Pas shumë vjet përpjekjesh, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) më në fund e mori atë që dëshironte me çdo kusht kur dy vjet më parë u bë anëtare e plotë e FIFA-s, duke u mirëpritur në këtë organizatë që numëron më shumë se 200 vende anëtare.
Anëtarësimi në FIFA nënkuptoi se Kosova, që ende po lufton për njohje nga Kombet e Bashkuara dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, mundi të konkurronte për një vend në Kampionatin Botëror, që përfundoi dje dhe u mbajt në Rusi, shkruan sot “Koha Ditore”.
Përderisa Përfaqësuesja e Kosovës do të ishte e mirëpritur në këtë turne në rast se do të siguronte kualifikimin nëpërmjet eliminatoreve, e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për flamurin e saj. Kjo për shkak se flamuri i Kosovës nuk ishte i dëshiruar në Rusi gjatë kohës së botërorit (14 qershor – 15 korrik).
Flamuri – që bart hartën ngjyrë ari të Kosovës nën gjashtë yj të bardhë në një sfond të kaltër – është një prej disa flamujve të ndaluar në stadiumet ku u mbajtën ndeshjet e botërorit nga organizatori i kësaj ngjarjeje. Në fakt, flamuri i Kosovës është i vetmi i një anëtareje të FIFA-s që nuk u lejua të shfaqet në 12 stadiumet në Rusi. Flamujt e tjerë të ndaluar nuk janë të vendeve anëtare të FIFA-s.
Ai i Kosovës është listuar si flamur i ndaluar në një dokument prej shtatë faqesh, përkrah flamujve që përfaqësojnë territoret e panjohura ndërkombëtarisht dhe organizatat e lëvizjeve separatiste. Flamuj të grupeve terroriste, si Shteti Islamik, gjithashtu janë përmendur në dokumentet për këtë ndalesë (BotaPress, 16 korrik 2018)