Fisi Hoti

Nga Flor VESELI *

Gjeografi

Hoti është një zonë bjeshkore e Malësisë së Madhe në pjesën veriore të trojeve shqiptare që tani ndodhet nën administrimin e Malit të Zi. Hoti, një ndër pesë bajraqet e Malësisë së Madhe, është ndër më të vjetrit, por edhe ndër më të rëndësishmit e kësaj treve. Emërtimin e parë në dokumente të vjetra e gjejmë në vitin 1414 me “Certi Hocti” (disa hoten), çfarë tregon për një popullsi jo të madhe të këtij Mali.

Antropologji

I pari i fisit Hoti është quajtur Keq Preka. Sipas traditave gojore, thuhet që Keq Preka është ardhur nga një zonë në veri te territorit te Hotit rreth viti 1520, ndoshta Bosnja. Gojëdhëna tregon se ai shkoi në Piper meqë e ndiqnin sllavët. Atje ai pati gjashtë djem: Lazer Keqin, Ban Keqin, Merkot Keqin, Kastër Keqin ,Vas Keqin, dhe Piper Keqin. Lazer Keqi ishte vendosur në trojet e Hotit, ndërsa Ban Keqi në Triepsh. Të tjerët sipas emrave (homonimeve) të krahinave që njohim sot. Djali i Lazër Keqit, Gegë Lazri pati katër djem: Pejç (Pjeter) Gegën, Gjon Gegën ,Laj (Lajç) Gegën, dhe Jun (Junç) Gegën. Pjeter Gega themeloi katundin Traboin i cili ka 180 shtëpi me 1600 frymë, ndersa tre djemt e tjerë themeluan fshatin Rapshë që ka 190 shtepi me 1150 frymë.

Pema e Hotit (kontribut nga Gjokë Gojçaj)

Në Hot sot jetojnë edhe trashëgimtarët e banorëve që i thërrasin “anas” apo vendas. Më saktë banoret që gjetën në Hot kur erdhi Lazer Keqi me të birin Gegën. Sipas Llesh P. Smajlaj, nga fisi Anas kemi keto vëllazëri: Në Stare vllazëria e Dakë Hasanit dhe e Cak Hasanit. Në Rapshë vëllazëria Locaj. Në Bozhaj kemi dy vëllazëri të Martin Pecit. Anas janë edhe disa shtëpi që edhe sot e ruajnë mbiemrin “Junçaj” të cilët mendohet se janë trashëgimtar të Junç Hotit, kryeparit të malit të Hotit që quhej Kapetan (capitaneus montanee Ottorum ) në vitin 1434, dhe nuk kanë lidhje gjaku me fisin tjeter Junçaj që janë trashëgimtar të Junçit, djalit të Gegë Lazrit.

Gjenetikë

Sipas testimit gjenetik të Y-DNA apo linjës atërore nga Projekti Shqiptar i ADN, të anëtarëve të fisit Hoti që rrjedhin nga Lazer Keqi, këta i takojnë haplogrupit Paleo-Ballkanik dhe Proto-Ilir, J2b2-M241>L283. Më specifikisht nën-degës se tij J-Z1296, ku gjinden edhe disa fise tjera shqiptare. Sipas analizës së Y-DNA STR markerave, të gjithë janë në një afërsi në afatin gjenealogjik. Dhe sipas kësaj analize, paraardhësi i fundit i tyre ka jetuar para 400-600 viteve, që koincidon kur ka jetuar Lazer Keqi.  Në eshtra të ADN antike Y-DNA haplogrupi J2b2-L283 është gjetur në Dalmaci në periudhën e bronzit, datuar ~1600 p.e.r.  Rrjedh pyetja, a dëshmon gjenetika traditën që fisi Hoti është fis vëlla me Krasniqin, Piperin, dhe Vasojeviqin; si dhe a ka ndonjë evidencë gjenetike se këta janë të ardhur nga “Bosnja”? Çka dihet deri tash, përgjigjja e thjeshtë është jo dhe jo. Të testuarit e fiseve Vasojeviqi dhe Piperi u takojnë haplogrupeve tjerë, kurse për fisin Krasniqi, edhe pse disa anëtarë të këtij fisi i takojnë haplogrupit të njëjtë, nuk janë në të njëjtën subkladë me Hotin. Më specifikisht ndahen nga paraardhësi i fundit para rreth 4000 viteve. Sa i përket migrimit nga “Bosnja”, nuk ka evidencë gjenetike deri më tash. Në fakt, anëtarët e fisit Hoti për nga linja atërore më afër kanë shqiptarë tjerë që nuk i takojnë këtij fisi, si dhe një grek. Gjithashtu, në territorin e Bosnjës, nga ku mund të ketë ardhur i pari i tyre vetëm në shekullin XVI, haplogrupi J2b2-L283 ka një përqindje tepër të ulët, 1-3%, ku atje dominojnë haplogrupe të ardhura me dyndjet Sllave. Sidoqoftë, është e mundur që janë të ardhur nga ndonjë zonë rreth Malësisë së Madhe.

Siç përmendëm më lart, në territorin e Hotit ka edhe disa familje vendase ose “anas”. Mesa dimë, nuk ka ndonjë të testuar për Y-DNA nga këto familje.

http://www.gjenetika.com

* Administrator i Projektit Shqiptar të ADN.