Trump: Bisedimet me Putinin, konstruktive

TAKIMI TRUMP – PUTIN DHE NDËRHYRJA RUSE NË ZGJEDHJE

Presidenti Donald Trump thotë se e kaloi një “pjesë të mirë të takimit” me presidentin rus Vladimir Putin në Helsinki duke trajtuar ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane gjatë atyre që i quajti bisedime “konstruktive”.

“Gjatë takimit të sotëm trajtova çështjen e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet tona. Mendova se ky ishte një mesazh që duhej dhënë më mirë personalisht,” u tha presidenti Trump gazetarëve gjatë një konference të përbashkët për shtyp me udhëheqësin rus.

Presidenti amerikan Donald Trump thotë se nuk sheh asnjë arsye që Rusia të ketë ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016.

Ai rezistoi kur u pyet të hënën nëse e dënonte ndërhyrjen ruse në zgjedhje. Në vend të kësaj, ai u ankua për një server kompjuteri të Komitetit Kombëtar të Demokrat dhe emailet që i përkisnin zonjës Hillary Clinton.

Presidenti Trump përsëriti mohimet e udhëheqësit rus për përfshirjen në zgjedhjet amerikane. Trump tha për Putinin: “Ai thjesht tha se nuk është Rusia. Unë nuk shoh ndonjë arsye pse të ishte Rusia.”

Ai tha gjithashtu se Putini bëri një “ofertë të jashtëzakonshme” për të lejuar hetuesit rusë dhe amerikanë të punojnë së bashku rreth dyshimeve për sulmet kibernetike ruse.

Presidenti Trump tha se zoti Putin sugjeroi që Shtetet e Bashkuara t’i ofrojnë inteligjencën e tyre ushtrisë ruse, në mënyrë që Rusia të mund të përcaktojë të vërtetën e asaj që ndodhi.

Zoti Trump tha se kishte “besim të madh” në agjencitë e tij të inteligjencës, por shtoi se Putini ishte “tepër i prerë” në kundërshtimin e tij se Rusia nuk kishte ndërhyrë në zgjedhje.

Agjencitë amerikane të zbulimit kanë arritur në përfundimin se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016, por presidenti Putin, në komentet e tij tha: “Duhet ta përsëris se shteti rus nuk ka ndërhyrë kurrë dhe nuk planifikon të ndërhyjë në procesin zgjedhor amerikan”.

A DO TË PËRMIRËSOHEN MARRËDHËNIET?

Presidenti Trump tha se bisedimet e tij me presidentin Putinin shkuan mirë. “Marrëdhënia jonë nuk ka qenë kurrë më e keqe se sa është tani. Megjithatë, kjo ndryshoi nga rreth katër orë më parë,” tha ai.

Nga ana e tij, zoti Putin tha se bisedimet u zhvilluan në një atmosferë të sinqertë dhe i quajti të suksesshme.

Më herët, presidenti amerikan përdori mediat sociale për të fajësuar politikat e deritanishme për gjendjen e marrëdhënieve amerikane me Moskën.

Para fillimit të takimit, presidenti amerikan shprehu shpresën se dy vendet mund të arrinin të kishin “një marrëdhënie të jashtëzakonshme.”

“Unë mendoj se ne kemi mundësi të mëdha së bashku, si dy vende. Sinqerisht, nuk kemi ecur shumë mirë vitet e fundit. Unë kam qenë president jo shumë gjatë dhe po po bëj afro dy vjet. Por mendoj se do të përfundojmë me një marrëdhënie të jashtëzakonshme. Shpresoj. E kam thënë vazhdimisht këtë dhe jam i sigurt që ju keni dëgjuar gjatë viteve si dhe kur bëja fushatë se marrëdhëniet e mira me Rusinë janë diçka e mirë, jo e keqe. Dhe në fakt mendoj se bota dëshiron të na shohë që ne të shkojmë mirë.”

Presidenti Trump, shkruante në Twitter: “marrëdhëniet tona me Rusinë kurrë nuk kanë qenë më të këqia, falë budallallëkut dhe marrëzisë amerikane dhe tani ‘gjuetisë së shtrigave’!”

Ai i referohej hetimeve të Prokurorit të posaçëm Robert Mueller lidhur me përzierjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Takimi Trump-Putin vjen tri ditë pasi zoti Mueller ngriti padi ndaj 12 oficerëve të shërbimit sekret rus, duke i akuzuar ata për ndërhyrje në zgjedhje për të ndihmuar zotin Trump të vinte Shtëpinë e Bardhë.

