Anton Çetta, studiues i folklorit (Ose: mbi ideologjinë e mohimit)

Nga Prend BUZHALA – Kosovë

– Mbi figurën shumëpërmasore të Anton Çettës, në vëllimin “Anton Çetta figurë poliedrike e kulturës shqiptare”, botim i Institut Albanologjik të Prishtinës, Prishtinë 2011. Nr. faqeve: 376 –

Këto ditë u aktualizua shumë figura e Anton Çettës, për shkak të një busti a përmendoreje që u dashka të jetë ose te hapësirat e Institutit Albanologjik të Prishtinës ose diku tjetër në Prishtinë. Kundërshtarët mbijnë e dalin në sipërfaqe, ashtu, urithshëm. Por kundërshtarët që dalin nga nëntoka për në sipërfaqe, e bëjnë një gabim në kundërshtim me natyrën: urithi nuk e duron dritën, prandaj ai trulloset, humb toruan dhe nuk di kah shkon…
Mohimi i një bust- përmendoreje paska qenë pretekst për të dalë te mohimet tjera.
Sa të panatyrshëm kundërshtarët: tashmë jo të bustit, por të personalitetit e të figurës së Anton Çettës!
Tashmë na vjen një mohim tjetër: Anton Çetta nuk është shkencëtar!
Këtë e thotë një profesor i doktoruar universitar dhe fare nuk reagojnë profesorët e këtij universiteti. Por, për fat, reagoi një studiuese e folklorit nga Instituti Albanologjik. Në gazetën “Koha ditore”, te shtojca e kulturës, shohim të botuar një punim me vlerë të Dr. Arbnora Dushit me titullin “Shkencëtari Anton Çetta” (ajo është studiuese e folklorit në Institutin Albanologjik”).

1.
Pra, studiuesja e folklorit nuk mendon si mohuesi universitar i doktoruar.
A mendojnë kështu edhe studiuesit e elita shkencore e Instituti Albanologjik!?
Për fat të mirë, jo, nuk mendon ashtu!
Dhe nuk kemi nevojë ta përbaltim një institut të tërë, sado që edhe aty kanë ndodhur fenomene kombmohuese!
Dhe për ta argumentuar këtë, solla këtu një prezantim të vëllimit “Anton Çetta figurë poliedrike e kulturës shqiptare”, botim i Institut Albanologjik të Prishtinës, Prishtinë 2011.
Dega e Folklorit e Instituti Albanologjik, ku ka punuar profesor Anton Çetta, ka mbajtur një sesion shkencor më 25 nëntor 2010, me rastin e 90-vjetorit të lindjes dhe 15-vjetorit të vdekjes së prof Anton Çettës. Materialet e këtij sesioni janë botuar e ky vëllim.
Në pjesën e parë të këtij vëllimi (“Artikuj studimorë të Anton Çettës) botohen tri studime të vetë Anton Çettës: “Disa të dhëna për zhvillimin struktural të baladës shqipe”, “Për një ndarje më të plotë të prozës popullore dhe emërtimin e ca llojeve të saj” dhe “Mbi përrallat”. E pra, balada, zhanret dhe përrallat,- janë tri thjerrëzime me akribi shkencore e studimore të Anton Çettës që i ka përzgjedhur redaksia e botimit të këtij vëllimi: Prof dr. Adem Zejnullahu, Prof rr. Zymer Nezir, Prof rr. Myzafere Mustafa, Dr. Leontina Gega – Musa dhe Dr. Arbnore Dushi. Që të gjnithë këta emra janë emra studiuesish të Letërsisë gojore shqipe. Vjen e botuar aty Fjala e Hapjes së sesionit shkencor e Prof. dr. Hysen Matoshit (drejtor i atëhershëm i IAP), i cili vlerëson:
“Anton Çetta, pa asnjë dyshim, bën pjesë në atë kategori personalitetesh me të cilat identifikohen kontribute shumëpërmasore të këtij institucioni me domethënie të veçantë në jetën e shqiptarëve. Duke qenë nëpër dekada pjesë e një institucioni profesional shkencor dhe njëkohshëm një institucion moral kombëtar, Anton Çetta do t’i përkushtohej, krahas profesionit, edhe misionit, i cili dita-ditës e rrëmbente për ta kthyer në njërin ndër veprimtarët më të palodhshëm të vetëdijesimit kombëtar për domosdonë e unitetit në kohë të vështira, dramatike e vendimtare… Çuditërisht, ne sot nuk ia dalim ta përvetësojmë në jetën tonë shoqërore as për së afërmi, kapacitetin e autoritetit moral të Profesorit…” Përmendet projekti i madh i para 60-vjetësh i A. Çettës për trashëgiminë tonë folklorike.
