Një ëndërr me atentator, kur desha te vrisja Mao Ce Dunin…

Nga Rexhep Shahu

Ishte vra diku një president në botë. Ky lajm ish botue në gazetat kryesore të vendit.
Një grup shokësh po diskutonin rreth këtij lajmi teksa shëtisnin në bulevardin kryesor të Tiranës. Si është e mundur të vritet një president…
-Si nuk është e mundur, tha njëri. Unë vetë kam qenë në vendroje kur erdhi njëherë udhëheqësi ynë në repartin tonë. Po të kisha dashtë me e vra, e kisha vra. Nuk është e vështirë të vritet askush. Ndaj në vende ku rri apo shkon udhëheqësi janë gjithmonë njerëzit apo ushtarët më të besuar, djem të familjeve më të lidhura me partinë.
U krijua një heshtje. Dhe nuk zgjati shumë biseda mes shokëve e shëtitja e asaj pasditeje në bulevardin e madh.
Ata që e dëgjuan këtë thënie, fill pas ndarjes së shokëve, shkuan, dhe siç ua mori mendja raportuan aty ku donin e mendonin ata. Dikush në Degën e punëve të brendëshme, dikush te operativi i sigurimit që njihnin. Dikush shkoi e raportoi nga frika se mund të vritet udhëheqësi dhe duhet të shtohen masat mbrojtëse. Dikush nga dashuria për udhëheqësin, dikush shkoi e raportoi nga frika se do të raportonte ndonjë tjetër dhe do t’i thonin pastaj atij se, ti e ke dëgjuar këtë fjalë dhe nuk ke ardhë të raportosh.
Dikush nga shokët, nga zelli dhe dashuria e madhe për udhëheqësin, kishte thënë se filani tha se “kam dashtë me e vra udhëheqësin”. Një shok tjetër kishte thënë se ai “kishte dashtë me e vra udhëheqësin”. Fjala “po të kisha dashtë me e vra” u shkrua “kisha dashtë me e vra”, “kishte dashtë me e vra”.
Kjo thënie krejt e pafajshme, krejt e paqëllimshme, i kushtoi shtatë vjet burg politik atij që e tha.
Kur doli nga burgu në vitin 1980, kudo e tregonte këtë histori dhe shprehej se kurrë nuk kishte dashtë me e vra udhëheqësin.
Pas viteve 1990, ish i burgosuri i pafajshëm deklaronte gjithkund se “kam dashtë me e vra udhëheqësin”, “jam përpjekë me e vra udhëheqësin”. Filloi të delte në televizion si disidenti e antikomunisti i famshëm, si i burgosuri që ka dashtë ta shpëtojë vendin duke vra udhëheqësin diktator. U shpall si i burgosuri i famshëm që ka tentuar ta vrasë udhëheqësin por ka dështuar për një pamundësi të vogël, pasi udhëheqësi gjatë shëtitjes, ka kthyer mbrapsht nja dyqind metra pa i shkuar gjiros së pasdites deri në fund, ku disidenti kishte vendrojen, dhe kjo distancë e largët e shpëtoi udhëheqësin pa u vra. “Po të afrohej edhe pak metra, do ta kisha shtri përdhe derrin e derrit”, deklaroi në një televizion atentatori i pafat i udhëheqësit.
“Plehrë”, i tha një ditë me anë të linjës telefonike një teleshikues, teksa disidenti po ritregonte për të disatën herë disidencën e tij në atë televizion.
“Kështu si ju flasin komunistët…”, foli disidenti që ishte i ftuar në studio.
“Nuk jam komunist o plehrë, por jam shoku yt që shkova e të spiunova atë ditë që u vra presidenti i atij shtetit të huaj dhe që diskutuam në shëtitje në bulevardin e madh, pasi lexuam lajmin në gazetë. Mos mashtro më shumë veten tënde, nuk je në ëndërr. Fill pas teje na futën edhe ne në burg. Bashkë e bëmë burgun, apo na ke harruar ne shokëve të burgut. Mos gënje se jemi gjallë të gjithë shokët. Edhe operativët që të morën, edhe hetuesit e tu, janë gjallë. Mos flliq dynjanë me rrena. Haji ato lekët e burgut që ke marrë dhe mbylle gojën se nuk ke asnjë lidhje me disidentët e antikomunistët. Familje komuniste ke qenë, je betuar në burg për diktatorin si pak kush dhe sot je komunist i flaktë. Mos mashtro miletin plehrë m…”.
Zotëri, zotëri, ju lutëm… zotëri.., vazhdonte të fliste drejtuesja e emisionit ndërsa teleshikuesit dëgjonin piiiiip pipet e sinjalit të telefonit që ishte mbyllë nga ana tjetër.