Nga Ndue Vatnikaj
4 Korrik 2018 . Vrana, një emër paksa misterioz por edhe i çuditshëm, me një bukuri natyrore përrallore. Një fushë me lloj –lloj bari e lulesh që e ndan në mes një shtrat lumi i vogël, por që i jep një bukuri të madhe. E rrethuar me pyje ahu e male të larta që malet me pyjet sikur i lidhin ortigjet e ladicat e borës dhe formojnë një pamje mahnitëse. Kur qëndron në mes të fushës Vranës je në një amfiteatër gjigand që nuk ngopesh duke shijuar atë mrekulli të natyrës.
Ora 07-oo e mëngjesit më 4 Korrik na gjeti në Fushën e Vranës bashkë me Administratorin e Nikaj Merturit z. Gjevalin Gjeloshaj, me Kryetarin e “Shoqatës Nikaj Merturi Dr. Mhill Gecaj, mësuesin veteran 84 vjeçarin Ndoc Malaj e disa shokë të tjerë pasi në këtë ditë do bëhej hapja e sezonit turistik dhe një ngjarje tjetër me shumë rëndësi të madhe për zonën tonë, inagurimi i fillimit rrugës automobilistike për në fshatin Curraj Epër një ëndërr e kahershme e banorëve të Currajve, por dhe e gjithë krahinës Nikaj Merturit.
Organizatori dhe mikpritësi i kësaj feste Gjovalin Gjeloshi i kishte marrë të gjitha masat që festarët të ndiheshin komod duke rregulluar gjithçka deri në detajet më të vogla. Ishte vendosur një çadër e madhe ku do zhvillohej panairi me gatimet dhe ushqimet tradicionale të krahinës. Mbi 400 karrike për tu ulur festarët, disa çadra të tjera për shërbime të ndryshme, qëndra e zërit përballë skenës natyrore të maleve të Vranës, uji i pijshëm në mes të fushës e tjera detaje deri në perfeksion.
Aty nga ora 08-oo filluan të vinin furnizimet me ushqimet dhe gatimet tradicionale të zonës dhe u vendosën në çadrën e madhe. E çtë shihje?-Mish në hell ( fërlig), byrek, pite, fli, disa lloje ëmbëlsirash, disa lloje djathërash, kos i kulluem e kos i butë (siç i thonë në këto anë), gjalp, mazë, laknuer misri disa llojesh, vezë , çaj mali, arra, lajthi, fruta të stinës si mollë, dardhë, kumbulla e etj. Pijet alkolike si rakia e rrushit, rakia e kumbullës, rakia e manit, rakia e manaferrës, rakia e thanës, rakija e dëllinjës, vëna e bardhe, vëna e kuqe e rrushit me erë, vëna e rrushit zi. Reçelnat e glikot e arrës, kumbullës, manit, manaferrës, mjedrrës, drethezës, dardhës, mollës e fikut të pregaditura mjeshtërisht nga duart e amvisave të zonës. I lashë për në fund ato të dyja që mue më pëlqejnë më shumë dhe janë ndër më të mirat në gjitha trojet shqiptare : Tamëleborën e ftohtë e me shije të jashtëzakonshme që thua të jep jetë kur e shijon dhe kujton se kurrë nuk do ngopesh duke e pirë. Mjaltin e gështënjës e të luleve që janë me cilësinë më të lartë dhe me vlera të mëdha ushqyese e kurative dhe që permenden e kërkohen në gjithë Shqiperinë.Të sistemuera me kujdes e përbukuri, të shërbyera me shumë kulturë nga djem e vajza aq të pashëm e të mrekullueshëm të Nikaj Merturit.
Nga ora nëntë u ndigjuan boritë e makinave, filluan të vijnë festarët. Në të parët festar, mik e mysafir ishte dhe Kryetari i Bashkisë rrethit Tropojës z. Besnik Dushaj, tashmë një figurë e njohur dhe e dashur për gjithë tropojanët. Është Kryetari i Bashkisë që në këto 27 vjet ka bërë më shumë për Tropojën dhe për tropojanët, ka rindërtuar aq mirë qytetin e B. Currit sa mahnitesh kur e viziton, ka punuar shumë në riparimin, asfaltimin e rrugëve automobilistike dhe ka hapur shumë rrugë të reja deri në bjeshkët e lumit Gashit e Sylbicës e tani ka filluar hapjen e rrugës automibilistike për në Curraj Epër që nuk e bënë as 50 vitet e komunizmit as 27 vitet e demokracisë. Besniku është njeriu i thjeshtë, punëtor, i dashur e i respektuar me njerëzit, mundohet t’ua zgjidhë atyre hallet e shumta që kanë, por ajo që të bën më shumë pershtypje është se Besniku do të jetë dhe të mbetet me gjithkënd mik.
