Tri çështje kryesore do të jenë në tavolinën e diskutimit mes krerëve të institucioneve të Kosovës dhe atyre të Bashkimit Evropian.
Marrëdhëniet Kosovë-BE, liberalizimi i vizave dhe dialogu me Serbinë, do të jenë temat kryesore që do të diskutohen në takimin e sotëm në Bruksel.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke konfirmuar takimin e nesërm theksoi se çështja kryesore do të jetë liberalizimi, edhe ashtu i vonuar për qytetarët e vendit.
Kreu i ekzekutivit dje është deklaruar se vendimi i Komisionit Evropian është vetëm një, nga tri vendimet që duhet t’i marrë BE-ja, për t’ua mundësuar qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë në zonën Schengen.
“Nesër do ta kemi një prej tri momenteve, pra një prej tri vendimeve, është vendimi i Komisionit për ta hap procesin, pra vlerësimi që i kemi përmbushur kriteret e pritura, të paktën ashtu po pritet që të jetë. Mirëpo, nuk bërë të gëzohemi dhe të mendojmë që është kryer puna. Të gëzohemi po, se u hoq pengesa e parë, por janë edhe dy tjera. Duhet të jemi serioz në punë, është shumë e mundshme, ky proces nuk ka kthim mbrapa pas atij vlerësimi, mirëpo kohëzgjatja mund të varion, në vend se të ndodh në fund të këtij viti, mund të na shtyjnë. Pra ne duhet ta bëjmë punën që të ndodh në fund të këtij viti se edhe ashtu është bërë shumë vonë”, theksoi ai.
Liderët politikë takojnë Mogherinin
Liderët kosovarë, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe tre zëvendëskryeministrat, Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi, sot në mëngjes do takohen me Shefen për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
KosovaPress mëson se temë diskutimi do të jetë dialogu. Nuk dihet nëse presidenti Thaçi do takohet me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq.
Sipas burimeve, pritet që liderët kosovarë do kenë takim edhe me Komisionerin Evropian për Emigracionin, Dimitris Avramopoulos.
Takimi me Mogherinin është herët në mëngjes, ndërkohë agjendë e gjatë do të jetë në Bruksel, kohë kjo kur pritet që Komisioni Evropian të jap rekomandimin për vizat, që është hapi i parë për daljen nga izolimi të popullit të Kosovës.