Ballina Diaspora Në SHBA: Fondacioni Biberaj, nji hap i madh në rrugën e duhun

Në SHBA: Fondacioni Biberaj, nji hap i madh në rrugën e duhun

Shkruan: prof. Sami Repishti- Amerikë

Ridgefield, CT.- Nji ngjarje me randësi ka entuziasmue bashkësinë shqiptaro-amerikane. Me 14 korrik 2018, mora nji mesazh nga kolegu i im i vjetër, Dr.Elez Biberaj, me të cilin më njoftonte formimin, nga familja e tij, të Fondacionit Biberaj “….për të mbështetur profesionistët shqiptarë”.
Dr. Biberaj vjen nga nji familje e persekutueme nga rregjimi kriminel komunist.
Niman Kadri Biberaj, xhaxhai i tij, u arrestue, torturue dhe dënue me burgim për “agjitacion dhe propagandë”. Me që nuk kishte vend për të dënuemët në burgjet e Kukësit, ai dhe rreth 60 të dënuemë politikisht nga Tropoja, u trasferuen në burgun politik të Shkodrës (1947). Shumica e tyne u dënuen si bashkëluftarë të grupit anti-fashist të kryesuem nga dëshmori i lirisë Ramë Muja, i Tropojës
Rastisi që Nimani të vendoset në dhomën Nr.9 , ku ishe i mbyllun edhe unë. U miqsuem shpejt. I shkathët, i vrullshëm, i pa fjalë, ai ziente përmbrenda nga nji ndjenjë që e mundonte shumë. “Burgu” më tha nji ditë, “nuk ashte për mue. Mali, po!” Unë buzëqesha, por e kuptova mirë. Në prill 1949, u ba nji falje e pjesëshme me ulje denimesh për nji grup katundarësh që besohej se ishin “të parrezikshëm për shoqërinë”. Në mes tyne edhe miku i im i ri. Sot, me kujtohet fjala e ndamjes: ”Jaran! “ më tha, “ në se arrestohem përsëri i gjallë, e meritoj burgun…. Veç due pak kohë, me shkue në shtëpi, me marrë pushkën e me dalë në mal….. Unë, i gjallë nuk kapem kurr!”
E ndigjova me habitje këte rrfim të guximshëm. Por në fëtyrën e Nimanit shihej qartë ndriçimi e nji zjarri të mbrendshëm që priste vetëm momentin me shpërthye. I lirë nga burgu ai kreu nji akt ndershmënie qe nuk e harroj; shkoi drejt në shtëpinë time me falënderue nanën që gjatë qendrimit të tij në burg pastronte rrobet tona nji herë në muej. Familjet tropojane ishin larg e të burgosunit tropojanë kanë vuejtë shumë, jashtë çdo mase. Disa prej tyne kanë vdekë, literalisht, nga uria. Me kujtohen dy vëllaznit Uka. U shuen fare ngadalë ngadalë. Sepse, deri në vitin 1951, në burgun e Shkodrës , jepej vetëm racioni 600 gramësh i bukës dhe uji…..!
Pake ditë ma vonë, erdhi lajmi se familja Biberaj në nji karvan të drejtuem e të mbrojtun nga vëllaznit Niman e Hysen Biberaj ishte arratisë në Jugosllavi- burra, gra e fëmijë bashkë me bagëti!. Mbas disa viteve, ata emigruen në Shtetet e Bashkueme të Amerikës (1968). Për 50 vjet të gjata, ata punuen, u arsimuen, e arritën sot me formue nji Fondacion bamirës. Në këte vend që ofron mundësi të mëdha erdhi edhe suksesi e përparimi. Breznia e re e familjes Biberaj u rrit, u edukue dhe korri suksese të mëdha akademike dhe ekonomike.
Tradita fisnike atdhetare e kësaj familje vazhdon! Ajo rrjedh nga patrioti Haxhi Zekë Biberaj i Pejës, (udhëheqës i dy kryengritjeve të viteve 1883 dhe 1896 kundër turqve në Kosovë , dhe i njohun në historinë e Shqipërisë si ”atdhetar kosovar” dhe “udhëheqës i lëvizjes kombëtare në Kosovë)”. Sot, kjo familje vendosi të kontribuoj për vëllaznit e motrat shqiptare të hapësinës shqiptare në Ballkan, tue themelue nji Fondacion dhe bashkë-financim (me nji fond fillestar prej 2.5 miljonë dollarë) për programin e nivelit Master – “për të mbështetur profesionistët shqiptarë”. Urime të përzemërta dhe sukses të plotë!

Financime për studime kemi edhe fondin e Federatës VATRA (edhe unë kam marrë nji ndihmë financiare), fond që vazhdon edhe sot. Kemi pasë edhe Fondacionin Peter Kole, nga Cleveland ,OH., por i kufizuem për studentë nga qyteti i lindjes, Pogradeci. Fondacioni Biberaj ashtë plotësisht modern dhe gjithpërfshirës.