Rusia nuk ka traktat ekstradimi me Shtetet e Bashkuara, prandaj nuk ka gjasa që Rusia t’i kthejë zyrtarët e inteligjencës në SHBA për të dalë në gjyq.

Akuzat bënë që një numër senatorësh amerikanë, mes tyre një republikan, të kërkonin që Presidenti Trump ta anulonte samitin e tij me zotin Putin.

Ai shkroi disa herë në Twitter para se të nisej për në Finlandë, duke theksuar se pavarësisht se cilat mund të jenë arritjet e tij në takimin me Putinin, ai do të përballet me kritikat “se nuk ka bërë sa duhet”.

I pyetur nga gazetarët gjatë një mëngjesi pune me presidentin finlandez, Sauli Niinis, presidenti Trump u përqendrua në marrëdhëniet dypalëshe me Helsnikin dhe takimin e lartë të NATO-s, javën e kaluar.

“Takimi i NATO-s ishte i vështirë në fillim dhe në fund u shndërrua në dashuri“, tha ai.

“Ata po paguajnë dhe po e bëjnë këtë shumë më shpejt dhe unë mendoj se NATO-ja kurrë nuk ka qenë më e fortë sesa sot”, tha presidenti Trump, duke iu referuar zotimeve të vendeve anëtare për më shumë shpenzime të mbrojtjes.

Finlanda është pjesë e Bashkimit Evropian, por jo anëtare e plotë e paktit të NATO-s.

Disa mijëra protestues u mblodhën në sheshin e Senatit në Helsinki të dielën ku ishin përfshirë veprimtarë të mjedisit, të të drejtave të refugjatëve dhe kundër luftës.

Në disa nga parullat e protestuesve thuhej: “Diktatorët nuk janë të mirëseardhur”, “Trump është satanai i mjedisit” dhe “Stop vrasjes së gazetarëve”.

“KEMI SHUMË ARMIQ”

Presidenti Trump tha të dielën se nuk kishte pritshmëri të madhe nga takimi me presidentin rus, ndërsa lëshoi një qortim tronditës ndaj asaj që tradicionalisht është vlerësuar si një nga aleatet kryesore të Uashingtonit.

“Mendoj se kemi shumë armiq”, i tha ai televizionit CBS News, kur u pyet për armikun më të madh të Shteteve të Bashkuara. “Mendoj se Bashkimi Evropian është armik. Ju nuk do të mendonit për Bashkimin Evropian, por ata janë një armik”. Presidenti Trump tha gjithashtu se Rusia është një armik “në disa aspekte”.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, u përgjigj shpejt në Twitter: “Amerika dhe BE-ja janë miqtë më të mirë. Kushdo që thotë se janë armiq, përhap lajme të rreme”.

Presidenti amerikan nuk tha se cilat janë synimet e takimit të parë me zotin Putin, por premtoi se “nuk ka për të ndodhur asgjë e keqe” nga takimi.

Të dy udhëheqësit kanë pasur rastin të bisedojnë më parë gjatë takimeve ndërkombëtare. “Mendoj se është mirë të takohemi. Unë besoj në takimet. Takimet me Rusinë, Kinën, Korenë e Veriut janë një zhvillim i mirë. Asnjë e keqe nuk vjen prej tyre, përkundrazi”- tha Trump.

Agjenda e sotme në Helsinki përfshinte një takim kokë më kokë për 30 minuta deri në një orë, vetëm në praninë e përkthyesve.

Takimi vjen tri ditë pasi Departamenti i Drejtësisë njoftoi ngritjen e akuzave për 12 zyrtarë rusë të shërbimit ushtarak të zbulimit, për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Presidenti kritikoi administratën Obama, që nuk i është përgjigjur me ashpërsinë e duhur Rusisë në sulmet kibernetike ndaj demokratëve në fushatën e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Ish-ambasadori amerikan në Rusi, Michael McFaul, duke folur për shërbimin rus të Zërit të Amerikës në Helsinki, tha se brenga e tij më e madhe është se presidenti Trump “do të jetë shumë miqësor dhe lavdërues për Vladimir Putinin dhe mendoj se kjo i shërben interesit të tij. Nuk besoj që kjo u shërben interesave amerikane”.