(Duke shijuar vëllimin poetik “Uji që është ujë”)
Ka poetë që bëhen të tillë në kushte e rrethana të caktuara. Poezia e tyre është e kultivuar, pjesë e edukatës, lule aromatike rritur në kushte artificiale. Të tillë janë të shumtët. Ka të tjerë, më të paktë, që lindin poetë, e kanë në gjak limfën poetike, janë mëkuar me të, jetojnë dhe vdesin me të.
Kjo lloj poezie jeton gjatë, kapërcen vitet, mbetet e freskët.
Në kohën e Bajronit dhjetë mijë fatkeq në Angli tentuan të bëheshin poetë. Shkruan vargje pa fund, u lëvduan nga bashkëkohësit dhe siguruan trofe të lakmueshme, por shpejt u harruan bashkë me vargjet e tyre. Mbeti Bajroni që u anatemua, u përbuz, nuk mori medalje. Mbeti se ai ishte poet i lindur, vargjet i qarkullonin nëpër damarë.
Besoj dhe shpresoj se Lida Lazaj, kjo zonjë e poezisë, i përket grupit të dytë. Mjafton të lexosh vëllimin e fundit me poezi për të ndier tharmin e saj poetik. Përtej problematikës së zgjedhur, apo formës së përkryer, vargjet mbeten në kujtesë për ndjesinë që krijojnë kur i lexon dhe mesazhin gjithë kohor që përcjellin. Hera-herës të krijohet përshtypja se vargjet e këtij vëllimi i ke ditur qysh më parë, poetja vetëm sa t’i sjell në kujtesë.
Në vargje zonja Lazaj cek elemente të fshehura prapa detajesh të parrokshme nga vëzhguesi i rëndomtë. Poezitë janë natyra e personalizuar prej syrit të saj, e shkuara dhe e sotmja, prindërit që nuk jetojnë më, familja e përkryer, Dardha, ky vendi i Perëndive, njeriu që, edhe pse fare i zakontë, rrezaton mendim. Te vëllimi poetik “Uji që është ujë” autorja shpalos historinë e vjetër e të re të vendlindjes së saj.
Një histori korrekte, e paretushuar, mbresëlënëse.
Vëllimi është një tog poezish të frymëzuara. Teksa trokasin mbi lëvozhgën e ashpër të kohës, që ikën aq shpejt, si pa u kuptuar, poezitë e Lidës të shtyjnë ta duash jetën, ta shijosh gjer në pikën e fundi, të kapesh me thonj e me dhëmbë pas çdo çasti.
Në çdo kohë dhe çdo moshë.
Dhimbja vjen e freskët, me ngjyresa të llojllojshme, tingëllima të spikatura. Kujtimet për ata që s’janë më, shoqet e hershme të fëmijërisë, rrugët ku ka baritur dhe njerëzit që ka njohur mbushin me prush të përshkënditur vargun e tjerrë me stil dhe elegancë.
Figuracioni i rastësishëm, ndjenjat e buta plot finesë, nën thënia e brishtë e grup fjalëve apo vargjeve plotësojnë opusin poetik të Lida Lazajt, që vjen para lexuesit poete dhe psikologe, mësuese dhe filozofe, adhuruese e natyrës dhe ndjesive njerëzore.
Lida Lazaj, kjo zonjë e poezisë, e zotëron vargun si një kalorëse e regjur zotëron pelën hergjele.