçi, i cili i falënderoi nga zemra folësit e gjithë pjesëmarrësit. Gjithashtu, shprehu nderimin dhe respektin e tij për botuesit e librave të tij dhe për Ministritë e Kulturës e të Arsimit të Shqipërisë. Pastaj ai theksoi se: ”Jam bir dhe ushtar i vogël i popullit tim të madh…Ne kemi cilësi të jashtëzakonshme etë mrekullueshme dhe jam i bindur se, me punë e dituri dhe duke qenë të gjithë të bashkuar, do ta arrijmë e tejkalojmë Europën, ku synojmë të integrohemi. Gjuha, kultura dhe letërsia do ta bashkojnë e përparojnë Kombin tonë”.

Me dëshirë e plot kënaqësi, shumë të pranishëm në këtë veprimtari, bënë fotografi me martirin e gjallë të demokracisë e lirisë, bacën Adem Demaçi, emri i të cilit në librat e tij është shënuar më shqip, “Adem Dema”. Sigurisht, ato do t’i ruajnë kujtim të rrallë, në jetën e tyre. (Tiranë, 11 prill 2013)