APATIA DHE HESHTJA E SHOQATAVE NË SHBA KARSHI PROVOKIMEVE TË FUNDIT NË SHAS !

Nga Esad GJONBALAJ – Amerikë

Ka kohë që shoqatat shqiptaro-amerikane me origjinë nga trojet tona etnike nën Mal te Zi dhe me veprimtari në SHBA i ka zënë një gjumë i thellë letargjik  dhe i ka rrok apatia në aspektin e veprimtarisë për çështjen kombëtare. Shumëkush mund të pyet dhe habitet : pse valle heshtin dhe nga çka ose nga kush frikësohen apo a e din misionin e tyre shoqatat tona:

Vite më herët shoqatat tona përmes Këshillit Koordinues të Shoqatave  bashkërëndonin dhe bashkëvepronin aktivitetet kombëtare dhe ishin shembull i rrallë i një përafrimi të pa parë deri atëherë në aspektin kombëtar.  Ishte kohë kur për çdo cenim të te drejtave  të shqiptarëve nën Mal te Zi reagohej dhe veprohej menjëherë . Reagohej ashpër me denoncime publike, por shtrohej edhe ndikim në shtetet tona si në Shqipëri dhe në Kosovë, që të ndërhyjnë me ndikimin e tyre për cenimin e të drejtave te vëllezërve tanë nga autoritet malaziase, qoftë ne nivel të pushtetit lokal dhe apo të atij qëndror.

Ditëve të fundit ishim dëshmitar të provokimeve të klerit ultranacionalist  të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi ndaj shqiptarëve autokton në lokalitetin  Shas afër Ulqinit, me pretekst të kinse mbajtjes së një liturgjie fetare. Për të penguar këtë veprimtari ilegale në themelet e kishës mesjetare shqiptare të Shën Gjonit në Shas kishin dal disa dhjetra shqiptarë (katolikë e myslimanë) me vetëorganizim dhe kanë merituar  çdo lavdatë për veprimet e tyre atdhetare aq më tepër kur dihet se klerikët qëllimkëqinj kishin ardhur me mbrojtje policore.


                             Pamje gjate ballafaqimeve te shqiptarëve me klerikët serb ne Shas

Mosreagimi dhe heshtja e diasporës lidhur me këtë provokim është e pajustifikueshme sepse diaspora e në veçanti shoqatat mision kryesor të tyre kanë dhe duhet ta kenë atdhetarinë.

Ne anën tjetër të medaljës, për herë te parë Këshilli Nacional  i Shqiptarëve në Mal të Zi ishte në krye të detyrës duke reaguar lidhur me rastin konkret dhe duke qenë në krye të  misionit të cilin e ka obligim  dhe duhet ta ketë.

Edhe pjesa dërmuese të partive tona politike  ishin të vonuara dhe të mangëta në reagimet e tyre.

Shoqatat, gjegjësisht kryesitë e tyre duhet të zgjohen nga gjumi dimëror dhe mos të gjejnë vetëkënaqësinë e tyre vetëm në projekte të natyrës financiare por të veprojnë me mentalitet pragmatik dhe vizionar në aspektin kombëtar, respektivisht të mbrojtjes së kombit dhe të trashëgimisë tonë kulturore.

Mosreagimi i shoqatave nuk është në interesin e komunitetit sepse dihet se historikisht shoqatat dhe organizatat e tjera  shqiptare ne mërgim gjithnjë preambulë të aktiviteteve të tyre e kanë pasur  dhe duhet  kanë realizimin e qëllimeve  për kauzën  kombëtare.

Esad GJONBALAJ – Portali “Plava e Gucia Sot”

Kjo eshte nje kishe tjeter ne Shas perndryshe njohur si Kisha e Shen Maris