Athinë, 13 korrik 2018 – Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, e ka vlerësuar si punë “shumë esenciale” negociatat që po zhvillojnë ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Shqipërisë.
“Është bërë një punë shumë esenciale ndërmjet dy ministrave të jashtëm, në një sërë çështjesh që rëndojnë marrëdhëniet e dy vendeve, për dekada. Jemi shumë afër zgjidhjes që ka të bëjë me delimitimin e zonave ekskluzive ekonomike (ZEE), një zgjidhje që i jep avantazhe të rëndësishme palës greke. Nuk dua të hyj në detaje, por kryesisht hap rrugën për delimitimin gradual të ZEE të Greqisë, të paktën duke filluar nga perëndimi që të mundim të avancojmë edhe me vendet e tjera”, ka deklaruar Tsipras, në një konferencë për medie, pas përfundimit të samitit të NATO-s.
Tsipras ka thënë se dy çështjet më të rëndësishme në negociata, përveç delimitimit të kufirit detar, janë edhe ligji i luftës dhe kufijtë midis dy shteteve, por nuk ka sqaruar se çfarë donte të thoshte me termin “kufij”.
“Dy çështjet që kanë mbetur, përveç ZEE, janë ligji i luftës dhe kufijtë, për të cilat ndodhemi shumë afër zgjidhjes. Kemi avancuar deri në një pikë shumë të rëndësishme lidhur me këto çështje, por nuk mund të themi se i kemi finalizuar”, është shprehur kryeministri grek.
“Kemi një zhvillim pozitiv sa u përket ushtarëve grekë që humbën dhe janë varrosur në tokën shqiptare dhe ditët e ardhshme do të bëhet një ceremoni përkujtimore për ta. Kurse ne, nga ana jonë, kemi bërë hapa kundrejt palës shqiptare sa i përket lejes së drejtimit të automjeteve dhe një sërë çështjesh të tjera jomadhore, por të rëndësishme për marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve”, ka thënë ai.
Tsipras e ka cilësuar si “shumë konstruktiv” takimin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili u zhvillua në kuadër të Samitit të NATO-s, në Bruksel.
“Me homologun shqiptar ramë dakord që periudhën e ardhshme dy ministrat e Jashtëm të intensifikojnë përpjekjet e tyre, pa pasur një presion të veçantë, që të shohin se deri në ç’masë do të mund të kemi një zgjidhje pozitive sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë ai, transmeton Oranews. (r.m.)