Prishtinë, hapet “Sofra Tradicionale” për bashkatdhetarët

 

PRISHTINË – Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike e Kosovës në amfiteatrin e sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, në kuadër të Ditëve të Diasporës ka organizuar “Sofrën tradicionale”.

Përkundër motit të keq, sofra në të cilën u vendosën enët tradicionale shqiptare, midis të cilave kishte edhe fli të pashmangshëm, mblodhi dhjetëra qytetarë të cilët në të njëjtën kohë shijuan edhe performanca të valleve popullore dhe këngë të vjetra tradicionale shqiptare.

Duke folur për AA, Lorik Pustina, zëdhënës në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, tha se organizimi i kësaj sofre lidhet ngushtë me “Panairin me produkte dhe veshje kombëtare”, i cili u hap dje po ashtu në sheshin Zahir Pajaziti, ku shoqata të ndryshme prezantojnë ushqimet dhe prodhimet e tyre artizanale.

“Deshëm që të sjellim edhe një cop të traditës së vjetër shqiptare këtu në shesh, që bashkëatdhetarët tanë të vijnë dhe t’i shijojnë këto ushqime tradicionale të gatuara nga shoqatat, gratë anëtare të shoqatave artizanale. Përkundër shiut, shohim se ka mjaft njerëz në shesh dhe është pjesë e misionit tonë që të ruajmë traditën dhe identitetin tonë kombëtar”, tha Pustina.

Sipas Pustinës, ajo që është e pashmangshme në secilën sofër shqiptare janë këngët e vjetra tradicionale, duke shtuar se edhe kjo sofër po shoqërohet me instrumentet tradicionale si lahuta e sharkia.

Kjo sofër organizohet në kuadër të Ditëve të Diasporës, në të cilën organizohen aktivitete të ndryshme kulturore e tradicionale për hir të bashkëatdhetarëve të cilët vizitojnë dhe kalojnë pushimet e tyre verore në Kosovë. Ditët e Diasporës do të përfundojnë më 2 gusht me një manifestim qendror në qendër të Prishtinës, ku do të performojnë emra të njohur të estradës shqiptare.