Mesi në OKB: BE, nxitësi kryesor i reformave

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ – “Bashkimi Europian mbetet nxitësi kryesor i reformave të ndërmarra në vendin tonë, me ndikim të rëndësishëm edhe në perspektivat e zhvillimit në rajonin si tërësi”.

Ndërsa Shqipëria sapo ka nisur rrugën drejt BE, ende në fazën e çeljes së negociatave, në takimin e nivelit të lartë të mbajtur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën drejtimin e zv/Kryeministres Senida Mesi, Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, së bashku me Misionin e Përhershëm të Zvicrës dhe UNDP-së, u bënë të qarta edhe objektivat për axhendën 2030.

Në aktivitetin e nivelit të lartë morën pjesë ministrja pa portofol e Serbisë, Slavica Djukić Dejanović, përfaqësuesja e Përhershme e Malit të Zi në OKB, Milica Pejanoviç Đurišić; Administratori i UNDP-së, Achim Steiner, i Dërguari Special nga Zvicra për Zhvillimin e Qëndrueshëm Global, Michael Gerber si dhe përfaqësues të Nivelit të Lartë nga BE, Banka Europiane për Zhvillim, përfaqësues të Misioneve të Vendeve Anëtare të OKB-së.

Në fokus të këtij aktiviteti ishte diskutimi rreth Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, si një vizion i cili integron dimensionet ekonomike, sociale dhe mjedisore të zhvillimit në një shoqëri globale të qëndrueshme. Në kontekstin specifik të vendeve anëtare, kjo axhendë ndërvepron me procesin e integrimit në BE. Takimi vuri në dukje edhe rolin e sinergjive midis këtyre dy proceseve.

Mesi në fjalën e saj theksoi se “të qenurit anëtar i BE-së mbetet jo vetëm një aspiratë, duke shtuar se integrimi në BE konsiderohet si nxitësi kryesor i reformave me ndikim të rëndësishëm në perspektivat e zhvillimit në vendin tonë dhe rajonin si tërësi. Integrimi në BE dhe arritja e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, janë dy procese të cilat kërkojnë vizion të përbashkët kombëtar dhe reforma që janë të sinkronizuara njëra me tjetrën”.

Përsa i përket reformave për integrimin europian, Mesi renditi reformat më të rëndësishme të ndërmarra.

“Ne po avancojmë reformën tonë mbi të drejtat e pronësisë, me qëllim të rritjes së zhvillimit ekonomik. Reforma jonë transformuese e sistemit të drejtësisë është në vazhdim dhe ka dhënë rezultatet e para pozitive e të prekshme për qytetarët”, -theksoi ndër të tjera ajo.

Në lidhje me bashkëpunimin rajonal, zv/Kryeministrja nënvizoi se në kuadër të procesit të Berlinit është forcuar bashkëpunimi në aspektin politik, ekonomik, në fushën e transportit dhe sigurisë, si dhe stabilitetit e prosperitetit. Ky bashkëpunim, sipas saj, do të vazhdojë të forcohet, gjë e cila u konfirmua më së miri edhe në Samitin e Londrës.

Eventi i nivelit të lartë në OKB me temë “Përshpejtimi i Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Integrimi Europian i Vendeve të Ballkanit: Prezantimi i Arritjeve të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë”, u zhvillua në kuadër të Forumit Politik të Nivelit të Lartë për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZhQ).

(Zina Tosku /a.g / ATA)