Bashkë me Kryetarin e Bashkisë erdhën dhe burrat e nderuar : deputeti i Tropojës z. Isuf Çela dhe Prefekti i Qarkut Kukësit z. Zenel Kuçana.
Erdhën shumë banorë të Nikaj Merturit nga gjithë Shqiperia dhe nga diaspora, erdhën shumë miq e shokë nga Malësia e Gjakovës, shumë vëllezër nga Kosova me në krye Kryetarin e shoqatës “Nikaj Merturi” për Kosovën z. Krist Mulaj. Pjesëmarrja e shumë artistëve Nikaj Merturës dhe grupi i valleve nga Tropoja me koreografët Deli Metalija e Shpresart Memia, me përgjegjësin e grupit z. Can Tahiri i dha një gjallëri të madhe festës. Qëndra e zërit filloi të jepte këngë nga ato më të mirat e këngëtarëve të krahinës. Grupi i valleve interpretonte vallet e bukura të Tropojës që janë në hitet e valleve më të bukura shqiptare.Për herë të parë në fushën e Vranës gjëmoi lodra, krismat e tupanit i alarmuen lepujt, dhelprat, ujqërit e arushën dhe ikën për t’u strehuar në Kaki e Curraj Epër ku së shpejti edhe prej Currajsh do i trembi boria e makinës e do largohen për të gjetur vendstrehime të tjera.
Ora 11-oo Prezantuesit hapin programin e larmishëm artistik të pregaditur enkas për këtë ditë të shënuar dhe i japin fjalën e mirëseardhjes organizatorit dhe mikpritësit Administratorit Nikaj Mërturit z. Gjevalin Gjeloshaj, i cili ndër të tjera falenderoi pjesëmarrësit në këtë festë të përvitshme të hapjes së sezonit turistik, veçanërisht falenderoi Kryetarin e Bashkisë z. Besnik Dushaj për iniciativën e ndërmarrë për hapjen e rrugës automobilistike për në kryeqëndrën turistike të Nikaj Merturit, Curraj Epër . –“Inagurimi i fillimit punimeve për rrugën e makinës për në Curraj Epër është një ndër ngjarjet më të shënuera në këto 27 vite demokracie për Nikaj Merturin ndaj u bëj thirrje gjithë komunitetit të kësaj zone që të japin kontributin e tyre në realizimin e hapjes së kësaj rruge në mënyrë që të hapet sa më shpejt”(theksoi ai).
Në mes të entuziazmit, këngëve dhe të valleve e mori fjalën Kryetari i Bashkisë z. Besnik Dushaj : Mbasi uroi pjesëmarrsit në këtë ditë feste foli për traditat dhe historinë e Nikaj Merturit që ai i admironte pamasë. Pastaj foli për prespektivat turistike të Nikaj Merturit dhe rëndësinë që ka lidhja me rrugë makine e fshatit Curraj Eper si një ndër perlat e bukura të fshatrave shqiptare. Me duartrokitje dhe entuziazëm u prit fjala e Kryetarit kur tha –“Vitin e ardhshëm hapjen e sezonit turistik do e bëjmë në Curraj Epër”.
Fjala e deputetit z. Isuf Çela u ndoq me vemëndje sepse kishte të bënte me kujdesin që tregon ai për të përfaqësuar atë zonë dhe për t’u interesuar për problemet jetike dhe perspektivën e kësaj zone. Edhe ai ishte i mendimit që vitin e ardhshëm sezoni turistik të hapej në perlën e Currajve Epër.
Në fjalën e Prefektit Qarkut Kukësit z. Zenel Kuçana ishte respekti që ai kishte për këtë krahinë dhe angazhimi i Tij për tu kujdesur e shërbyer në mënyrë të veçantë për këtë zonë sidomos për zhvillimin e turizmit veror e dimnorë si një risi e natyrës që Zoti i ka dhuruar këtij vendi të bekuar. “Ndaj edhe unë –tha ai- do jem bashkë me Ju në hapjen e sezonit ri turistik në Curraj Epër.
