(Ese për një përvjetor)
Në portën kryesore, diku në një faqe ballore muri e më tej në dëftesat e nxënësve , në shkresat e panumërta që dalin nga zyra e drejtorëve ose të zyshave drejtoresha të një shkolle te mesme në të gjithë skajet e vendit, do të kishte një emër tjetër për secilin që nuk është nxënës i saj, nëse ish nxënësit e shkollës së mesme të Beratit nuk do të kishin emrin “Babë Dudë Karbunara” Mbase një emër partizani, të një dëshmori. Të një njeriu që më shumë se gjysma e fshatit nuk ia di lindjen vdekjen apo dhe bëmat e tij. Nuk ka gjë të shkruar, me përjashtim të një biografie të shkurtër ( nëse ka) në një mur shkolle që, me kalimin e viteve, myket nga shiu.
Mund të vëmë në radhën e emrave të shkollave edhe data politike historike që nganjëherë koha i zvetnon i : nxjerr nga loja e kujtesës”
Gjithsesi në historinë që kemi duhen dhe ata njerëz që të vihen në shkolla. Objekt më vete kjo bisedë që nuk e mban dot meditimi për këtë emocion që më jep një përvjetor shkollë që mban emrin e nderuar të Babë Dudë Karbunarës, Mësuesit të Popullit në Berat.
Duhen dhe ato data, por jo gjithmonë bëhen frymëzim për brezat e nxënësve dhe të mësuesve pas disa dekadash kur edhe nxënësit të mos jenë më nga Ligji i Jetës.
E një gjë dihet në Shqipëri të paktën nga të gjithë lëçitësit e shkronjëshqipes apo të tingullshqipes se emri i një shkolle nuk vihet ose edhe nuk propozohet nga mësuesët, nxënësit apo dhe nga drejtori i shkollës qoftë edhe ai që ka treguesët më të mrë të shkollës ku ai drejton në zonë në rreth, në qark.
Përej këtij meditimi që mund të vazhdonte edhe më tej, po e them që në fillim se është më shumë se nder që të jesh mësues nxënës prind, pse jo edhe ’ roja i shkollës që prej 50 vitesh mban emrin Babë Dudë Karbunara. ’ Në moshë të thyer e rrahën egërsisht për atë që bënte në shërbim të lirisë dhe arsimit shqip. Kur ai erdhi nga fshati i lindjes Tozhar si fillim iu desh të merrej me qëndistari për të mbajtur familjen me bukë. Në mënyrë simbolike qëndistaria do të bëhej një pjesë e jetës së tij edhe kur mësonte të tjerët edhe kur printe të tjerët. Jetë-epope, thuaj.
E kishte emrin Jorgji dhe mund të merrte edhe një pesudonim që ishte në modë në atë kohë, por edhe në kohët moderne. Po ai mori një emr të ri BABË
Për fatin e tij të keq nuk i mori meritat që në gjallje veç mirënjohjes së populit të thjeshtë, po i mori ato pas vdekjes. Traditë e keqe shqiptare, por edhe botërore që buron nga ajo shprehje vrastare dhe tragjike “Vdis pa të të dua!” Sot ai është ndër të parët që mori titullin më të lartë “Mësues i Popullit” Ishte firmëtari i Shpalljes së Pavarësisë. Ishte mbëshetësi dhe përhapësi i Alfabetit shqip.
Ishte bashkëpunëtor i Hasan Tahsinit dhe Kostandin Kristoforidhit. Aeksandër Xhuvanit. Për këtë trini gati shenjtërore i madhi Piktor i Merituar Sotir Capo do të bënte një pikturë mjaft të bukur që shumë vite u var në muret e Muzeut të Arsimit Berat. Tani nuk ka muze arsimi. Sa keq! Ndërkohë që për atë punë që bënte për gjuhën e kombit të tij , dikur grekomanët do i digjnin shtëpinë në lagjen “Kala” në Berat.
Dua të di sot se cili ishte motivi i lartë që e udhëhiqte këtë misionar kombëtar në ato beteja fisnike që ai bënte në jetë jetë Mjafton puna dhe këshilla e tij e artë që të futëte në panteonin e lavdisë së një qyteti dhe të zbukuronte me hire fisnikërie çdo shkollë në Shqipëri.
“Kush nuk mëson gjuhën e vet, është i dënuar përjetë”
Një Babë Dude i kishte hije fjala e tillë e mencur.
Jeta e vuri në sfida të mëdha të jetësimit të kësaj këshille të urtë.
Ai ishte Baba, Mësuesi, Shkronjëtari, Shqiptari i mirë, Rilindasi i shquar i një Berati që ishte dhe mbeti edhe një strehë e madhe e qytetërimit edhe se kishte brenda jetës së tij këtë njeri të rrallë.
E pranë një shkolle ai është mësues i të gjithë brezave të saj . Është pak të thuash se është NDER, OBLIGIM, ËNDËRR, LUMTURI, KRENARI, të jesh babaëdudas.
E kisha këtë ndjesi që para se të vija si mësues në shkollën që mban emrin e tij. Për gati një dekadë isha mësues në shkollën e të mesme të Sinjës në Shpirag..madje në vitet 80 isha dhe ndër të parët që po e hapnim këtë shkollë. Lexoja shumë për historikun e Shpiragut e në historinë iluministe të zonës më shfaqej AI tek ngjitej malit për të hapur shkolla shqipe në këtë zonë me tradita po edhe të vështirë për ta shkelur.
Është gjë e bukur të jesh babëdudas. Futuni pak në hartat e shkollave Ka disa shkolla të mesme dhe 9-vjeçare me një emër që përsëritet disa herë. Punë që s’më takon mua ta gjykoj, por dëftesa me emrin BABË DUDË KARBUNARA nuk e gjen një të dytë.
