Me gjithë sagën që po kalon, tranzicioni i vështirë para Brexit, Britania do të dyfishojë fondet që u ofron vendeve të Ballkanit Perëndimor në 80 milionë funte (106.06 milionë dollarë), si dhe po përgatit rritjen e numrit të personelit të sigurisë në rajon që të përpiqen të luftojnë krimin e organizuar. Ky financim do të përfshijë edhe rritjen e kapaciteteve dixhitale të rajonit dhe trajnimit të fëmijëve në shkolla në teknologji.
Me Britaninë e vendosur të largohet nga Bashkimi Europian vitin e ardhshëm, qeveria e Britanisë së Madhe tha se ky vendim, i cili përfshin përmirësimin e aftësisë kibernetike të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimin e pranisë së Forcës Strategjike Rezervë të Pan-Ballkanit, tregon se vendi mbetet i përkushtuar ndaj stabilitetit të rajonit.
“Historia tregon se një rajon i qëndrueshëm dhe i sigurt i Ballkanit Perëndimor nënkupton një Europë më te qëndrueshme dhe më te sigurt,” – tha Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar Theresa May në një deklaratë përpara samitit të Ballkanit Perëndimor dhe disa liderëve europianë në Londër.
Kombinimi i masave në Mbretërinë e Bashkuar që është premtuar gjatë dy viteve të ardhshme do të shohë rritjen e saj nga 41 milione paund në 2018/19 në 80 milione paund në 2020/21 dhe të udhëhiqet nga projekti “Fondi i Konfliktit, Sigurisë dhe Stabilitetit”.
Duke dyfishuar numrin e punonjësve të Mbretërisë së Bashkuar që punojnë në Ballkanin Perëndimor mbi çështjet e sigurisë që prekin Britaninë e Madhe, qeveria shpreson të zvogëlojë krimin në Britani dhe të forcojë reagimin e vetë rajonit ndaj krimit të organizuar dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Grupet e Krimit të Organizuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos nga Shqipëria, kanë një prani të konsiderueshme në Britani të Madhe.
Masat e tjera të përshkruara përfshijnë fillimin e Observatorit të Krimit të Organizuar në Ballkan së bashku me qeveritë austriake dhe norvegjeze.
Do të ketë gjithashtu 1 milion paund të shpenzuara për trajnimin dhe këshillimin për sigurinë kibernetike në të gjithë rajonin, duke përfshirë mbështetjen e drejtpërdrejtë për “Ekipet e Reagimit të Emergjencave Kompjuterike” në Serbi dhe Mal të Zi dhe shkëmbimin e informacionit midis zyrtarëve të lartë kibernetik.
Përmes financimit, Këshilli Britanik gjithashtu do të sigurojë trajnime për fëmijët në mbi 4,500 shkolla, me qëllim të rritjes së shkathtësive dixhitale dhe shkathtësive bazë në të gjithë rajonin.(Monitor)