Zonat e Mbrojtura më të rrezikuarat tek ne!

Zonat e Mbrojtura, me te rrezikuarat tek ne!

Specialisti i njohur i mjedisit, Taulant Bino, bën një histori të Zonave të Mbrojtura dhe problematikën e tyre në Shqipëri dhe në Botë. Në rastin shqiptar, ai vëren me shqetësim se ato po bjerren përdita si pasojë e moszbatimit të ligjit që lejojnë ndërhyrjet shpesh vandale të njeriut. Një pjesë e mirë e zonave të mbrojtura e sidomos e atyre territoreve që gjenden jashtë tyre, janë sot nën presion të fortë, pohon ai për “JAVA”…

Njeriu është i lidhur ngushtësisht me natyrën, rrjedh prej saj, jeton si pjesë e saj dhe kthehet përsëri në grimcë të saj. Besojmë apo jo në jetën e përtejme, mbetet fakt i njohur se njeriu rrjedh nga natyra sipas ateisteve ose nga balta sipas atyre që besojnë në krijimin. Në fund të fundit, të gjithë besojnë se paçka se kush e krijoi natyrën, njeriu është pjesë e pandashme e saj. E megjithatë jo të gjithë kanë një raport miqësor me natyrën. Madje roli i njeriut në natyrë, raportet e tij me natyrën ndryshojnë në besime të ndryshme, grupime të ndryshme shoqërore, në vende dhe kohë të ndryshme. Ky raport është i rëndësishëm sepse vendos mbi të ardhmen tonë. A do te kemi nesër një planet më të gjelbër dhe natyror apo me pak të gjelbër dhe artificial? Pse duhet të jemi të gjelbër?Pse duhet ta mbrojmë natyrën? Cfarë do të fitonim dhe cfarë do të humbisnim? Këto pyetje e shoqërojnë qenien njerëzore në rrugëtimin e përditshëm, në gjithshka që ai bën për të tashmen dhe të ardhmen.

Unë besoj se natyra duhet mbrojtur e rimëkëmbur. Nuk jam i vetëm në këtë qëndrim. Ka shumë të tjerë që mendojnë si unë sikurse ka shumë më shumë të tjerë që mund të mendojnë si unë por bëjnë të kundërtën.Besoj se kjo tashmë është e qartë për cdokënd.

Një herë e një kohë, kur mundohesha të bindja dikë për rëndësinë e ruajtjes së natyrës ai më dha një shembull të që nuk kishte nevojë për komente. Kur dikush preu pyllin përballë fshatit të tij, fshati u bë menjëherë më i ftohtë. Ajo mbulesë e dikurshme bimore, diku nga lugina e Matit, shërbente si një sfungjer që priste erën dhe nuk e linte të përplasej fort shpatit për të kërcyer më tej e ftohtë akull në fshatin në fjalë.

Besoj se cdokush mund të sjellë raste të tilla nga jeta e tij.Sot ndoshta një pjesë e mirë e njerëzimit është e ndërgjegjshme se vlerat e mësipërme duhen mbrojtur, duhen ruajtur e duhen rimëkëmbur aty ku ato janë shkatërruar.Sot një pjesë gjithnjë e më e madhe e njerëzimit ka kuptuar se e ardhmja jonë lidhet ngushtësisht me mbrojtjen e mjedisit. Ngrohja globale është prova më e qartë se përdorimi i tejskajshëm i burimeve natyrore fosile përfshirë qymyrin, naftën apo gazin, con në ndryshimin e klimës, në rritjen globale të temperaturave, në thatësira të tejzgjatura, në rritjen e nivelit të detit, në rritjen e sasisë së tokave që mbulohen apo do të mbulohen prej detit, në shpeshtimin e ngjarjeve ekstreme të motit, të stuhive me pasoja dramatike në jetë njerëzish, në të mira ekonomike dhe sociale.