Dhe erdhi një ditë që u bëra pjesë e kolektivit pedagogjik të kësaj shkolle. Kisha jo pak përvojë mësimdhënieje në shkollë të mesme, po më duhej që të dëgjoja më shumë para atyre që ishin më parë në të. Edhe tani dikush e quan “Universiteti i Beratit” Ashtu si quanin dikur Normalen “ Universiteti i Shqipërisë” kur vendi nuk kishte të tillë. Më vjen mirë që të them se si nxënës i shkollës së mesme, unë isha pikërisht në këtë shkollë normale.
Pas pak vitesh në pragun e tij kanë kaluar dhe të dy fëmijët e mi që më vonë mbaruan të lartën me shumë kujtime të bukura që morën nga kjo shkollë dhe me frymëzimin për maja të reja.
Në këtë shkollë nisa dhe udhën e botimeve të mia e bashkë me nxënësit e talentuar në fushën e letërsisë përgatitëm libra të rinj poetikë.
Të jesh babëdudas do të thotë të kesh me vete me mijëra falenderime, të kesh sfidën e fitores mbi dhimbjen, të kesh forcën e mencurinë për të parë të ardhmen me ata sy që zhvillojnë botën e qytetëruar kudo . Të kesh respektin ndaj atyre që jetuan dhjetë jetë për kombin e tyre në secilin ditë të jetës/
Të jesh babëdudas do të thotë të kesh brenda vetes me mijëra zile si një simfoni që ia kalojnë atyre të të gjithë botës.
Me dëshirën e mirë që mesazhet e jetës së Babë Dudë Karbunarës do të doja që libri monografi i studiuesit Viktor Papa të botohet një format shkollor e të bëhet pronë kulturorë e çdo nxënësi duke dhënë në të edhe mesazhet e jetës së Mësuesit të Popullit Babë Dudë Karbunara.
Se vjen një çast që nuk e kupton kufirin e përgjigjes së një pyetjeje të tillë: “Kush i jep më shumë lavdi e kush i bën më shumë nder emri i një personazhi historik apo vetë shkolla që ia ngre lart këtë emër me punën e saj e të mësuesve dhe nxënësve?”
Do të ishte bukur që të paktën në një brez nxënssht të bëhej një konkurs letraro-historik me temë “Të jesh babëdudas”
Mungon një muze i mirëfilltë për të në shkollë aq më shumë kur në Berat nuk ka më dhe Muze Arsimi.
Një konkurs me poezitë më të bukura për Babë Dudë Karbunarës do i jepte udhë një ose disa antologjive letrare për të që do ishte një thesar shkollor për brezat më të rinj që do hynin këtu.
Një konkurs me piktura, këngë të lehta për aktivitetin e tij do e ngrinte madhështinë dhe do të bëhej udhërrëfyese emocionale për ata që do mësojnë në të.
Mungon një listë, qoftë edhe e shkurtër e ish-nxënësve dhe ish-mësuesve që kanë arritur maja të larta në shkencë, letërsi, art, sport, politikë si ndodh sot në shkollat e mesme apo dhe në universitetet më të mira të botës
Një film dokumentar për të sërish do ishte mëse i dobishëm.
Në bibliotekën e shkollës mund të gjenden mekanizmat që të mblidhen të paktën nga një kopje të librave të botuar nga ish- nxënës e ish-mësues të shkollës e të mos fshihemi vetëm pas pjesës romantike të qënies në këtë shkollë. Konkurset me temën për jetën dhe aktivitetin duhet të jenë pjesë e jetës jashtëshkollore e nxënësve dhe mësuesve..
O, sa shumë mund të bëhet që kur të thuash të jesh babëdudas të ndjesh brenda gjithë qënies tënde këtë krenari dhe obligim.
Brenda kurorës që të jep një përvjetor apo dhe çdo ditë e jetës tënde që e ke të lidhur me këtë shkollë le të jetë edhe poezia për të me një titull nderi
Unë e kam takuar mësuesin babë Duda
Unë e kam takuar në Goricë Mësuesin e shqipes
Dorë pas dore me të kam mbajtur një libër e një flamur
Frynte era e Osumit dhe Kalaja bëma legjende sillte,
E dyert hapeshin për të mos u mbyllur më kurrë, kurrë
Kishte harruar bastunin dhe vitet në supet e plakur
Kish lënë pas pranverat që vinin dhe shkonin mbi lumë
U takuam si vëllezër të një gjuhe, të një ëndrre, të një gjaku
Me mallin për zilet që zgjohet e kthehet si prush.
Unë e kam takuar mësuesin Babë Dudë Karbunara
Ia zgjata duart vëllazërisht tek ecte i menduar në rrugicë
E kam pritur me të agimet mbi ca shkronjëza të arta
Me të jemi ulur në gjunjë te libri a te Monumenti i Lirisë
O, sa më dhembi kur plagët ia preka pranë një rrugice
Tek shkërmoqja me duar hirin e shtëpisë dhe hi abetareje.
Kudo ku pyeta, më thanë se kish shkuar në shtigje
të niste dialogun me gjuhën, me zilet, me malet .
Unë ia kam parë rrudhat dhe sytë e tij që nga gazi lotonin
Dhe gazi i shkronjës mbiu në buzë si lule, si filiz i porsambirë
Ish maj.
kudo Osumi, Tomori dhe rrugët këndonin
E nënat në pragje kishin mbushur duart me trëndafilë…
Unë e kam parë mësuesin Babë Dudë Karbunara..
Marrë nga libri “Gjuhëshqipja të zonjërojë”
Namik Selmani
Shkrimtar ish–mësues i shkollës së mesme “Babë Dudë Karbunara” Berat
Boston, më 21 korrik 2018