Në pjesën e dytë “Anton Çetta – folklorist”, punimet e tyre shkencore i prezantojnë Sadri Fetiu, Zymer Neziri, Mzyafere Mustafa, Rrustem Berisha, Leontina Gega- Musa, nevrije Bislimi- Ismajli, Zeqirja Neziri, Arbnora Dushi dhe Ismail Doda.
Kështu, Prof. dr. Sadri Fetiu, i cili ka botuar (dhe ka doktoruar) monografinë kushtuar baladës shqipe, thekson se Prof. Anton Çetta është themelues i Degës së Folklorit në IAP. Fetiu veçon studimin e Çettës për baladat, duke ia njohur meritat e sjelljes së nocioneve të reja të studimeve folkloristike, autor që sjell nocione të strukturës poetike mbi studimin e baladës. Zymer Neziri njeh kontributin e Çettës jo vetëm për projektin e tij të madh për botimin e 25 folklorit shqiptar të trojeve etnike nën ish Jugosllavi, po edhe studimet e tij për baladat, eposin dhe anekdotën. Dihet që puna me folklorin nuk është vetëm ajo kabinetike, po sidomos ajo e terrenit (ekspeditat shkencore, zgjerimi i rrjetit të bashkëpunëtorëve e studiuesve).
“Kontributi i Prof. Anton Çettës në mbledhjen dhe studimin e letërsisë gojore” është punimi shkencor i Myfare Mustafës, e cila nënvizon gamën e gjerë të veprimtarive të A. Çettës, zhdrivillon punën e tij në mbledhjen dhe botimin e krijimtarisë gojore, vë në pah studimet e Prof. Antonit në rrafshin teorik për nevoja praktike të materialeve të mbledhura në terren. Interesimet e studimeve të tij për pleqnitë, studimi dhe njohja e personaliteteve të këngëve me tematikë historike, emërtimi i zhanreve (risi studimore Prof. Çettës), si dhe studimet për këngët e dasmës. Autorja ia njeh meritën shkencore Çettës për TIPOLOGJIZIMIN E ZHANREVE (si pleqni, tregim etnografik, apo për baladat si “kangë të dhumbshme” etj). A. Çetta ka futur dhe nocionin lloje minore për format e vogla që i nda në 13 lloje. Mustafa veçon studimet e prof Çettës në studimin e përrallës dhe të zhanreve të prozës, e vlerëson atë si njohës të thellë të baladës, si studiues të personaliteteve të traditës gojore, si studiues të dokeve dhe zakoneve etj. Autorja jep dhe një bibliografi të pasur të studimeve të Prof. Anton Çettës (të botuara te revista “Gjurmime albanologjike, foklor dhe etnologji, si tekste studimore hyrëse te vëllimet folklorike, etj). Po ashtu ajo vështron edhe vëllimin “Kërkime folklorike” të studiuesit A. Çetta.
Me interes është edhe punimi i Prof. dr. Rrustem Berishës “Ndihmesa e Anton Çettës për punën e Degës së Folklorit” e ku theksohet udhëheqja e revistës “Gjurmime albanologjike, folklor dhe etnologji”, mbledhja e lëndës me ekspeditat shkencore në terren, e në fund jep bibliografinë e vëllimeve folklorike që i ka botuar Anton Çetta.
