Mesazhi i Kitaroviç për politikën shqiptare: Kujdesuni, integrimi do jetë i vështirë

Kolinda Grabar-Kitaroviç dhe Ilva Tare

Pas përfundimit të takimeve zyrtare gjatë vizitës në Shqipëri, presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç dha një intervistë ekskluzive për Ora News me gazetaren Ilva Tare.

Presidentja kroate rikonfirmoi rolin e shqiptarëve për mbrojtjen e Kroacisë gjatë luftës edhe pse shtypi serb e kritikoi për këtë. Kitarovic tha se Kroacia është një vend mik i Shqpërisë dhe ofroi gjithë ndihmën teknike të mundshme në mënyrë që vendi ynë të integrohet sa më shpejt në Bashkimin Europian.

Pas përshtypjes që la në ndeshjet e kampionatit botëror, Kitarovic u shpreh se ajo ështrë një njeri që i shpreh shumë emocionet e saj dhe ashtu sic përqafoi lojtarët, përqafon edhe njerëzit kur i takon në rrugë.

Kitarovic theksoi nevojën e përfundimit të reformës në drejtësi duke dhënë shembullin e reformës së suksesshme në vendin e saj por të domosdoshme.

Zonja Presidente, Grabar-Kitarovic, faleminderit për këtë intervistë

Grabar-Kitarovic: Faleminderit

Kam përshtypjen se nuk po intervistoj thjesht Presidenten e Kroacisë por edhe një yll ndërkombëtar pas Kupës së Botës…

Grabar-Kitarovic: Ah, nuk do ta quaja kështu. Unë isha një tifoze e futbollit dhe sigurisht tregova një krenari kombëtare, krenarinë për skuadrën time dhe të futbollistëve që e meritonin plotësisht të fitonin por nuk kishim fat mjaftueshëm. Pavarësisht gjithçkaje fituan zemrat e botës.

Por edhe ju gjithashtu keni marrë vëmendje botërore dhe po lexoja shtypin ndërkombëtar që thonin “Mala zemlja, veliki snovi” “vend i vogël, ëndrra të mëdha”. Çfarë duhet të mësojmë nga modeli i Kroacisë?

Grabar-Kitarovic: Absolutisht, gjithmonë e them se nuk ka vende të vogla. Mund të jesh i vogël në kuptimin e numrit të popullsisë apo në perimetrin e territorit por gjithmonë je aq i madh sa e bën veten, sa është edhe zemra jote, nëse ke ëndrra të mëdha dhe i vendos vetes qëllime të larta, objektiva të mëdha por gjithashtu vetëbesim dhe besimin e miqve.

Ishte shumë interesant fakti që jo vetëm ishit mbështetëse e skuadrës suaj kur ata fitonin, por i mbështët edhe kur ata humbën…

Grabar-Kitarovic: Sigurisht, ai është momenti kur duhet më shumë mbështetje. Mua nuk më pëlqen shprehja ‘humbën” por nuk fituan apo nuk po kryesonin. Sigurisht ky është momenti kur duhet t’i mbështesësh më shumë dhe kjo ka vlerë gjithashtu për miqtë e tu, në kuptimin e marrëdhënieve mes vendeve si përshembull midis Kroacisë dhe Shqipërisë dhe prandaj ne ju mbështesim kaq shumë në rrugën tuaj për në Bashkimin Europian.

Pyetja e fundit për Kupën e Botës. Ju pamë në lot kur përqafuat Luka Modric. Cili ishte përjetimi juaj?

Grabar-Kitarovic: Përjetimi ishte se ai ishte lojtari më i mirë i gjithë kampioantit por fatkeqësisht skuadra nuk ishte në formën më të mirë. Përfunduam të dytët. Pra pata emicione të përziera, lotët ishin lot gëzimi dhe trishtimi por para së gjithash ishin lotë krenarie për të dhe për skuadrën dhe për vendin.

Nuk ju shqetësoi rrebeshi…

Grabar-Kitarovic: Jo, aspak

Sepse nuk kishit çadër

Grabar-Kitarovic: Nuk ka rëndësi, edhe nëse do të më kishin ofruar një çadër, do ta kisha refuzuar sepse doja të ndaja gjithë momentet me skuadrës, pra nëse ata po qëndronin në shi, edhe unë doja të qëndroja në shi.

Ajo ishte mbrëmja që keni dhene më shumë përqafime?

Grabar-Kitarovic: Unë jam një njeri që përqafoj shumë. Më pëlqen të përqafoj njerëzit. I përqafoj njerëzit edhe kur dal në rrugë në Kroaci. Mendoj se është një mënyrë e mirë për të  shprehur emocionet dhe nuk duhet të kemi frikë nga prekja njerëzore. Si politikanë nuk duhet të jemi në pamje të rregullt dhe jo emocionalë. Mendoj krejt të kundërtën, që prirja moderne për politikanët apo zyrtarët të jenë sa më afër njerëzve që të munden. Disa mund ta quajnë populizëm dhe qasja është në fakt populiste por është populizëm pozitiv kur je me njerëzit dhe i dëgjon ata.Populizmi negativ është kur i thua njerëzve ato që ata pëlqejnë të dëgjojnë por që janë të pamundura për t’u bërë. Mendoj se të gjithë duhet të punojmë për unitetin në shoqërinë tonë, unitetin për të përmbushur qëllimet. Sigurisht kemi mendime të ndryshme se si mund të plotësohen objektivat por për sa kohë biem dakord për interesin kombëtar, është në rregull.

