Shkrimtari dhe Diktatura

Ese nga Fatmir Sulejmani – Tetovë, Maqedoni:

Ideja e lirisë

Njeriu e ka për detyrë të jetë i lirë, nuk guxon të jetë rob, sepse është i detyruar të jetë njeri…, thotë filozofi Nikollaj Bergjaev. Por, zotrat nuk i durojnë njerëzit e lirë, se i tuten zënies rob prej tyre. Ata dënojnë rreptë Prometejtë e padëgjueshëm dhe ndërsejnë coftingrënësit t’ua hanë çerdhen e shpirtit – mëlçinë…
Kujtoni shkrimtarët e ekskomunikuar dhe të syrgjynosur: Gjergj Fishtën, Faik Konicën, Ernest Koliqin, Arshi Pipën, Martin Camajn, Kasem Trebeshinën, Sejfulla Malëshovën, Adem Demaçin, Visar Zhitin… Kujtoni martirët mendjelirë: Anton Harapin, Musine Kokolarin, Sadudin Gjurën, Vilson Blloshmin, Genc Lekën, Havzi Nelën… Kujtoni fatin e krijuesve që trazuan rehatinë e zotrave dhe portreti i mesjetës do të qartësohet sakaq.
Mbase për këtë Emil Siorani jep këshillën e frikshme: Provo të jetosh i lirë, do ngordhish urie…, që tingëllon tmerrshëm dhe e ngjyrosur me nihilizëm të skajshëm. Por, në shkretishtet ballkanike, ku akoma kundërmojnë plehrat e stallës komuniste, thënia e tij meriton vëmendje. Këtu është në zanafillë ideja e lirisë dhe ata që e gjakojnë atë rrezikojnë të drobiten nga makineria e torzove në pushtet…, sepse, vazhdon “nihilisti” Sioran: … pushteti që mbështetet në instinktet e fuqisë, nuk lejon as armiq as heretikë…; se, sa më i fuqishëm të jetë një pushtet, aq më i panjerëzishëm është; se energjia e një epoke matet me qeniet që e pësojnë, kurse një kredo politike afirmohet përmes viktimave që krijon, nga shkaku se shtazarakja është karakteristikë e parë e çdo suskesi…; se kokat bien atje ku fiton një ide, që mund të fitojë vetëm në llogari të ideve dhe kokave të tjera…
Kjo e bën të qartë përse liria jonë është me dhëmbë, si dielli i vjeshtës së vonshme, përse ndër ne mbretëron hutizmi dhe përse ajo që mbetet prapa hutisë së përgjithshme është refreni i jermisë së spirales tragjikomike, viktimë e së cilës jemi të gjithë, pa asnjë përjashtim.
Në kësi rrethanash, koshient për jetën në pranga është vetëm raca e krijuesve, që prihet nga të tjera kushtetuta mentale e shpirtërore, por, e ngujuar në grilat e pushtetarëve me dollama etnike, ajo nuk ka kujt t’ia distribuojë idenë e lirisë shkaku i rrënjëve të thella të shpirtit të Robit, të mësuar me statusin prej kërmilli që ua imponojnë pronarët e çelësave të hapsanes. Pikërisht për këtë, profesioni i krijuesit ka mbetur profesion i rrezikshëm. Ata janë të vetmit që pengojnë instalimet e rehatshme të diktaturave me zhgune demokratike, prandaj nuk i do kush, sepse kanë shumë informacion dhe kapin herët vibracionet e tërmeteve morale të pushteteve që luajnë lojën e demokracisë sa për sy e faqe, sa për të manipuluar donatorët e jashtëm, paratë e të cilëve përfundojnë në xhepat e epigonëve të politikës. Ata janë të varur nga mecenati i rrallë dhe nga injoranca e publikut të cilin duhet ta kultivojnë vetë. Ata kanë një bazë ekonomike mizërabël dhe përballen me ekzistencën fizike para së cilës krijimtaria dhe arti janë dokrra. Ata janë të tepërt në vilajetet ku, më shumë se krijuesi i suksesshën, peshon eadi i vonuar që u këndon ode zuzarëve. Ata janë të dyshimtë sepse nuk i besojnë dhuratës së danajve dhe nuk e praktikojnë animizmin politik të kohës së gurit. Ata janë të largët, se të largët qenë dhe dje, kur për fatin kolektiv hidhnin zare të tjerë dajanxhi, kur mbi shpinën e gomerëve të gjithandejshëm të Konicës kalëronin e kalaronin të tjerë pronarë të ferrit tonë atipik.
Diktatura demokratike