Dr. Leontina Gega – Musa në punimin e saj “Anton Çetta, mbledhës dhe studiues i formave të shkurtra” thekson se si studiues i krijimtarisë folklorike Anton Çetta la gjurmë të pashlyeshme, thekson mbledhjen e materialeve me KRITER SHKENCOR, spikat kontributin e tij në mbledhjen, klasifikimin, sistemimin, si dhe studimin e krijimtarisë sonë shpirtërore. “Shkurtësia e strukturës dhe interpretimit të këtyre formave ishte nj. arsye e rëndësishme e që marrësit me shpejtësi të kalonin pranë tyre pa i vërejtur ose edhe pa ua pranuar vlerën dhe bukurinë e tyre.” Prandaj, shprehja e tyre e ngjeshur dhe studimi i tyre kërkon qasje të veçantë metodologjike, siç janë fjalët e urta, kashelashat ose gjëegjëzat, enigmat popullore, enigmat problemore, pyetje-përgjigjet, prozë zbavitëse fëmijësh, frazeologjizmat, përshëndetjet, dollitë, urimet, ngushëllimet, betimet, kërcënimet, mallkimet dhe gufemizmat. Botimet e tyre Çetta i kishte nisur që më 1959 e të plota këto materiale u botuan te “Proza popullore e Drenicës” I e II (1979). Për këto forma të shkurta Anton Çetta ka bërë përkufizimet e tij studimore te punimi “Për një ndarje më të plotë të prozës popullore dhe emërtimin e ca llojeve të saj” . Autori ka studiuar dhe elementet tjera të këtyre formave, si rimën, cezurën, strukturën e caktuar metrike të vargut, me një. sistem të shprehjes figurative të poezisë etj. Studimet e tilla vijnë pas punës eksploruese në terren.
Nga autorë të tjerë, po veçojmë punimin “Pleqnia lloj i veçantë i prozës gojore” të Prof. dr. Zeqirja Nezirit, duke theksuar se Anton Çetta, “në kohën e konstituimit të shkencës albanologjike e të kohës kur për fatin e saj vendosin studiuesit specialistë shqiptarë, mori guximin të flasë për një mundësi të re të klasifikimit… Në laboratorin e tij të punës doli se tek shqiptarët ekzistonin PLEQNITË si një lloj i veçantë i prozës gojore, i cili funksionon si i pavarur…” Anton Çetta, për pleqnitë thoshte: “Pleqnia ( (të pleqnuarit), ishte një institucion i së drejtës zakonore, e cila përbëhej nga një plak ose grup pleqsh të njohur dhe në prani të dorëzanëve e të dëshmitarëve, zgjidhte disa çështje civile, penale dhe konteste tjera”. Neziri thekson se çështjet teorike ende nuk kanë lëvizur nga ato që kishte ngritur profesor Antoni! Neziri ka meritën se këto përkufizime i sheh të zbatueshme edhe sipas dijeve tjera: të gjuhësisë krahasimtare, antropologjisë, etologjisë, fenomenologjisë, teorisë së perceptimit e të teorisë së informimit e, “si rrjedhojë, edhe në fushën e teorisë së narracionit…Zhvillimi shkencave kulturologjike se treguesi i vërtetë i tregimit gojor është RRËFIMTARI e jo KOLEKTIVI, sepse ky luante rolin e seleksionuesit.”
Nuk është e habitshme, prandaj, përse Anton Çetta, te secila lëndë e mbledhur në terren, figuron edhe emri e mbiemri i tregimtarit apo prej kujt e ka marrë lëndën folklorike në terren!

2.
