Ballina Aktualitet Thaçi: Lugina e Preshevës do bashkim me Kosovën

Thaçi: Lugina e Preshevës do bashkim me Kosovën

Konferenca për media

(E plotësuar) – Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, ka thënë se është e drejtë legjitime e shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të vendosin për fatin e tyre, të cilin nënvizon se e kanë treguar me referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992.

Pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Preshevës ka deklaruar që është domosdoshmëri përfshirja e çështjes të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në fazën finale të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa

“Kemi pasur prej kohësh takime për problemet që i tangojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ky është një takim i radhë me presidentin e Kosovës për të shpjeguar akoma më bindshëm nevojën dhe domosdoshmërinë e zgjidhjes të problemit të Luginës të Preshevës. Beogradi trumbeton se po i afrohet zgjidhjes së problemit mes Kosovës dhe Serbisë. Ne duhet të themi që shqiptarët kanë kapital politik që mund të jetësohet. Dhe në vigjilje të zgjidhjes së problemit mes Kosovës dhe Serbisë pse të mos zgjidhet edhe ai i Luginës të Preshevës”.

“Shqiptarët me referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992 kanë deklaruar se jemi për autonomi politike-territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Mbase do të jetë moment historik i zgjidhjes paqësore të problemeve, si shembull i veçantë në botë, përmes njohjes të pavarësisë të Kosovës, dhe si pjesë e saj edhe Lugina e Preshevës”.

“Kërkesa e shqiptarëve të Luginës të Preshevës nuk është taze. Është kapital politik edhe në kohën e presionit të madh të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Po ashtu, duke qenë se më parë ka qenë pjesë e Kosovës dhe është ndarë vetëm nga shtypja e ish-Jugosllavisë. Ne duam që të kthehen kufijtë e të kaluarës, që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci të jenë pjesë e Kosovës”.

Thaçi premton mbështetje për qytetarët e Luginës

Presidenti Hashim Thaçi ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, me të cilët ka biseduar për gjendjen e shqiptarëve që jetojnë atje.

Pas takimit, Thaçi ka mbajtur një konferencë për media, në të cilën ka thënë se u informua për zhvillimet në Luginë dhe problemet e qytetarëve të atjeshëm.

Thaçi ka premtuar ndihmë dhe mbështetje nga të gjitha institucionet e Kosovës për shqiptarët që jetojnë atje.

Më poshtë pjesë nga fjalimi i Thaçit:

Ne mbaruam një takim pune njëherë veçmas me secilin, e pastaj bashkë, ishte takim përmbajtjesor, e që është vazhdimësi e takimeve të mëhershme.

Ky takim ka qëllim të informimit për sfidat dhe problemet me të cilat përballen qytetarët që jetojnë në këto lugina.

Unë ju siguroj se kemi obligim që jo vetëm të përcjellim me vëmendje cilat janë problemet që i shqetësojnë qytetarët atje, por edhe të ndërmarrim veprime konkrete për t’i zgjidhur ato, gjithmonë në përputhje me standardet evropiane.

Serbia si çdo tjetër, e aq më tepër që një shtet BE e ka afruar për anëtarësim, e ka për obligim të respektoj të drejtat e qytetarëve atje.

Serbia fatkeqësisht është larg përmbushje së standardeve të qytetarëve të luginës së Preshevës. E këtë gjendje të vështirë, ma konfirmuan sot në takim përfaqësuesit shqiptar të luginës.

Sot ju premtoj të gjithë qytetarëve të luginës se institucionet do të përdorin çdo mjet legjitim dhe demokratik për të mbrojtur të drejtat elementare e kombëtare të tyre.

Dua të besoj se autoritetet në Beograd do të mirëpresin interesimin tonë dhe do të respektojmë atë që ne i respektojmë në Kosovë të drejtat e serbëve.

Pres një koordinim më të madh, përfshirë edhe BE-në që të adresoj kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve të luginës. BE nuk mund të aplikoj standarde të dyfishta kur është në pyetje çështja e komuniteteve.

Thaçi takohet me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës (Drejtpërdrejt)

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot në orën 12:30 do të mbajë konferencë për media.

Konferenca mbahet në Kabinetin e Presidentit.