Ballina Aktualitet DSIK: Vettingu “rrëzoi” çerekun e gjyqtarëve dhe prokurorëve

DSIK: Vettingu “rrëzoi” çerekun e gjyqtarëve dhe prokurorëve

Sipas Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar në Tiranë, e njohur si DSIK, mw se 200 subjekte të rivlerësimit në procesin e vettingut kanë rezultuar të papërshtatshëm për të vazhduar detyrën, prej gjithsej 800 sosh.

Ky informacion, i konsideruar si sekret, tanimë mund të ndahet me publikun, pasi DSIK dhe Inspektoriati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurisë janë të detyruara të japin informacion mbi subjektet që i nënshtrohen vettingut dhe që janë shpallur të papërshtatshëm për të vazhduar detyrat.

Këtë detyrim e ka përcaktuar Gjykata Administrative, e cila i ka dhënë të drejtë kërkesës së Komitetit Shqiptar të Helsinkit, i cili i kishte kërkuar DSIK-ut informacion statistikor mbi numrin e subjekteve që i nënshtrohen vettingut dhe që kanë rezultuar si të papërshtatshëm për të vazhduar detyrat.

Gjykata Administrative ka vlerësuar se të dhënat statistikore mbi subjektet që kanë rezultuar të papërshtatshëm për të vazhduar detyrën janë me interes për publikun dhe, si të tilla, duhet t’u vihen në dispozicion palëve të interesuara. /Top Channel, 20 korrik 2018/