Gent Këpuska kishte shkuar si foshnje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai tani është duke shërbyer në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kampin “Bondsteel” në Kosovë.
Genti ka lindur në shkurt 1984. Në nëntor të atij viti, babai i tij shkoi në SHBA, ku fitoi bursën Fulbright. Nëna e priti janarin e vitit tjetër për të shkuar bashkë me Gentin në Shtetet e Bashkuara.
Kapiteni i forcave amerikane thotë se nëna i mësoi shumë për historinë shqiptare, që nga koha e Perandorisë Romake, Perandorisë Osmane e deri te periudha jugosllave.
Genti tregon se gjithë jetën ka folur shqip në shtëpi.
“Nëna ime nuk e ka duruar hiç faktin që mos të kuptoj ose përdor shqipen, sepse ka dashur që unë dhe motra ime të mirëmbajmë ndjenjën që jemi shqiptarë dhe lidhjen me gjuhën e prindërve”, thotë kapiteni i forcave amerikane, Gent Këpuska, për Radion Evropa e Lirë.
Gent Këpuska tregon se në kuadër të forcave amerikane në KFOR janë edhe dy ushtarë me origjinë shqiptare. Këpuska tregon se ka shërbyer edhe në Afganistan dhe në Xhibut.