Tufalakim poetik nga QAZIM D. SHEHU
Gra të bukura
Gra të bukura bien në grackë të parasë
Do thoja dashurisë,po më falni,
Dashuria sot i ngjet Saharasë
Me ëndrra lëndinash të largta…
Mollzat
Si këmba në baltë, dora në mjaltë
Hekuri në dyll,rrufeja në pyll,
Fjala në letër me alfabetin e vjetër
Mollzat nuk lënë gjurmë.
Në netë lunatike ,bredhje ikanike,
Në vjedhje mitike, vrasje biblike
Ato shkojnë pa gjurmë.
Si nuk u gjet një pasqyrim i sigurtë?
Prej frike u futën në karta biometrike…
Gjymtyrë
Gjymtyrët i ziej
Në avuj kujtimesh. Në sa duar
U përcëllua dora,
Këmba në stërkëmbsha
U copë(trua ) e tëra.
Degë të zhvoshkura shelgjesh
Në mjaltë muzgjesh
U ngjyen… gjymtyrët.
Një vogëlushi
Vizatova një ëndërr,ia dhashë
Një vogëlushi në dorë,
Më mirë se ai nuk ia ruan kush
Njomështinë e përkorë.
Merre i fola,çoje ku do,
Atje tek zogu fluturo,
Tek pylli,qielli,det i kaltër
Vetëm ty ëndrra të mban hatër.
Rritu me të si unë
Kur sa ti isha,ëndrra më dhanë
Njerëz në rrugë
Miq që më s`janë.
Tani s`e kam harruar ndonjëv prej tyre ,
Ndërsa ty të mollois,
Të mëdhenjtë shpesh vogëlushëve
Ëndrrat ua bëjnë pis…
Ç’kuptim
Çdo njeri është një botë,
Gjysma e tij rrëqeth,
Gjysma e zhdukur s`e thotë
Çfarë do sillte drejt nesh.
Mund të binte kaq të mira,
Por edhe ligësi,hajni,
Dhe s`e kupton cila nga gjysmat,
Diellit iu rrotullua me dredhi….
Portokall
A është bota një portokall
Në duart e njeriut,
Një portokall enigma fal
Të thjeshtit dhe gjeniut.
Kur e shtrydhim në çast,
Jetën ngjall një portokall,
Kjo botë bie në hall,
Nga të shtrydhurit jetën s`e ndal.
Kotësitë koten mbi shelgjishte
Kotësitë koten mbi shelgjishte
Me idhësinë e tyre përzier,
I ëmbël dikur çasti ishte
Humbi tani në shelg të hidhur.
Shqetësim i madh të mbetesh pa shqetësim
I velur nga lumturia,
Shelgu në ujë me pingërim
Çuket e zbutet hidhësia…
Zemra rreh pa shkak
Gjatë kohës që të desha
Ti ishe tempulli dhe perëndesha,
Në perëndinë e dashurisë
Ishe dhe s`kërkojë fli.
Kaloi koha,flijimi
Vjen nga ikja e dashurisë,
Dhe shuhet pasion i parë demoniak.
Po pse duke shkruar për ty
Zemra rreh pa shkak?!…
Gjak i bardhë i hijeve
Hije s`afrohen si njerëzit,
Hijet rrinë larg,
Më shumë se njerëzit ecin,
Të ngrira në gjak.
Botën pushtojnë dhe
Mangët u del.
Të ecë më tepër se ato
Njeriu bëhet hije.
Gjaku i tyre i bardhë
Nxin qiejt me shije….
Vishmë
Vishmë me frymën tënde
Si me një mantel hyjnor.
Ti,diell në qershor.
Nëse s`mundesh ta bësh,
Ashtu siç unë dua.
Kur të vish.
Me cipë fantazmash më vish,
Mos mbetem lakuriq….
Mos i mbyllni dyert e parajsës
Mos i mbyllni dyrert e parajsës
Për paudhësitë tona,
Lindëm dikur të pastër
U ndragëm rrugëve të vona.
Nëse do mbeteshim puritanë
Pa një njollë në moçal,
Ju s`do dinit ç`të thoshit
Do mbeteshit pa moral….
Dashuritë
Dashuritë kur kaluan kufirin
Morën emrin Ofeli,
Mund të quheshin Ema Bovari,
Ana Kareninë mund të quheshin,
Në ecjen me përpikmëri
Atje ku kurthe thureshin.
Kur shkuan në fund ,qe e kotë
Të ktheshin në pikënisje,
U shkrehën në vaj e lotë
Bastisje.
Mjeshtri i madh Shekspir,
Me radhë Gëte,Flober Tolsto,
Në permendore fjalësh si shkëmbenj,
Thirrën pranverën dhe ajo, bar e lule u ço…
Jetojmë
Jetojmë në kohë të keqe
Me shpatina leqe leqe.
Jashtë konceptit atmosferik
Shënohen ditë netët
Në kalendar anemik.
Kasandrat mallkojnë
Të vërtetën e verifikuar.
Kapin zembrekun e saj
E kurdisim si orë.
Të plas:bombë në dorë…
Lëkurë uji
Fjala e ujit kullot
Shkroi në lëkurë të vet,
Hijet e netëve,
Damarët e gjetheve,
Stuhitë që moshën e vet
Në të harruan.
Shkroi e ç`nuk shkroi
Me lapsin e shelgit
Mbi këtë lëkurë,
Vetëm lojën e fjalëve
S`e shkroi kurrë…