Konferenca për shtyp e Kryeministrit Edi Rama me Komisionerin për Zgjerimin Johannes Hahn, në Bruksel:
Komisioneri Johannes Hahn: Të dy jemi të një mendimi se përfundimet e qershorit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, i miratuar nga Këshilli Europian, përbëjnë një hap të madh përpara në procesin e integrimit të Shqipërisë. Tashmë kemi një rrugë të qartë që të drejton në hapjen e negociatave të integrimit midis BE-së dhe Shqipërisë në qershor të vitit 2019. Ndërkohë, procesi i reformave duhet të vijojë me një ritëm të shpejtë, ashtu siç ka ndodhur deri më tani.
Mendoj që është e rëndësishme të nënvizoj se jemi tanimë në fillim të një pune të rëndësishme dhe do të jem në Tiranë të enjten e ardhshme për të nisur punën përgatitore për këtë. Kjo është një ambicie sfiduese, një punë gjithëpërfshirëse, në të cilën duhet të shohim në të gjitha drejtimet që përfshihen në 35 kapitujt. Kështu procesi screening është i detyrueshëm, duhet bërë dhe nga cilësia e punës, varet ritmi me të cilin do të ecin negociatat më tutje. Mendoj se gjithçka që do të bëhet në muajt në vazhdim është e rëndësishme për cilësinë dhe shpejtësinë e diskutimeve në vijim.
Kjo është ajo që ramë dakord, që ekipet tona duhet të fillojnë punën menjëherë, edhe përpara pushimeve të verës, për të punuar mbi të gjitha këto drejtime, në mënyrë që të garantohet një analizë e qartë dhe e plotë mbi situatën.
Këshilli ka vënë re gjithashtu dhe ka mbështetur plotësisht se përparimi në reformën në drejtësi është edhe më tutje thelbësor, si në vazhdimin e Vetting-ut, po ashtu, në avancimin e ristrukturimit institucional në këtë sektor, siç është parashikuar në reformën kushtetuese që u miratua në mënyrë unanime nga Parlamenti.
E njëjta pritshmëri mbetet në fushat e luftës kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe krimit të organizuar. Gjithashtu i kam kërkuar Kryeministrit që të vazhdojë masat për të reduktuar fenomenin e azilkërkuesve shqiptarë në BE, por do të doja të shfrytëzoja këtë rast për të përgëzuar vendin dhe liderët e tij për masat dhe veprimet e marra gjatë muajve e viteve të mëparshëm, që kanë sjellë në fakt një reduktim të këtij fenomeni.
Unë mirëpres përkushtimin e Kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij, për të vazhduar përmbushjen e të gjithë objektivave thelbësorë. Nga ana ime, sigurova Kryeministrin që Komisioni do të vazhdojë të mbështesë vendin dhe zbatimin e axhendës së reformave e në të njëjtën kohë, Komisioni, siç është thënë edhe më parë, do të nisë punën përgatitore për të bërë të mundur një nisje sa më të mbarë të negociatave, siç e kemi nënvizuar, vitin e ardhshëm.
Kështu do të mbërrij në Tiranë të enjten e ardhshme, për të biseduar për ato hapa të mëtejshëm që Komisioni synon të ndërmarrë me këtë qëllim. Ndaj pres me padurim të flas për detaje të tjera javën e ardhshme në Tiranë, duke u takuar siç thashë, përsëri me Kryeministrin, qeverinë, figura të rëndësishme të administratës, por gjithashtu, nëse do të ketë kohë, do të përpiqemi të flasim edhe me opozitën. Sepse edhe një herë, flasim për një objektiv kombëtar që ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve në shoqëri, në mënyrë që të përmbushen synimet që ndahen nga të gjithë shqiptarët. Bëhet fjalë për një qëllim të fortë, të qartë, ku të gjitha sferat e shoqërisë bëhen bashkë.
Edhe një herë më shumë, ajo që ka rëndësi është që zhvilluam ashtu si gjithmonë, një takim të frytshëm dhe pres intensifikimin e nivelit të bashkëpunimit tonë në vijim.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit komisioner. Ishte një kënaqësi e veçantë të takohem me ju pas vendimit të Këshillit dhe për të diskutuar sëbashku për të vëmë në lëvizje të gjithë procesin e përgatitjes, procesin analitik, që do të nisë menjëherë. Jam shumë mirënjohës që ju do të vizitoni Tiranën, në ditët e ardhshme, për të filluar dhe praktikisht t’i kthejmë këto 12 muaj në 12 muaj të një pune të vështirë, për të qenë absolutisht gati kur negociatat të fillojnë formalisht dhe të bëjmë pikërisht atë që ju thatë, të fitojmë më shumë kohë duke u përgatitur më mirë.
Unë dua gjithashtu të nënvizoj se ky ishte vërtetë një miratim shumë i rëndësishëm, për ne, i rekomandimit të bërë nga Komisioni, por jo vetëm kaq, ishte shumë e rëndësishme për ne të shikonim 25 vende të luftonin sëbashku për të njohur arritjet e Shqipërisë dhe në të njëjtën kohë të shikonim në fund që edhe ata që ishin më ngurrues të bashkohen dhe praktikisht të dalin me një kompromis të mirë, kështu duke siguruar që ne të mos humbin asnjë minutë e në të njëjtën kohë, edhe ata të mund të merren në një mënyrë më të arsyeshme me opinionin publik në vendet e tyre.
Së fundi, dua të nënvizoj se ne jemi absolutisht gati për procesin analitik dhe presim m padurim të fillojmë në të gjitha drejtimet, duke mbajtur parasysh se do të jetë një punë e vështirë dhe nevojitet të bëhen përpjekje të mëdha për të gjitha hapat.
Edhe një herë dua t’ju shpreh mirëseardhjen në Tiranë, në ditët në vijim, bashkë me ekipin tuaj dhe të ulemi sëbashku për të shtyrë përpara këtë axhendë të integrimit që është kaq thelbësor për vendin tonë, thelbësor për rajonin dhe po aq thelbësor për vetë Europën.