Drenasi së shpejti me liqen të vetin artificial


Lladrovci ka thënë se ky është projekt madhor dhe me rëndësi strategjike, së pari sigurohet uji i pijes për Drenas
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka njoftuar se kjo komunë, së shpejti do ta ketë liqenin e vet artificial.

“Lajm i jashtëzakonshëm për qytetarët e komunës së Drenasit! Sot, mora konfirmimin zyrtar nga Këshilli për Investime, se Komuna e Drenasit do ta ketë liqenin e vet artificial, ujëmbledhësin që është planifikuar të ndërtohet në Vërboc. Falënderoj të gjithë bartësit e përgjegjësive të nivelit qendror dhe zyrtarët komunal për punën në këtë projekt, përkrahjen e këtij projekti, për këtë sukses që Drenasit dhe Drenicës, i ofrohet një portë e re për zhvillim dhe ngritje e mirëqenies së qytetarëve”, ka shkruar Lladrovci.

Tutje, Lladrovci ka thënë se ky është projekt madhor dhe me rëndësi strategjike, së pari sigurohet uji i pijes për Drenas dhe disa fshatra të Drenicës, por përfiton edhe bujqësia, turizmi e fushat tjera prodhuese dhe shërbimeve.

“Gjithsesi, ndikon në ngritjen e cilësisë së jetës, po ashtu, edhe në hapjen e vendeve të reja të punës. Faleminderit të gjithë kontribuuesve për këtë projekt! Gëzuar qytetarë të Drenasit!”, ka përfunduar shkrimin e tij Lladrovci.