Tashmë është zyrtare: Dua Lipa do të këndojë kolonën zanore të filmit “James Bond”, në hapat e gjigandëve të muzikës botërore.
Shqiptarja 22-vjeçare sfidoi këto muaj Adelen, që e ka kënduar më herët kolonën zanore të “Skyfall” apo edhe Ed Sheeran, Jessie J dhe Paloma Faith. Zgjedhja për këngëtaren shqiptare, e cila po korr sukses në çdo fushë të “showbiz”-it, duket se ka qënë e vetë regjisorit të “James Bond”, Danny Boyle. Dhe suksesi për vazhdimin e sagës “James Bond” duket se është i garantuar, transmeton tch.
“Dua ishte pretendentja jonë kryesore që në fillim të projektit të radhës së agjentit 007, për të cilin deri më tani kemi punuar në titullin “Bond 25”, dedikuar prodhimit të 25 ndër vite të agjentit James Bond”, thotë Boyle, që duket se pas shumë spekulimeve ia ka besuar sërish britanikut Daniel Craig.
Edhe skenari është drejt fundit, thotë regjisori dhe Richard Curtis ka bërë një punë të mrekullueshme mbi të.
Kolona zanore e filmit “James Bond” ka luajtur një rol të madh gjatë prezantimit të tij dhe çdo film, që nga i pari në vitin 1962, ka patur këngën e tij. Për herë të parë kolonën zanore të James Bond “We have all the time in the World” e ka kënduar Louis Armstrong e pas tij me radhë emrat më të suksesshëm të muzikës botërore si Paul McCartney, Tom Jones, Nancy Sinatra, Adele, Madonna, Tina Turner, Duran Duran, Alicia Keys dhe Sam Smith, në filmin e fundit “Spectre”.