Te pjesa e tretë “Anron Çetta – pajtimtar”, përfshihen punimet e Dr. Don Lish Gjergjit (“Anton Çetta – efektet e pajtimit të gjaqeve”), Prof. dr. Fazli Sylës (“Edhe një sferë e veprimtarisë së Anton Çettës, ajo në diasporë”), Prof. dr. Shpresa Hoxhës (“Anton Çetta, ikonë e pajtimit të gjaqeve në Kosovë”), Prof. dr. Agron Xhagollit nga Tirana (“Anton Çetta- sfidë dhe histori”), Prof. dr. Lush Culajt (“Gjeneza historike e familjes së Anton Çettës”), Prof. dr. sc. Resmije Kryeziu (“Trashëgimia në labirinth”) Prof. dr. Adem Zejnullahut (“Figura e Anton Çettës në këngët popullore”), Dr. Mehmet Rukiqit (“Popullarizimi i profesor Anton Çettës”).
Ndërkaq te pjesa e katërt “Anton Çettta – orator” spikatin dy autorë që flasin me mjaft kompetencë shkencore e zbërthyese, si Dr. Sabahujdin Cena (“Sharmi oratorik i Anton Çettës në odat e burrave”) dhe ai i Dr. Myrvete Dreshajt (“Profesor Anton Çetta: model i gojëtarisë”).
Pjesa e fundit “Anton Çetta – shkrimtar për fëmijë”, përfshin ligjërimet e Yrjet Berishës, që i bën një analizë veprës poetike për fëmijë “Në prehër të gjyshes”, kurse me mbresa vijnë autorët Hasan Gjonbalaj e Behram Hoti.
Vjen, krejt në fund vijnë Fjala e përmbylljes e Adem Zejnulalhuit dhe një foto-album nga arkivi i familjes.
Vetë titujt e temave tregojnë për shumëdimensionalitetin e kësaj figure.

3.
Do theksuar se kabinetistët që vetëquhen studiues, e kanë të zorshme ta kuptojnë punën e ekspeditave kërkimore e shkencore në terren (të zhvilluar me njëmijë përpjekje, me një idealizëm të pashembëllt), sikundër zhvillohen veprimtari të tilla në fushën e folklorit, etnologjisë, apo arkeologjisë, antropologjisë etj. ndonjë personalitet i ketrave tona mund të quhet, historian i letërsisë, bie fjala, por kur historiani i tillë i letërsisë nuk bën kërkime shkencore nëpër arkiva, nuk zbulon asnjë dorëshkrim a shkrim me interes historiko-letrar etj etj, por e merr punën e gatshme nga të tjerët, atëherë çfarë mund t’i themi?!
Ndonjë i doktorosur, bie fjala, mund të shkruajë për nja njëzet vjet një monografi, duke marrë pagë të majme në Universitet a kabinete instituti, dhe nuk e bën asnjë zbulim dorëshkrimi, asnjë punë kërkimore arkivore, nuk arrin ta japë asnjë sintezë shkencore me vlerë, atëherë ç’i gjen të tillët kritikucë përballë madhështisë së Anton Çettës, kur zërat e tilë na vijnë edhe nga eksponentë të Institutit e q ë nuk janë studiues të folklorit?!
Ende e ruaj një libër të Vladimir Propit, të botuar në Beograd më 1982, me titullin “Morfologija bajke”. Prop ishte studiues nën sistemin stalinist rus.
Përse u pëlqen trabantëve tanë ky studiues rus i kohës së stalinizmit, është tjetër punë. Madje, edhe pikëpamjet për përrallën, i kishte të tejkaluara (meqë ajo vepër është botuar në qytetin e shokut Lenin më 1928), kurse, mendja e çoroditur e pseudo-studiuesve tanë, dëshirojnë të na e paraqesin si studiues “postmodern”!!! Nëse ai ka qenë njëfarë strukturalisti (e kanë bërë këtë studim studiues shqiptarë fare pa e lexuar Propin), atëherë pikërisht për këto struktura i studion jo pa sukses pikërisht Anton Çetta, fare pa u lexuar Prop në hapësirat jugosllave! Edhe shqip Prop na erdhi vonë dhe zuimë ta shpallim kushedi çfarë gjeniu të pazbuluar!
