Haberet e Mitros: Turp të jesh milionerë….?!

Nga Mitro Çela

Rreth viteve ‘80-të, motra ime Drita do zgjidhej këshilltare në lagje. Sipas zakonit u bë mbledhje e Frontit Demokratik :”Gju më gju me popullin.” Folën komshijtë. Mes tyre e mori fjalën një jevgë nga Përmeti.
-Shoqja Drita, vjen nga një familje e varfër. E këputur. Pa katandi. Herë me bukë e herë pa bukë. Por varfërija e ka bërë vajzë të zgjuar. Të mënçur. Punëtore…
-Na martë të keqen, jevga e dreqit.-Tha nën zë mamaja.-Kemi pasur dy hyzmeqarë.
U kthyem në shtëpi. Mamasë nuk i dilte e keqja.
-Në fshat (Mbrezhan -Përmet) ishe turp të ishe i varfër. I varfër do të thoshte të ishe dembel. Të luaje kumar. Të fshiheshe pas fustanit. Djemtë e zotë merrnin rrugët e kurbetit: Francë, Amerikë. Mbanin familjet duke dërguar dollarë a franga. Të tjerë u bënë me zanat: kallaxhij, këpucarë, marangozë. Yt atë? Shofer. Gratë punonin arat. Rrisnin kalamanët.
-Nuk i donit të varfët?
-Kush e tha? Kishte të varfë se ishin jetimë. Ose të varfër se ishin sakatë…Bëhej mbledhje e burrave të fshatit. Në oborrin e kishës. Prifti dhe kryeplaku vendosnin sa do ndihmonte çdo familjen…Por asnjë kacidhe për dembelët e varfër…U prishën kishat?… U ngritën kooperativat…U bëmë barabar. Te gjithë varfër. Zot na ruaj?!
Morali.
Viti 1993. RAI bëri një reportazh për Shqipërinë. Mes të tjerave u tha:
-Në Tiranë është “pagëzuar” milioneri i parë: Marsel Skëndo…
Në atë mot isha deputet. Më kërkoi intervistë një gazetar.
-Një milioner në demokraci. Fat i zi?!
-Përkundrazi. Haber i bukur. Milionerët mbajnë shtetin. “Ushqejnë” fukaranë.
-Ashtu?-Tha gazetari.-Milionerët që lindin mes varfërisë, e kanë vendin në hapsanë?!
Dy muaj më vonë Marseli u arrestua. Paradoks i ekonomisë së tregut…
Të shkuara të harruara. Ishin vitet e fillimit…Për inerci nga diktatura, të pasurit, “tingëllonin” si kulakë…
Mars 2018. Debat në TV. Në ring mes dy gazetarëve milioneri Zamir Mane.
Pyetje:-Kur shqiptarët emigrojne, ti pse u ktheve?!
Përgjigje:-Për të fituar?
Pyetje:-Pa Boden e Ramën, do qëndroje në Tiranë?!
Përgjigje:-Kam investuar edhe në Maqedoni. Bosnjë. Malin e Zi…Sipas jush, ku kam dhënë ryshfet?!