Ka përfunduar edicioni I 6-të I Manifestimit Letrar Ndërkufitar “Muzat e Alpeve 2018”, I mbajtur me 6, 7 dhe 8 korrik në Gjakovë, Ulqin dhe në Krujë. Dita përmbyllëse e manifestimit u mbajt në frymën e Vitit të Skënderbeut, me ç’rast Çmimi për Vepër Jetësore “TEUTA” në Krujë iu nda shkrimtarit të mirënjohur nga Kosova, Nazmi Rrahmanit.
Pas Gjakovës dhe Ulqinit, dita e tretë e Manifestimit Letrar Ndërkufitar “Muzat e Alpeve 2018” vazhdoi në Krujën e Skënderbeut duke filluar në hollin bashkisë më një ekspozitë fotografie në hollin e Bashkisë së Krujës, me hapjen e ekspozitës se fotografit shqiptaro-amerikan Aleks Selimajt “Motive nga Kruja e Skenderbeut”. Drini Masha, këshilltar për kulturë në Bashkinë e Krujës iu uroi mirëseardhje shkrimtarëve “në qytetin e kombit shqiptar, aty ku vepra e Skënderbeut është edhe epopeja më e madhe e krenarisë dhe e ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Jemi bashkuar sot bashkëkombës nga të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarë duke sjell identitetin tonë nëpërmjet artit pamor, gjuhës dhe fjalës shqipe nga poetë, shkrimtarë fotografë e aktorë. Ndaj, ky është një ogur I mirë se pavarësisht ndarjes së shqiptarëve politikisht e në shtete, ne bashkohemi gjithmonë për të kujtuar veprën e Heroit tonë, në qytetin tim dhe tuajin; në Krujë!”
“Muzat e Alpeve”në frymën e “Vitit të Skënderbeut”
Për peshën artistike të fotografisë së Aleks Selimajt, foli shkrimtari, aktori dhe regjisori I mirënjohur shqiptar Xhevat Limani, hulumtimet dhjetëvjeçare të të cilit rezultuan me poemën dramatike Gjergj Kastrioti Skënderbeu. “Fotografi Aleks Selimaj është një personalitet i cili ndau dritën nga terri, sepse te regjistrosh gjurmët e kohës për të mbetur në analet e historisë gjurmët e qëndresës së një populli duhet një shpirt i veçantë. I lindur në Plavë-Guci, si shumë të tjerë e deshi fati që në tokën e bekuar të gjej vendin për të realizuar talentin e vet, në ShBA. Sepse, syri i Aleks Selimajt është i veçantë dhe ai po shkon gjurmëve të fotografit shqiptar Gjon Milit i cili la gjurmë të pashlyera në historinë e fotografisë botërore. Sepse, Aleks Selimaj me dashurinë apo kryeatdhedshurine e tij dhe ambiciet e veta do te dëshmojë shqipërisht nëpërmjet fotografive që flasin dhe prezantojnë dinjitetshëm atdheun e vet, Shqipërinë”-tha Limani. Ndërsa, Alex Selimaj, në fjalën e tij të shkurtër tha se ndonëse talenti I tij nuk është në oratori por në fotografi dhe persekutimi vazhdueshëm ndaj popullit të tij në Plavë-Guci ka ndikuar që kombin ta mbaj në zemër, ai theksoi se”edhe vetëm një ekspozitë në jetë po ta hapja, atë do ta bëja në Krujë”.
Rrahmanit Çmimi “Teuta” në Kalanë e Krujës
Pas një ecje të shkurtër nëpër ambientet e Kalasë së Krujës, pjesa e dytë e manifestimit vazhdoi në sallën e Muzeut Historik Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ku arti skenik, pamor, poezia, kumtesa e çdo detaj tjetër nëpër këtë ngjarje në gjin të Krujës lidhej me frymën e kryeheroit kombëtar shqiptar në ktë Vit të Skënderbeut. Studiuesi Xhevat Lloshi në kumtesën e tij dëshmoi se njohja e emrit të Skënderbeut nuk njihte kufijtë por shpërndahej si një legjendë si dhe nëpërmjet librit të tij më të ri dokumentoi se si heroit shqiptar ndër shekuj I njihej e I këndohej emri deri tek shtetet nordike. Përderisa, Monologu për Skënderbeun interpretuar nga ikona e artit skenik shqiptar Xhevat Limani, përçonte mesazhin e fuqishëm të heroit legjendar të shqiptarëve për t’u mbajtur t’bashkuar në një flamur, që Shqipëria të mos shembet kurrë”.
