Ballina Personazh Një bashkëshorte e modelit të lartë dhe figura e përjetësuar e prof....

Një bashkëshorte e modelit të lartë dhe figura e përjetësuar e prof. dr. Shefik Osmanit

(Shkrim-portret, për një çift arsimtarësh, krijues të shquar)

Nga Prof.Dr.Hektor Veshi

Kur seria e botimeve, me krijimtari shkencore pedagogjike etj., të shkruara nga Prof. Dr. Shefik Osmani po zgjatej, kaloi mbi dhjetë, dikush e pyeti të shoqen e tij: Ku po i gjeni forcat (?), e nderuara Urti, ajo u përgjigj, afërsisht: “Edhe unë nuk e di! Po shtytësi më i vendosur për nismën ishte shoku i ngushtë i tij, i moshës e i shkollës,doktor, që një ditë ma propozoi nismën dhe unë i thashë “nuk mundem; nuk jam as e zonja!. As mosha, rreth 85 vjeçe, nuk më lejon?!” “Nuk do, jo nuk mundesh!”- nguli këmbë ai dhe iku në Durrës, gjasme, i pakënaqur me mua…”.
E prekur në sedër, po, natyrisht nga dashuria në çift, aq e admirueshme nga të gjithë sa i kanë njohur, zonja Urti ia nisi vërtet krijimtarisë: Kërkimit, gjetjes, sistemimit, shtypjes dhe botimit, në vëllime me tematikë orientuese shkencore-pedagogjike, të të gjithë krijimtarisë së profesor Shefik Osmanit, e cila filloi qysh nga viti i largët 1942 e vazhdoi për 70 vjet, deri më 2012, kur, ai u nda nga kjo jetë.
E gjithë vepra e saj, për të, familjen e punën, përmblidhet në njëmbëdhjetë vëllime. Përveç “Fjalorit të Pedagogjisë”,vepër e parë, e madhe, origjinale e solide e Prof.Sh.Osmanit, e vlerësuar lart, si për përmbajtjen edhe për paraqitjen e saj.
Këto ditë, dikush e kishte pyetur, zonjën Urti Osmani-“Mësuese e Popullit”, tashmë në vitin e 90-të të jetës: “Me se po merresh?” “Nuk di çfarë të bëj!?…”- ishte përgjigjur. Nënkuptimi, për këdo, është se ka dëshirë, ka edhe mundësi, duke e mposhtur moshën, lodhjen aq të madhe, që kërkon korrektesa në përgatitjen e librave. Por gadishmëria tregon pafundësinë e dashurisë për ish- bashkëshortin, me të cilin është ndarë prej korrikut 2012, atëhere kur ai ishte afër aq, sa ajo ka moshën e saj, tani. S’ke ç’thua! Grua, bashkëshorte, bashkëpunëtore dhe vijuese e veprës së tij, mësuese në rolin e edukatores së brezave,fillimisht, pastaj përmes dijes, autore e teksteve mësimore dhe ndihmëse e bashkëpunëtore e të shoqit, në të gjithë krijimtarinë e shkruar.
Krijimtaria e tyre, secila më vete apo si çift, me autorësinë e të dy bashkëshortëve të rrallë, arrin në rreth 75 vëllime! Një enciklopedi e gjerë dashurie familiare e bashkëshortore, pedagogjike e psikologjike. sidomos për shkollat e ciklit të ulët e speciale, për te mesuarit në shkollat shqipe jashtë vendit, për ndihmë në koregjimin e shqiptimit të disa tingujve e fjalëve nga nxënësit, për historinë e edukimit e shkollimit, për kulturën islame, për filatelinë si mundësi e zgjerimit të dijeve, për nxitjen e talenteve në fusha të krijimtarisë shkencore e letrare etj. Dhe, më kryesorja, për dashurinë ndaj Atdheut, gjuhës shqipe, traditave mbarëkombëtare, pavarësisht ndarjeve administrative politike të shqiptarëve etj etj. Krijimtaria e tyre zë vend me dinjitet, krahas asaj të personaliteteve të tjerë të shkollës e të pedagogjisë shqiptare dhe i shërben, si burim i pafund dijesh, personave që do të vijojnë punën, mësues e drejtues të shkollave dhe, veçanërisht, studiuesve shkencorë, në qendër ose në rrethet e vendit.
Shumë persona, që iu kanë rënë në dorë këto libra, miq, shokë, bashkëpunëtorë, ish-nxënës, personalitete të shkencave të ndryshme, sidomos të shkollës e të pedagogjisë sonë, i kanë shprehur me fjalë ose edhe kanë shkruar, me vërtetësi e admirim, zonjës Urti, për punën e bërë. Disa prej tyre gjejnë edhe veten aty, përmes veprimtarive, brenda e jashtë vendit, me Prof. Dr. Shefikun dhe, në vijim, me vetë zonjën Urti, gjatë përballimit të punëve për botimet e realizuara.Ndër ato, permendim Bibliografinë dhe Albumin me fotografi, pasqyra të evoluimit e ngritjes së njeriut e personalitetit shumëplanësh e të paharruar, Profesor Doktor SHEFIK OSMANIT.Tiranë, Korrik 2018