*******
Gjesti i familjes Biberaj ka randësi të veçantë sepse ashte hap i madh i këtyne viteve të fundit në rrugën e duhun: fillimin e nji tradite bashkëkohore të kontributit vullnetar e qytetar për avancimin e arsimit, kulturës, artit e muzikës, biznesit dhe administrimit të tregëtisë; ashtë fjala për ndihmë kur krahu i qeverisë nuk arrin,
Fjala “Fondacion” (Foundation) teknikisht do të thotë themelimi i nji institucioni me përcaktime të sakta për mbajtjen dhe forcimin e tij. Në esencë, ashtë nji “dhuratë” që bahet për këte qellim, me mbrojtë ose avancue qellimet e nji institucioni që synon të përjetësohet. Pikësynimi i institucionit të ri ashtë interesi publik ose domosdoshmënia shoqënore.
Në vitin 2016, Fondacioni Shqiptaro- Amerikan për Zhvilimin (AADF) u themelue me qellim “…për t’u dhenë profesionistëve të rinj shqiptarë dhe udhë-heqësve të ardhshëm nji mundësi të veçantë për të ndjekur studimet për nivelin Master, si dhe për të kryer praktika profesionale në fushët e Menaxhimit dhe Adminstrimit të Biznesit, Trashëgimisë Kulturore, Eko-Turizmit, dhe Mikpritjes, Arsimit, Teknologjisë Informative, Shkencave Kompjuterike, Politikave Publike dhe Administratës Publike,” spjegon komunikata e lëshueme nga Fondacioni Biberaj.
Me 14 korrik 2018, ky Fondacion shpalli Projektin e tij të parë, i cili konziston në bashkëfinancimin e Programit të Studimeve të Nivelit Master dhe Internship (MIP).. Z. Ken Biberaj, zadhanës i Fondacionit shton:” Familja Biberaj ndiehet e nderuar për të bashkëfinancuar me nji donacion prej 2.5 miljonë dollarësh…që u drejtohet profesionistëve të rinjë shqiptarë që synojnë të përparojnë duke studjuar në Shtetet e Bashkuara”. Ai shton:” Ne u jemi thellësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara për suksesin që kemi arritur, dhe ndiehemi krenarë për trashëgiminë tonë shqiptare. Shpresojmë që ky program do të ndihmojë brezin e ri të studentëve shqiptarë drejt arritjes së suksesit të tyre akademik, duke përmbushur angazhimin për të ndihmuar më pas në shkëmbim shoqëninë e tyre shqiptare”.
Në komunikatën e Fondacionit theksohet mbështetja “….e mundësive për të ndjekur studimet e larta të studentëve shqiptarë nga Ballkani në institucionet amerikane. Pas studimeve, përfituesët e ndihmës financiare duhet të kthehen në vendin e tyre….”
Për aspektin teknik të kësaj ndermarrje pozitive Këshilli Amerikan për Arsimin Ndërkombëtar (American Council for International Education) do të ndihmojë studentët për vendosjen e tyre në Shtetet e Bashkuara, dhe do të ndjekë përparimin e tyre akademik”, nji tregues i seriozitetit të punës së Fondacionit.

(Për informata të plota kërkoni në : http://mip:aadf.org)

*******
Fondacioni shqiptaro-amerikan themelohet me rastin e 50 vjetorit të emigrimit të familjes Biberaj në Shtetet e Bashkueme të Amerikës (1968-2018). Mbas largimit të detyruem nga shtypja qeveritare dhe për t’i shpëtue persekutimit komunist në Shqipëri, ardhja e tyne në Amerikë ashtë nji shembull i ndritun, dhe deshmi e gjallë e plotësimit të “Endrrës amerikane” (the American Dream), mishërimi i thanjes “Amerika të ofron oportunitetin me u zhvillue plotësisht (self-realization)”. Me punë, studim e ndershmëni, si qytetarë koshient të shoqënisë amerikane, individualisht dhe bashkërisht, anëtarët e familjes Biberaj zotënojnë sot bizneset e tyne dhe kanë ndjekë karriera të ndryshme që nga arsimi, teknologjia, drejtësia, sherbimi publik, financat, tregëtia, pasunia e patundëshme (real estate), filantropia, arti dhe aktivizimi në jetën politike të këtij vendi. Z. Hasan Biberaj ashte nji sukses i jashtëzakonshëm financiar, dhe pronar i restaurantit të privilegjuem të New York-ut “Russian Tea Room”. Dr. Elez Biberaj, autor, ashtë sot nji figurë qendrore e grupit të intelektualëve shqiptaro-amerikanë. Z. Ken Biberaj, aktivist i Partisë Demokratike Amerikane asht nji yll në ngritje, dhe shpresa e jonë se ai do të jetë kongresisti i parë i bashkësisë sonë në Amerikë. Të gjithë djelmt dhe vajzat e familjes Biberaj janë shembuj të admirueshëm për të gjithë!
Tetë fëmijtë e familjes Biberaj kanë krye studimet e tyne universitare në institucione prestigjoze të Amerikës. Ata besojnë në nevojën me mbështetë shoqëninë e tyne si nji cilësi qytetare e nivelit të naltë, dhe dëshirojnë që arsimi i naltë që u ashtë dhanë atyne nga prindët, të vazhdojë edhe tek të tjerët.
Dr. Elez Biberaj rrfehej pak ditë ma parë:”Ne mbetemi shumë të lidhun dhe jemi mirënjohës të prindëve tonë që na pasunuen me besimin e thellë në avantazhet e arsimit, punës së pandërpreme, dhe mbështetjen e kontributet për bashkësinë tonë shqiptare”.
Njiqind vjet ma parë, Imzot F.S.Noli shkruente vjershën e tij lapidare: “Jepni për Nenën!”. Formimi i Fondacionit Biberaj ashtë përgjigja e jonë ma e mirë!
Urojmë që kjo frymë e naltë humanitare të përhapet dhe të përjetësohet tek breznitë e reja shqiptaro-amerikane. (Gazeta “Dielli” – Amerikë)