Ballina Aktualitet Raporti antidrogës italiane, opozita akuza qeverisë

Raporti antidrogës italiane, opozita akuza qeverisë

Në Shqipëri opozita shpërtheu sot në akuza të forta ndaj qeverisë së Kryeministrit Edi Rama pas publikimit të Raportit të Drejtorisë Qendrore të Antidrogës italiane sipas të cilit “Shqipëria është vendi i origjinës së shumicës së sasive të marijuanës që kanë si destinacion tregjet italiane dhe evropiane”.

Raporti Vjetor në lidhje me vitin 2017, theksonte gjithashtu se “importet e marijuanës në Itali janë rritur ndjeshëm duke arritur në vitin 2017 në një rekord të konfiskimeve, mbi 90 ton nga rreth 41 tonë që ishin në vitin 2016”, duke shtuar se “trendi i konfiskimeve në Itali, lidhet me kultivimin e marijuanës në Shqipëri”. Dokumenti i antidrogës italiane vlerësonte se “ për më tepër klanet shqiptare kanë treguar se kanë një aftësi në rritje të menaxhimit në kultivimin e marijuanës dhe trafikimit të saj”. Ndërsa, nisur nga përmasat e trafikut, sipas Raportit “grupet e krimit shqiptar konkurojnë me organizata të tjera kriminale për kontrollin e pjesëve të rrugëve të trafikimit që arrijnë në Itali, si dhe për menaxhimin e rrjeteve të shpërndarjes së drogës .

Nga të dhënat e raportit shqiptarët zinin vendin e parë në rrjetet kriminale të huaja të narkotrafikut të përfshirë në trafikun e drogës me 25 nga 94 gjithësej. Pas tyre vijnë rrjetet nga Gambia dhe Maroku. Në zonat kufitare lidhur me trafikun e marijuanës shënohet edhe numri më i madh i shqiptarëve të arrestuar, 41 persona nga 93 të huaj të ndaluar në kufijtë italianë përgjatë vitit 2017 me ngarkesa marijuane. Por grupet shqiptare nuk e kanë kufizuar aktivitetin e tyre vetëm në trafikun e marijuanës. Raporti i Antidrogës italiane shprehte shqetësimin se “së bashku me ‘Ndrangheta’ në Kalabri, e cila falë një rrjeti kompleksish të lidhjeve ndërkombëtare ka ende një rol kyç në trafikimin e kokainës në Itali, gjatë vitit 2017, dolën në pah, disa grupe të ashpra të krimit të huaj, të përbërë nga shtetas marokene, nigerianë dhe shqiptarë. Veçanërisht këta të fundit, si dëshmi e një hopi cilësor në aftësitë e tyre operative, konkurrojnë me grupimet e tjera kriminale, kontrollin e segmenteve të rrugëve të trafikut në Itali dhe drejtimin e rrjeteve të shpërndarjes në territorin kombëtar të substancave kryesore narkotike”.

“Raporti i antidrogës italiane për vitin 2017 provoi zyrtarisht se Edi Rama ka mashtruar shqiptarët, Europën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur shpalli vitin e kaluar se qeveria e tij e ka hequr Shqipërinë nga harta e kultivimit të kanabisit”, deklaroi sot në një dalje për mediat, deputeti i Partisë Demokratike Gent Strazimiri, sipas të cilit “konkluzionet e antidrogës italiane tregojnë se mbështetja politike për organizatat kriminale të kultivitimit dhe trafikimit të drogës në Shqipëri është rritur para dhe pas zgjedhjeve të qershorit të kaluar”. Zoti Strazimiri deklaroi se “qeveria e Edi Ramës është garant për paprekshmërinë e bosëve të drogës në Shqipëri! Duke përdorur brutalitetin dhe paranë e tyre pistë të drogës, Rama mban pushtetin, pasurohet dhe pastron në ekonomi paratë e drogës”.

E njejta linjë e ashpër u mbajt dhe nga LSI-ja. Kryetarja Monika Kryemadhi u shpreh se “Raporti tronditës i Drejtorisë së Antidrogës italiane demaskon përfundimisht qeverinë shqiptare dhe ndërkombëtarët që heshtën”, duke shtuar se sipas saj “raporti i fundit është dëshmia e qartë e rrënimit ku e ka çuar vendin Edi Rama dhe banditizmi i tij. Askush më parë nuk ka qenë kaq thellë i përfshirë në trafiqe dhe llumin e bandave”.