Por megjithë rastet e mësipërme do të duhet ende kohë që këto raste të mblidhen dhe të prodhojnë një frymë. Një frymë të ndërgjegjshme që sot ekziston më shumë se dje por që është ende e pamjaftueshme.

Përpara se të flasim per atë cka ne përjetojmë sot do të ishte me interes të dinim si ka evoluar kuptimi ynë për mbrojtjen e natyrës dhe të mjedisit. Njerëzimit i është dashur një kohë e gjatë për të kuptuar pse duhen mbrojtur burimet natyrore dhe natyra në tërësi si dhepër të krijuar një rrymë ideologjike të qartë dhe të fortë për mbrojtjen e natyrës.

Historiku i mbrojtjes së natyrës

Natyra, dje dhe sot, ka pasur dhe ka kuptim e vlerë të ndryshme për grupime shoqërore të ndryshme, për etni të ndryshme, popuj, besime fetare etj. Për europianët dhe kulturën juedo-kristiane, një nga rrymat kulturore që ka dominuar fortësisht botën në thelb dhe formë, natyra ka qenë historikisht një territor që duhej transformuar për të prodhuar të mira materiale.Europianët e lashtë ishin mësuar të prisnin pyjet për të ndërtuar dhe prodhuar, të thanin kënetat për ti kthyer në toka bujqësore.Sipas disa autorëve, ndonëse të debatueshëm, kjo mendësi buronte deri diku nga vetë doktrina e krishtërimit e cila ka një këndvështrim antropocentrik.Pra të qendërzuar tek njeriu. Dhe ky i fundit duhet të dominojë botën dhe cdo gjallesë të saj. Një qasje e tillë ndaj natyrës u vu re dhe në kolonizimet europiane të kontinenteve të reja.Kolonët europiane në Amerikën e Veriut tentuan të prisnin masivisht pyjet dhe të gjuanin deri në shfarosje një numër të madh gjallesash.Ky qëndrim ishte krejt i ndryshëm nga vendasit të cilët kishin jetuar prej shekujsh në harmoni me natyrën.

Ndërkaq, për kultura e besime të tjera përfshirë islamin, budizmin dhe hinduizmin, raportet e njeriut me natyrën dhe mjedisin kanë qenë më të integruara dhe më miqësore. Madje sekte të ndryshme fetare brenda tyre dallohen per frymën thellësisht paqësore ndaj natyrës si dhe adhurimin e gjallesave të ndryshme si pemë apo kafshë.

Por megjithë devijimet e vërejtura, fryma e përgjithshme botërore deri në fillim të 19-të ishte ajo e dominimit të natyrës në favor të njeriut.
Idetë e para për krijimin e një rryme të vërtetë për mbrojtjen e natyrës lindën së bashku me romantizmin në shekullin e 19-të.Shkrimtarët, filozofët dhe piktorët romantik i thurën elozhe natyrës dhe kundërshtuan mbizotërimin e saj nga njeriu.Ata e bazonin kërkesën për mbrojtjen e natyrës tek estetika. Pra duhet të mbrojmë ate cka është e bukur.

Në mesin e shekullit të 19-të kjo ide e madhërisë se natyrës kaloi madje në transhendentalizëm sipas të cilit njerëzit mund të kishin lidhje direkte me botën natyrore dhe shpirtërore pa nevojen e feve të ndryshme. Madje kjo rrymë po shkonte deri në trajtimin e ambientalizmit si njëfe me vete ku njeriu ishte thjesht një agjent përshqetësues i natyrës. Por koha kërkonte një teori më të plotë dhe më të besueshme.