Diktatura më e ligë është ajo që vjen e mbështjellur me sinonime eufemike dhe celofanë që e bëjnë të servohet kollajshëm. Është ky një truk i moçëm faraonësh që hedhin idenë e piramidave sa herë që duhet përkundur truri i painformuar, të cilit s’i lejohet për asnjë çast të merret me shkopin e lypsarit, perspektivën e hirtë, kadillakun e kojshisë…
Aktualisht, në vendet postkomuniste, si këta të Ballkanit, duken ashiqare përpjekjet që me makiazhe makia¬veliste të dhjamosen aristokratët e tipit të glembajëve të Mirosllav Kërlezhës, pronë e të cilëve, në fazën që pason, do të jemi të gjithë ne, tok me shtetthet tona në trans të përjetshëm tranzicioni.
Procesi ka filluar para tri dekadash (pa llogarritur këtu korrje-shirjet 50-vjeçare të bijve të Stalinit…) dhe, në kushtet e Saharasë mentale, faraonët do ta përfundojnë me sukses, nëse arrijnë ta shterrin përfundimisht zërin e mbikqyrur me llupa të trasha të inteli¬gjencës gati inekzistente krijuese. Të tjerët, ndërkaq, janë në sezonin e histerisë brohoritëse: jemi gati kurdoherë… dhe as që janë koshientë për politikat e kësaj natyre.
Kjo është rrjedhojë e pritshme në vendet ku bërja e sistemit të ri, mbeti në duart e kreaturave, truri i të cilëve është në valën e marifeteve të mësuara në kuzhina bolshevizmi; në vendet ku mendësia totalitariste reflektohet në çdo pore të jetës, që nga kontrollimi rigoroz i medieve e gjer tek procedurat perfide të mënjanimit të të pabindurve; në vendet ku standardet e demokracisë së vërtetë mbeten ëndërr e bukur; në vendet ku dikta¬tura e pudrosur vazhdon të shitet si demokraci…
Roli i njeriut të kulturës

Roli i një njeriu të Kulturës kufizohet në gjurmimin dhe në përhapjen e së Vërtetës. Ai përpiqet të përhapë mendimet e veta dhe t’i futë në vetë-dijen e bashk’atdhetarëve të tij. Mendimtari s’ka nevojë të vë në dorë fuqinë reale dhe të sundojë botën duke u mbështetur në bajonetën e xhandarit. Ai ndjek rrugën e vet. Dhe e ndjek këtë rrugë me guxim dhe me qetësi. Ecën dhe duke vajtuar.
Artistët i propozojnë popullit ndjenjat dhe mendimet e tyre: Vetëm i propozojnë. Nuk mund t’ia imponojnë. Ata kanë në dorë një tok mjete morale – bindjen, shijen, enthu¬siazmën dhe një seri të tjera veprimi.
Lëmi i mendimit është një shesh i lirisë. Në këto gjëra nuk mund të hyjnë në punë as shtypjet, as frikësimet, as edhe çdofarë urdhëri zyrtar.
Atje ku kultura bëhet skllav i politikës humbet kupti¬min e qenies së vet; dhe nga ana tjetër edhe politika fshin dhe çvleftëson çdo lloj përpjekje që ka si qëllim të ndihmojë shoqërinë në ecjen e saj drejt përparimit dhe qytetërimit. Dhe kështu shkatërrohen dhe degjenerohen të gjitha. Poli¬tikani mbetet pa dritë. Intelektuali bëhet dallkauk…
Kështu shprehej në vitet e 30-ta publicisti i famshëm shqiptar – Branko Merxhani, po, mjerisht, në Ballkan ka pak, fort pak hapësirë për sheshet e lirisë pa shtypje, pa frikësime, pa urdhëra zyrtarë…
Në kreaturat në zallahi të përgjithshme, ku praktikohen njëmijë mënyrat e hipnozës kolektive, vazhdon të luhet burlesku i përzierjes së kompetencave, kategorive, dimen¬sioneve… Fjalën e parë këtu e kanë rapsodët e pushtetit, tarabukat e të cilëve pengojnë gërvishtjen e zhugës që paraqet punë Sizifi dhe ndërmarrje që bart me vete rreziqe serioze, që rrallon ata të cilët, si shpirtndrituri Havzi Nela, janë të gatshëm të shkojnë në lirat për të vërtetën, si ata që, siç do të thoshte Azem Shkreli: janë të gatshëm të vdesin për çdo varg, për çdo fjalë…
Këto janë fenomenet që betonojnë tregun e prostituimit kulturor ku vërdallisen paturpësisht hipokritët, demagogët, tartufët, danjollët, skribomanët – izmeqarët vullnetarë të pronarëve të etnive të mbetura në jeshillëk kronik, ku unë, ti, ne… i bëhemi teslim kurgjësë dhe luajmë me devotshmëri rolin e shimpanzës me manire çingeneje, në dramën e sorrollatjes kolektive.
Të gjendur në distancë margjinash e në rreth miop vicioz, krijuesit humbin mjetet morale – bindjen, shijen, enthusiazmin… dhe bëhen skllavë të politikës, duke u shkatërruar e degjeneruar tok me të; ata humbin vetveten dhe nuk kanë kurajë ta bëjnë atë që bëri i Madhi Hivzi Sulejmani para hundës së tmerrshme të Rankoviqit që turfullonte mortje: Ta shpallin të vërtetën dhe të luftojnë kundër vrazhdësisë së tiranëve dhe frikës së skllavëve të tyre…