(Fjala e historianit BEDRI TAHIRI në ceremoninë e zbulimit të Pllakës përkujtimore kushtuar Kamer e Murat Loshit në Pemishtë)
Të nderuar familjarë të loshëve të pavdekshëm që sot po i përjetësojmë në mermer!
Përfaqësues të familjes së shenjtë Jashari!
Familjarë të dëshmorëve, invalidë e luftëtarë të UÇK-së!
Përfaqësues institucionalë, mysafirë e gjithë Ju të pranishëm!
Gjithmonë është thënë: Kush nderon historinë, krijon ardhmërinë! Dhe, ne sot, jemi tubuar këtu për ta nderuar një histori të lavdishme, zjarri i së cilës nuk është shuar tash e më tepër së një shekull.
Padalishta, sot Pemishta, e vendosur si portë triumfale midis Drenicës e Dukagjinit, përherë qëndroi kala e pamposhtur përballë stuhive e rrebesheve ogurzeza të barbarise pushtuese. Prushi i Kamer e Murat Loshit dhe i trimave të tjerë, i dogji me asht e rrasht të gjithë ata që provuan ta nëpërkëmbnin nderin e këtyre trojeve të stërlashta stërgjyshore. Pemishta e pushkës çlirimtare dhe e mendjes së ndritur, e besës dhe e bujarisë. Kjo dhunti, u shkon për shtati, pikërisht Loshëve, të cilët paraqesin histori në vete. Ata gjatë gjithë historisë, me gjakun e vet u skalitën në Altarin e Pavdekësisë. Kështu, për jetë të jetëve nuk do të harrohen: Ramë Bajrë Loshi, Sylë Ferat Loshi, Ajkune e Elfije Loshi, Ferat Loshi, Kamer Loshi, Murat Loshi, Zenel Loshi, Zeqir Loshi, Selman Loshi, Imer Loshi, Dan Loshi, Isuf Loshi, Adem Loshi etj.
Mirëpo, në odat e Loshëve të Padalishtës, krahas trimërisë lulëzuan edhe burrëria, bujaria, besnikësia, mençuria. Kështu, fjalës së mençur i dolën zot: Daut Loshi, Hajzer Loshi, Murat Loshi, për të kulmuar me të madhin, Mujë Loshin.
Të nderuar pjesëmarrës!
Historia e Loshëve ka kaluar një shekull jetë. Në vjetshtën e vonë të vitit 1912, një bandë e shfrenuar serbe kishte mësyrë Padalishtën, duke u ndalur pikërisht në shtëpinë e Sylë Ferat Loshit, i cili ishte i prangosur në “Baltën e Runikut”. Ata si të qartur, pasi Selimin 16 vjeçar, e lidhin për dyreku të shtëpisë në katin e parë, marrin turr shkallëve përpjetë për në katin e dytë ku ishin vajzat, Ajkuna e Elfija duke e përgatitur pajën në vek. Ato si luanesha sulmojnë me sëpatë e me pushkën e grabitur i vrasin dy e i treti i plagosur merr ikën. Selimi, pasi lirohet nga të motrat trimëresha, mori pushkën e serbit të vrarë dhe vajti të nipat në Shtuticë. Kur mori vesh edhe për varjen e babë Sylës, vendosi që më mos të binte në dorë të organeve të pushtuesit serb. Doli maleve, bashkë me kushërinjtë Kamerin e Muratin dhe u inkuadrua në Çetat çlirimtare, të prira nga kryekomandanti Azem Galica, duke vepruar kryesisht në malet përreth Padalishtës, Suhagërllës, Stejevcit e Belicës. Ai, arrin ta vras edhe popin e Bajës, i cili qe vendimtar në varjen e babait, por, më vonë tradhtohet nga Budë krimineli…
Mirëpo, kulmi i trimërisë së loshëve arrihet me Kamer e Murat Loshin. Ata, pa humbur kohë vrasin Budë Shipovakun dhe bëhen luftëtarët më besnikë të Çetës kreshnike të Azem Galicës.
Me formimin e Arbërisë së Vogël, çeta e tyre vepronte në vete. Ishte java e parë e marsit, konkretisht 4 mars 1924. Grupi i luftëtarëve: Kamer Loshi, Zenel Loshi, Zeqir Loshi, Murat Loshi, Fazli Çabra, Tush Selmani i Izbicës dhe Mic Tahiri i Kllodërnicës, ishin strehuar në një shtëpi prej gardhi, në Belicë. Xhandarmëria e disa stacioneve i hetojnë dhe i rrethojnë. I pari provon të çajë rrethimin, Fazli Çabra, i cili vritet. Edhe Kamer Loshi, pasi luftojnë gjithë ditën, plagoset në këmbë. Kah mbrëmja vjen edhe ushtria nga Runiku me një top dhe e djegun shtëpinë prej gardhi. Meqë shokët i kishte larguar, Kameri, nuk mërzitej fare. Luftonte e këndonte. Doli jashtë shtëpisë që po digjej flakë dhe u vra ballë për ballë me serbët. Beteja e Belicës u bë frymëzim për brezat e ardhmërisë e Kamer Loshi u quajt “OSO KUKA I DRENICËS”.
Me insistimin e Kamer Loshit të plagosur, shokët e tij (Murati, Zeneli, Zeqiri, Tushi e Mici), veç kishin dolë nga rrethimi dhe natën e bënë në Leçinë, të Ali Ukë Draga. Ata, pasi u furnizuan edhe me fishekë, të cilët Aliu i kishte marrë në Çubrel, te miku Zenë Topalli nga Vitaku, u nisen për në Shqipëri. Por, një javë më vonë rrethohen në Llaushë dhe pas një beteje të rreptë, udhëhequr nga trimi Murat Loshi, çajnë rrethimin.
Pra, protagonisti i dytë i kësaj Epopeje ishte Murat Ferat Loshi. Ky burrë babagjan, i pushkës dhe i fjalës, i trimërisë dhe i besnikërisë, i fushëbetejave dhe i kuvendeve e odave, me veprën dhe shembëlltyrën e vet la nam në gjithë Drenicën.
Pas kësaj ngjarjeje kjo çetë del në Shqipëri, kurse tri familjet e Loshëve, të cilat gjendeshin në llogorin e Nishit të internuara, lirohen dhe nga vetë organet e shtetit, qiten deri në kufi të Shqipërisë, me kusht që ky grup të mos kthehet në Kosovë.
Duke e përmbyllur këtë shkrim të shkurtër, ngase për më gjatë së shpejti del libri “Kamer e Murat Loshi- dy jetë një ideal”, mund të konstatojmë se të gjithë ata që kanë rënë për liri, që nga Millosh Kopiliqi e deri tek dëshmorët e UÇK-së, të prirë nga komandant Adem Jashari, kanë lënë një amanet që rendon mbi ne të gjallët: Atdhedashurinë! Këtë borxh mund ta lajmë vetëm kështu sikur Ju sot, që i nxorët në dritë të parët Tuaj, duke hequr pluhurin e harresës nga figurat e ndritura që nderuan kombin e atdheun.
Lavdi të gjithë të rënëve për LIRI!
Pemishtë, 14 korrik 2018