Presidenti Donald Trump ka thënë për një kohë të gjatë se do të dëshironte të përmirësonte marrëdhëniet me Rusinë. Ai do të ketë një shans për ta bërë këtë të hënën, kur të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin në Finlandë.
Presidenti Trump tha të premten se do ta “pyesë në mënyrë të vendosur” homologun e tij rus Vladimir Putin për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, që është bërë shkak për një hetim federal në Shtetet e Bashkuara, hetim që zoti Trump e quan një “gjueti shtrigash të manipuluar”.
“Unë mendoj se kjo me të vërtetë e dëmton vendin tonë”, tha Presidenti Trump në një konferencë shtypi në Britani pas takimit me Kryeministren Theresa May. “Me të vërtetë i lëndon marrëdhëniet tona me Rusinë. Mendoj se do të kemi një shans për një marrëdhënie shumë të mirë me Rusinë dhe një shans shumë të mirë, një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin Putin,” tha ai.
Zoti Trump tha se ai nuk parashikon një moment ballafaqimi dramatik me zotin Putin në lidhje me këtë çështje. Ai parashikoi ndërkaq se Presidenti Putin do të vazhdojë t’i mohojë akuzat.
Donald Trump është në ndalesën e dytë të turneut të tij evropian.
Çfarë pritet nga takimi i dy udhëheqësve botërorë?
Ndalesa e parë e Presidentit Trump në samitin e Natos në Bruksel ishte e tensionuar pas kërkesave që presidenti u bëri vendeve evropiane për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen.
“Kemi Naton, vizitën në Britani dhe pastaj Putinin. Do të thosha se Putini mund të jetë takimi më i lehtë nga të gjithë”, tha presidenti.
Nuk është e qartë nëse takimi i presidentit Trump me Vladimir Putinin do të rezultojë në ndonjë marrëveshje konkrete. Por ka disa fusha ku presidenti ka sugjeruar se mund të punojnë së bashku, përfshirë Sirinë, ku Moska po mbështet qeverinë e Bashar Al-Asadit.
Zoti Trump thotë se dëshiron t’i tërheqë trupat amerikane nga Siria, por është i shqetësuar për ndikimin iranian atje.
Ka pasur gjithashtu pikëpyetje nëse presidenti Trump do të njohë zyrtarisht aneksimin e Krimesë nga Rusia – diçka që vetë ai refuzon ta përjashtojë si mundësi.
“Çfarë do të ndodhë me Krimenë? Nuk mund të them gjë për momentin, por nuk jam i kënaqur rreth çështjes së Krimesë”, tha ai.
Por ndoshta pyetja më e rëndësishme është nëse zoti Trump do të tërheqë mbështetjen ndaj aleancës evropiane të sigurisë, gjë që do t’i bënte shumë vende të vogla evropiane të pambrojtura ndaj një agresioni të mundshëm rus.
“Ato shtete që nuk kanë aftësitë e tyre të mbrojtjes në një nivel që do të ishte i mjaftueshëm, që janë duke u mbështetur në aftësitë e NATO-s dhe vendeve të tjera anëtare për mbrojtjen e tyre, ato janë me të vërtetë të shqetësuara”, thotë Jyri Raitasalo, i Universitetit Finlandez të Mbrojtjes.
Megjithë fjalimet e tij të ashpra për t’i bërë vendet anëtare të NATO-s të paguajnë më shumë për mbrojtjen, presidenti Trump nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për të reduktuar mbështetjen amerikane për NATO-n. Por ka shumë njerëz në Evropë që shtrojnë pyetjen nëse ai do ta bëjë këtë së shpejti.