Zonja Presidente, ju takuat të gjithë përfaqësuesit e klasës politike, maxhorancën, opozitën, Presidentin e Republikës, kreun e parlamentit. Cili ishte mesazhi kryesor që ndatë me ta?

Grabar-Kitarovic: Mesazhi kryesor ishte për të qëndruar të fortë, shkoni përpara, kujdesuni. Natyrisht nuk do të jetë një proces i lehtë integrimi në Bashkimin Europian. Bëhet gjithmonë e më e vështirë me çdo vend të ri që anëtarësohet. Procesi ynë ishte i ndërlikuar dhe u thashë që ju lutem përdorni eksperiencën tonë, nuk kemi për qëllim t’u marrim nën kujdestari por duam t’ju nxisim dhe t’ju themi se çfarë duhet të bëni prandaj ju lutem na pyesni se çfarë ju nevojitet dhe mund t’ju ndihmojmë jo vetëm me gjërat që kemi bërë mirë por edhe me gjërat që nuk i kemi bërë aq mirë që të mund të shmangni gabimet

Si mund të ndodhë kjo? Mund të nënshkruhet një marrëveshje për këto këshilla?

Grabar-Kitarovic: Ne mund të nënshkruajmë një marrëveshje por gjithashtu mund të jetë edhe informale në kuptimin që zyratrët tanë të vijnë në Shqipëri në mënyrë periodike ose disa nga pjesëmarrësit tanë në procesin tonë të anëtarësimit të vijnë në Shqipëri për të punuar sipas një kontrate që mund të jetë dypalëshe ose e iniciuar nga Bashkimi Europiane.

Ju e pwrmendwt nw parlament, Shqipëria mori përgëzime për reformat por negociatat sërish u shtynë për vitin e ardhshëm. Çfarë duhet të presë Bashkimi Europian nga Shqipëria që të hapen me të vërtetë negociatat?

Grabar-Kitarovic: Ajo që do të bëja unë në vendin e Shqipërisë është të përdorja këtë vit që është përpara, për të vërtetuar që keni të drejtë, për të vazhduar të përmbushni kërkesat për anëtarësim, të vazhdoni me reformat, dhe të përdorni këshillat e mira të miqve tuaj dhe kjo është mënyra më e mirë për të vërtetuar se ju e meritoni të hapni negociatat

Çfarë mendoni për reformën në drejtësi që po ndodh? Cili është vlerësimi juaj?

Grabar-Kitarovic: Sigurisht është një çështje e brendshme e Shqipërisë por duhet t’ju them se reforma në drejtësi është më e ndërlikuara, më kompleksja por edhe një nga aspektet kryesore të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në sistemin e drejtësisë, Kroacia pati gjithashtu disa çështje komplekse, të ngjashme me Shqipërinë por edhe të ndryshme

Reforma në Kroaci ishte e suksesshme apo problematike?

Grabar-Kitarovic: Ishte e suksesshme por merr kohë dhe mund të them se reforma vazhdon ende në kuptimin e përmirësimin e cilësisë dhe shpejtësisë që gjykata jonë punon

Shtypi serb nuk ishte i lumtur me vlerësimin tuaj për të falenderuar shqiptarët që luftuan në luftën kroate. Cili është komenti, përgjigja juaj?

Grabar-Kitarovic: Unë kurrë nuk e kam përmendur Serbinë në fjalimin tim dhe këta njerëz morën pjesë në mbrojtjen e Kroacisë. Shumë prej tyre dhanë jetën për lirinë e Kroacisë dhe sigurisht që duhet të falenderoja shqiptarët në të njëjtën mënyrë siç falenderova boshnjakët dhe serbët që morën pjesë në mbrojtjen e Kroacisë.

Kroacia ka shqetësime për ndotjen në detin Adriatik. Ju ishit në Durrës. Çfarë prisni nga Shqipëria?

Grabar-Kitarovic: Shpresoj që ne të punojmë së bashku me Malin e Zi dhe të zgjidhin çështjet e ndotjes së detit midis Shqipërisë dhe Kroacisë sepse fatkeqësisht, në veçanti në muajt e dimrit, valët e detit dhe era i sjellin mbetjet në brigjet tanë dhe pastaj çdo pranverë kemi problemin e madh të pastrimit të mbetjeve. Menaxhimi i mbetjeve është një aspekt tjetër i vështirë i anëtarësimit në Bashkimin Europian, edhe pse në kohët e fundit po shkon mirë për Shqipërinë.

Ju vizituat Beratin gjithashtu dhe morët titullin qytetare nderi atje.

Grabar-Kitarovic: Sigurisht, tani jam qytetare e Beratit

Ju pëlqeu qyteti?

Ishte fantastik

Me çfarë mbresash po largoheni nga Shqipëria?

Grabar-Kitarovic: Me përshtypje të shkëlqyera miqësie midis Kroacisë dhe Shqipërisë, edhe mes shqiptarëve dhe kroatëve. Me shpresa të mëdha për ju dhe sigurisht duke punuar për anëtarësimin tuaj në Bashkimin Europian sa më shpejt të jetë e mundur.

Faleminderit për këtë intervistë