Me një oratori të pashoqe Kryetari i shoqatës “Nikaj Mertur” Dr. Mhill Gecaj përshendeti të pranishmit në këtë festë si dhe foli për këtë ditë të veçantë shumë të ëndërruar për popullin e Curraj Epër. Ai falenderoi iniciuesit e kësaj inisiative të madhe për të çuar në vend kërkesat e Administratorit dhe shoqatës “Nikaj Merturi” për hapjen e rrugës automobilistike për në Curraj Epër, Kryetarin e Bashkisë z. Besnik Dushaj, deputetin e Tropojës z. Isuf Çela dhe përkrahjen që i ka dhënë Prefekti i Qarkut Kukësit z.Zenel Kuçana. Ai në fund u bëri thirrje gjithë komunitetit të Currajve Epër që të japin kontributin dhe ndihmesën e tyre që kjo rrugë të dalë sa më parë në Sukën e Kishës në Curraj Epër. “Për atë vënd –tha ai- të mrekullueshëm që është admiruar nga çdo vizitor që e ka vizituar deri te Edit’h Durhami , baroni Franc Nopça e deri në ditët e sotme”.
Kolegu im poet nga Kosova Gjok Sokoli recitoi disa vargje shpirti për Kosovën e për Shqipërinë.
Diskutimet u mbyllën nga Kryetari i “Unionitpervendlindjen Curraj Epër” Gjergj Prabibaj, i cili shprehu kënaqësinë dhe falenderimin e popullit Curraj Epër për inisiativën e hapjes së rrugës së makinës dhe shprehu angazhimin e Tij dhe të popullit Curraj Epër për të kontribuar në maksimum me çdo mundësi materiale e financiare që kjo rrugë të përfundojë sa më shpejt. Ai tha –Kam besim se uragani i Currajve Epër ka shpërthyer, ka shumë persona që kanë ofruar ndihmë në vlera monetare dhe së shpejti këtij uragani do i bashkohet i gjithë komuniteti.
Këngë, valle, lojra popullore, recitime, një festë e entuziazëm i paparë. Në mes të këtij gëzimi e hareje Këshilli Bashkiak dhe Bashkia e rrethit Tropojë kanë nderuar me “Certifikatë Mirënjohje” disa këngëtar të Nikaj Merturit si:Zotrinjtë Zef Avdi Mrishaj nga Curraj Epër, Ded Sokol Vukaj e Ndue Marash Mulaj (Ndue Sharkia) nga Shëngjergji (pas vdekjes). Gjithashtu janë nderuar me “Certifikatë Mirënjohje” edhe këngëtarët e pranishëm në këtë festë Bardhok Prabibaj, Nikolin Përpali, Gofile Paplekaj, Prek Mrishaj, Gjok Mulaj e Bardhok Mehmeti.
Një falenderim të veçantë do kisha për grupin e valleve të Pallatit të Kulturës “Dardania” për bukurinë dhe larminë që i dhanë kësaj feste si në intrepretimin e valleve të bukura tropojane dhe në intrepretimin e disa lojrave popullore që e bënë festën më të bukur.
Dita ishte mjaft e bukur, diskutantët brilant me fjalë të zgjedhura e me premtime të mëdha, programi artistik i larmishëm me të gjithë ata këngëtar, instrumentist e valltar të shkëlqyer. Për prezantimin nga unë dhe maestro Prek Mrishaj nuk po flas se kjo ishte pjesa më e thjeshtë e më e lehtë, por dua të them se deri këtu gjithçka shkoi shumë mirë.
Thirrja që iu bë Kryetarit Bashkisë që tu printe të pranishëmve për të shijuar ushqimet e traditës dhe mikpritjen e nikajmërtursve u prit me të qeshura dhe vazhdoi përsëmbari. Shumëllojshmeri ushqimesh e gatimesh, cokrrim gotash e urime me njëri-tjetrin ia shtuan bukurinë festës. Pati edhe supriza: Zotrinjtë Lush Osmani, biznesmen nga Puka dhe z.Gjin Nikleka ofruan ndihmën e tyre me nga një milion lekë të vjetra për rrugën Vranë – Curraj Epër.
Një ditë e bukur, e paharruar do të mbetet në memorien e atyre festarëve pjesmarrës dita e 4 Korrikut në Amfiteatrin Natyror të Vranës. Dy fshatarët e mij Nikoll Zef Qokaj dhe Gjon Ded Vukaj më thanë: Ndoshta kemi përtuar pak me u nisë me ardhë edhe për arsye të moshës, por sot nuk i marrim ka 500 000 lek e me ba veten të pa ardhun në këtë festë dhe thanë fjalët e urimet më të mira për të gjithë organizatorët.
Kjo ishte kronika e një dite të paharruar, ku protogonisti i organizimit dhe i realizimit me sukses të çdo gjëje ishte Përgjegjësi Administrativ i Nikaj Merturit z. Gjovalin Gjeloshaj dhe Kryetari i shoqatës “Nikaj Merturi” z.Mhill Gecaj, të cilëve u uroj suksese në realizimin e çdo inisiative e detyre për Nikaj Merturin.
Mirupafshim ne Curraj Epër!
Fusha e Vranës, 04.Korrik 2018