Kompania Facebook tha se do të fillojë heqjen e postimeve që përmbajnë informacion të rremë dhe që mund të çojnë në dhunë.
“Disa forma të caktuara dezinformimi kanë kontribuar në dëmtime fizike” në disa vende, tha në një deklaratë gjigandi i medias sociale.
Kompania thotë se do të punojë me organizatat vendase për të identifikuar informacione të tilla, duke përfshirë postimet me shkrim dhe fotot e ndryshuara.
Facebook është akuzuar se ka lejuar përdoruesit të përhapin gjuhën e urrejtjes dhe informacione të rreme që kanë çuar në dhunë në vende si Siria, Sri Lanka, Mianmari dhe India. Sri Lanka shpalli gjendjen e emergjencës në muajin mars, kur lajmet e rreme të postuara në Facebook çuan në sulme vdekjeprurëse ndaj popullsisë myslimane pakicë nga turmat budiste.
Themeluesi i rrjetit Facebook dhe shefi ekzekutiv i tij, Mark Zuckerberg u kritikua dje ashpër kur u përpoq të shpjegonte dallimin midis dezinformimit dhe gjuhës fyese. Ai tha në një intervistë se nuk do t’i ndalonte nga Facebook-u njerëzit që mohojnë Holokaustin.