Doracak për shpjegimin e mitit serb për Kosovën

(Leksion “provokacie” për Mustafa Nanon)

Nga Adem Gashi – Kosovë

vijnë me pararojë eremitësh e lypsarësh
në dhera të panjohura më parë
e zgjasin gjymtyrët e lëmoshës

pastaj ia marrin me zë të zvargur
psalmeve me strukturë përralle
“na ishte njëherë e një kohë diku,
një tokë e shenjtë…”
dhe i japin një emër sorre për varre

vijnë me veladonë cuklash të zinj
kohorta eremitësh popash* lypsarësh
e nisin paqësisht liturgji
me shkopinj
e nxjerrin fshehtas thikat hanxharët

pastaj ndërrohen shekujt e mashtrimit
“është jona, është jona shenjtëri”

o sesi kullojnë gjak plagët
sesi stiset e ngihet miti i zi
___________________________
* Priftërinj ortodoksë serbë.
(Nga “Antologjia e zezë”)