Kurorë e përvitshme e manifestimin letrar Muzat e Alpeve është Çmimi për Vepër Jetësore “TEUTA”, e cila kësaj radhe kaloi në duart e shkrimtarit të shquar nga Kosova Nazmi Rrahmani, duke e radhitur kështu krahas laureatëve të tjerë: Jevrem Berkoviq, Dritëero Agolli, Ramiz Kelmendi, Moikom Zeqo dhe Miras Martinoviq, I cili ia dorëzoi Rrahmanit Çmimin e “Muzave të Alpeve 2018” duke thënë ndër të tjera se:
“Çmimi “Teuta”dallon nga të gjitha çmimet e tjera sepse për të nuk lobohet, atë nuk e kërkojnë shkrimtarët por ajo I kërkon shkrimtarët, gjegjësisht veprat e tyre. Nuk ka propozime të jurive klasike, por bordi I asociacionit propozon dhe për këtë votohet, kështu që s’mund të gabohet në përzgjedhje. “Teuta”është një çmim autentik I cili zgjedh shkrimtarët autentik dhe që të 6-të laureatët e tij kanë vepra autentike. Kështu ishte deri më tani dhe kështu do të jetë edhe tash e tutje”.
Berisha: “Rrahmani s’është përshkrues as kopjues por është krijues”
Përderisa në arsyetimin e Çmimit për Vepër Jetësore “TEUTA”-2018, prof.Dr.Anton Nikë Berisha iu kujtoi të pranishmëve se Nazmi Rrahmani botoi romanin “Malësorja” (1965), kur në Kosovë ishin botuar vetëm dy romane, (“Rrushi ka nisë me u pjekë” (1957) dhe “Karvani i bardhë” (1961), për t’u pasuar në vitteit e ardhshme me romane të tjerë si: “Tymi i votrës së fikur”, “Toka e përgjakur”, “Pas vdekjes” si dhe më 1978 romanin “Rruga e shtëpisë sime”.
“Rëndësia e Nazmi Rrahmanit si romansier nuk lidhet vetëm me faktin se ai është ndër krijuesit (lëvruesit) e parë të romanit në gjuhën shqipe në Kosovë, po veçohet edhe si mënyrë shqiptimi dhe si vlerë shprehëse komunikuese. Në romanet e Nazmi Rrahmanit shqiptohet bota konkrete, që në qenësinë e saj është dramatike dhe tragjike. Ai nuk është përshkrues dhe kopjues i jetës së përditshme, po është krijues i saj. Edhe pse shqiptohet një botë e tillë e stërmbushur më vuajtje dhe pësime, brenda saj ruhet qenësia dhe identiteti kulturor e kombëtar, aftësia e përballimit të vështirësive edhe atëherë kur njeriu frymon dhe është më afër vdekjes sesa përjeton jetën e mirëfilltë. Qëndresa e personazheve të romaneve të Nazmiut është e jashtëzakonshme; sa më shumë që ata vuajnë dhe pësojnë aq më shumë bëhen të qëndrueshëm. Çdo vdekje i kthen kah jeta dhe kah të gjallët, për të cilët vuajtja bëhet më e madhe se sa për të vdekurit”. (arsyet.i “TEUTES”,nga prof.dr. Anton Nikë Berisha.
Rrahmani: ”Çmimi “TEUTA”privilegj dhe detyrim”
Ndërsa, shkrimtari I mirënjohur shqiptar Nazmi Rrahmani tha se, Çmimi për Vepër Jetësore “TEUTA” sa është privilegj për të po aq është edhe detyrim duke kujtuar kohërat e errëta në të cilat filloi karrierën si shkrimtar për t’u ngritur në njërin ndër emrat më të njohur dhe më të lexuar të letërsisë shqipe dhe më gjerë.
“Letërsia atëbotë ka qenë e ndarë deri në përmasa tragjike dhe asnjë autor nga Kosova s’kishte mundësi të lexojë që është krijuar në Shqipëri sikurse asnjë autor nga Shqipëria s’ka dit çka është krijuar në Kosovë. Dhe prandaj ka qene edhe fatkeqësi e kësaj letërsie e cila ka mbijetuar e shkëputur edhe pse ka qenë një tërësi. Megjithatë, unë dua të shpreh kënaqësinë se një periudhë e tillë ka kaluar dhe tanimë pavarësisht se ende ndjehen pasojat e atyre viteve, tashme është gjendje krejt tjetër dhe kemi mundësi të krijojmë, të njohim dhe natyrisht edhe të lexohet letërsia që krijohet në këto shtete. Për çmimin falënderoj shoqatën “TEIUTA” dhe sigurisht e konsideroj si një privilegj të madh”.
Ekspozita“Motive nga Kruja e Skënderbeut”I mbetet qytetit të Krujës
Karvani I shkrimtarëve “Muzat e Alpeve 2018”, u larguan duke lënë fotografitë e ekspozitës me motive nga Kruja e Skënderbeut dhuratë për këtë qytet të bekuar prej të cilit doli kryeheroi i shqiptarëve. Përderisa vitet që vinë do të hapin shtigje të reja njohjesh e miqësisë ndërmjet shkrimtarëve të cilët të mbledhur rreth emrit të mbretëreshës Teuta, do të vazhdojnë misionin e tyre nëpër qytete të tjera të trekëndëshit kufitar Kosovë-Mal I Zi-Shqipëri.
Realizimin e “Muzave të Alpeve 2018”e mundësoi Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Republikës së Kosovës, pasuar nga Bashkia e Krujës, Komuna e Ulqinit, komuna e Deçanit, komuna e Istogut si dhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e komunës së Gjakovës.