Një rrymë e tillë shkencore dhe etike për mbrojtjen e natyrës lindi në fillim të shekullit të 20-të me Aldo Leopold, pylltar amerikan, ekolog dhe konservacionist.Leopold, sikurse të gjithë pylltarët e asaj kohe, ishte njëkohësisht dhe gjuetar që në jetën e tij kishte vrarë më shumë se një herë gjitarë të mëdhenj si ariu, ujku, luani i malit etj.Por në ndryshim nga gjuetarë të tjerë ai zhvilloi një etikë ekologjike të mbështetur në rëndësinë e grabitqarëve për ekuilibrin biologjik të natyrës.Qysh në fillim të viteve 1920’, Leopold arriti në përfundimin se mbrojtja e pyjeve dhe e natyrës kërkonte domosdoshmërisht një qasje të re.Ai argumentoi se mbrojtja e natyrës ka nevojë për shkencë dhe ndryshim të sjelljes, etikës se vetë njeriut në raportet e këtij të fundit me natyrën.

Leopold advokoi për menaxhimin shkencor të habitateve natyrore në kundërshtim me menaxhimin e tyre thjesht si zona gjuetie vetëm për disa lloje të gjahut.Ai e shihte menaxhimin e jetës se egër si një teknikë për rimëkëmbjen dhe mirëmbajtjen e mjedisit sesa një mjet për prodhimin e gjahut për gjueti.

Që prej asaj kohe lindi rryma konservacioniste, apo e mbrojtjes së natyrës, rrymë shkencore dhe etike si pjesë e lëvizjes ambientaliste/mjedisore mbarëbotërore. Kjo rrymë ndikoi jo vetëm në menaxhimin e duhur të faunës dhe florës por edhe për ngritjen dhe zgjerimin e rrjetit të zonave të rëndësisë ekologjike që shpesh njihen me termin e Zonave të Mbrojtura.

Zonat e Mbrojtura dhe Historiku i tyre

Zonat e Mbrojtura sot janë hapësira gjeografike të përcaktuara qartësisht, të njohura dhe të menaxhuara, me mjete ligjore dhe efektive, për të arritur mbrojtjen afat-gjatë të natyrës së bashku me shërbimet e ekosistemeve dhe të vlerave kulturore.

Sot në botë ka afro 200 mijë zona të mbrojtura, që zënë 14,6% të sipërfaqes tokësore dhe 2,8% të sipërfaqes detare. Ndonëse me një siperfaqe kaq të pakët, ato janë të një rëndësie madhore për komunitetet vendore.Zonat e Mbrojtura ofrojnë ujë të pijshëm për 30 nga qytetet më të mëdha të globit, kapin të njëjtën sasi karboni sa pyjet tropikal të shiut, na sigurojnë ujë dhe ajër të pastër për një shëndet më të mirë, pakësojnë rrezikun e ngjarjeve ekstreme të motit si përmbytjet, thatësirat dhe rritjen e nivelit të detit, rrisin sigurinë ushqimore nëpërmjet rritjes së rezervave peshkore dhe ruajtjes se rracave të vjetra të drithërave dhe sigurojnë shtëpi, punë dhe jetesë për miliona njerëz në botë.

Por në fillim të shekullit të 20-të numri i tyre ishte i pakët ndonëse forma të ndryshme të zonave të mbrojtura kanë ekzistuar që në kohërat e lashta.Në fillim ishin komunitetet e ndryshme të cilat bazuar në tradita pagane apo fetare shpallnin të mbrojtura vende të caktuara.Në Indi ky fenomen shfaqet që prej më shumë se 2000 mijë vjetësh ndërsa në Europë që prej 1000 vjetësh. Nga sa më sipër format e ndryshme të mbrojtjes së territorit kanë qenë universale.

Por rrjeti modern i zonave të mbrojtura mori origjinën në shekullin e 19-të në Amerikën e Veriut, Australi, Zelandë të Re dhe Afrikën e Jugut.Kjo nismë u ndoq më pas në vende të tjera e sidomos në shekullin e 20-të.

Fillimisht, zonat e mbrojtura kishin vetëm kuptim kombëtar dhe ndryshonin nga një vend në tjetrin. Ky fenomen zgjati deri në vitet 30’ kur u ndërmorr një përpjekje e përbashkët për standartet dhe metodologjinë e përdorur për shpalljen dhe menaxhimin e tyre.
 