Dhe, të quhet joshkencëtar një personalitet që ka formuar Degën e Folklorit në Institutgin Albanologjik, që ka formuar e drejtuar revistën shkencore “Gjurime albanologjike, folklor e etnologji”, të mohohet veprimtaria shkencore në në hulumtimet e tilla në formën e kërkimeve në terren, apo në atë të ekspeditave shkencore; madje të mohohen edhe studimet e tij që i vlerësojnë thellueshëm dhe lart vetës studiuesit e folklorit; ky mohim nuk flet për moskomperencën ea tij mohuesi në këtë rast; meqë ka pas edhe një lagje që nuk janë studiues të folklorit, kjo flet për njkë ideologji të mohimit, të ngritur pothuajse në sistem! Në sistem tipik oriental, turkoshakësh, që mohojnë edhe figura të tjera shqiptare.
Duke mohuar veprimtarinë e Anton pettës jo vetëm si mbledh folklori dhe jo vetëm si studiue folklori (përmendin me përbuzje termin “pleqnar”, “pajtues” etj), ata duan të thonë diçka tjetër, se folklori është trashëgimi që nuk i duhet kohës sonë, se trashëgimi folklorike kanë vetëm rusët e jo edhe shqiptarët, se ata qës tiuojnël foklotrin, po qes e nuk i binden një rusi (pardon: një “posmodernisti”), ata nuk janë studiues folklori!!!
Kësisoj, nuk është mohuar vetëm Anton Çetta, por e tërë ajo lagje studiuesish të folklorit. Janë poshtëruar barbarisht të gjithë ata, pa dallim!
Mohimet shtrihen gjithandej duke prekur shumëçka nga qenia jonë!
A mund ta akuzojmë,bie fjala, Hasan Mekulin, përse nuk la asnjë libër të botuar dhe a mund ta mohojmë e ai ishte studiues i shquar i letërsisë botërore , po edhe asaj shqipe?!
Tashmë ky mohim ka marrë përmasat e një ideologjie të caktuar!
Ideologjia e mohimit ka kaluar në paranojë të grupacioneve me pretendime intelektuale, që kanë uzurpuar institucionet shkencore, universitare e ato institucionale.
Ideologjia e mohimit të vetvetes është cilësi negative e shpirtit, për shkak të zilisë,
Ideologjia e tillë e mohimit, me pretendimet se është prarojë e shkencës, institucioneve shkencore e universitare, apo e vlerave të kombit, vlerat etike dhe vlerat politike, por në fakt, ideologjia e tillë e mohimit e ha vetveten: duke menduar që janë të paprekshëm, duke menduar që përbëjnë majat e elitës, ata janë rrënuesit më të mëdhenj të dijeve etilitare.

4.
Në fund po theksoj se tashmë ka disa vëllime të botuara nga studiues të profileve të ndryshme. Vlen të veçohet studimi monografik “Anton Çetta – mbledhës dhe studiues i folklorit” i Mr. Nevrije Bislimi- Ismajli.
Ndër këto botime kushtuar Anton Çettës, po përmendim këto vëllime:
1. Behram Hoti: “Anton Çetta, orakull i pajtimit të gjqeve, 1996
2. Aziz Ruhani: “Anton Çetta, miku im”, “Rilindja”, Prishtinë 1997
3. Anton Ceta dhe filozofia e pajtimit të gjaqeve, botoi Botart Tiranë, 2015
Këto vëllime dëshmojnë se ai menjëherë pas vdekjes, u bë pjesë e vetëdijes moderne shqiptare. U bë “pjesë nderimi përtejshkencor” (Hysen Matoshi). Veprat që kushtohen atij, monumentalizojnë veprimtarinë e tij shumëpërmasore.

(15 korrik 2018)