Historiku i Zonave të Mbrojtura në Shqipëri

Edhe Shqipëria ka ndjekur pak a shumë këtë rrugëtim.E para Zonë e Mbrojtur për vendin tonë është ajo e Vainit (Lezhë), shpallur në vitin 1942 si Rezervë Gjuetie.Më pas, ky koncept u zgjerua në fund të viteve 1950’ me shpalljen e të tjerave territore si rezerva gjuetie dhe në një pjesë tjetër si Parqe Kombëtare.

Sot Shqipëria ka 799 Zona të Mbrojtura, ku shumica, 750 prej tyre janë Monumente të Natyrës.Siperfaqja totale e Zonave të Mbrojtura është mbi 460 mijë hektarë ose afro 16% e territorit të vendit. Spikasin në këtë rrjet, 15 Parqe Kombëtare me mbi 205 mijë ha ose 7,3% e terrritorit shqiptar. Ndër to duhen përmendur Parku Kombëtar i Dajtit, Divjakë-Karavastasë, Butrintit, Tomorrit, Prespës etj.

Kjo sipërfaqe e territorit, sado e vogël,është streha e shumë ekosistemeve të vyera, e habitateve të vecanta, e llojeve të rralla të florës dhe faunës.Por ndërsa në shumë vende tiparet e natyrës ruhen me fanatizëm, tek ne për fat të keq, duket se po bjerren përdita si pasojë e moszbatimit të ligjit që lejon ndërhyrjet shpesh vandale të njeriut. Një pjesë e mirë e zonave të mbrojtura e sidomos e atyre territoreve që gjenden jashtë tyre, janë sot nën presion të fortë.Ato kërcënohen nga tjetërsimi i territorit për hir të ndërtimeve dhe zhvillimeve pa plan dhe me plan, nga dëmtimi i habitateve dhe ekosistemeve, nga zhdukja dhe reduktimi i shumë prej llojeve të pranishme të bimëve dhe kafshëve.Përballë këtij presioni, shpesh herë autoritetet janë të pafuqishme. Megjithë investimet modestetë kryera kohët e fundit në disa zona të mbrojtura, sërish mungojnë kapacitetet njerëzore në sasi dhe cilësi, mungon infrastruktura e duhur për menaxhimin dhe kontrollin e aktiviteteve si dhe për zbatimin korrekt të legjislacionit mjedisor, mungojnë planet e menaxhimit dhe sidomos burimet financiare për hartimin dhe zbatimin e tyre.

Nga sa më sipër është e qartë se duhetdomosdoshmërishtnjëmbrojtje dhe rimëkëmbje shumëmëefektive për territoret e shpallur si tëZona të Mbrojtura. Por nga ana tjetër ky fakt mjafton për të treguar se gjendja nuk është e mirë dhe për pjesën e mbetur te vendit, pra për atë pjesë që përfaqëson natyrën shqiptare në tërësi.

Ky ndikim nuk ështeë i lehtë për ne. Sepse ne jemi një popull që krenohemi shpesh me natyrën tone. Ne besojmë senatyra ka formuar identitetin tonë, na jep ndjenjën e lirisë, të mosbindjes, të kokëfortësisë, të krenarisë etj. Ne mburremi me natyrën tonë, e quajmë të jashtëzakonshme sepse në pak kilometra distancë kemi gjithshka. Kemi thellësitë detare blu, brigjet ranore, dunat e rërës, grykëderdhjet e lumenjve, lagunat bregdetare, fushat aluvionale, kodrinat me makie mesdhetare, pyjet e dushkut, ahut dhe pishës, kullotat alpine, faqet shkëmbore dhe malet me borë të përjetshme.

Por imagjinoni të mos i kishim më. Do të humbisnim shumë, do të humbisnim identitetin e mbi të gjitha shërbimet qe natyra na i ka ofruar prej kaq shumë shekujsh. Ndaj të mbrosh natyrën është një arsye më shumë për të qenë shqiptarë te mirë.