Ia njoha zërin sapo tha alo. Në vesh më kumboi skena e teatrit Migjeni, së cilës i mungon qe njëzet vjet. Ymer Bala paskesh ardhur dyfish në Shqipëri. Fizikisht dhe me një rol të ri. Zgjedhur vetë, pa regjisor. Me librin e tij: “Me skenën, pa skenën”.
Aperitivi: detaje plot ngjyresa të fëminisë. “Mësuesi i violinës na binte lehtë në kokë me harkun e violinës, kur stononim në nota, e na thoshte “Kërtollë, kërtollë!””.
Si nëpër një pus të trazuar, luhatet profili i dridhshëm i artistit, pa makiazh. Në kohën e “fletëve të nderit” e “fletërrufeve”, të “luftës së kllasave” dhe “taloneve e radhëve gjarpëruese pa mbarim”. I artistit dhe i njeriut. Emër i mirënjohur i artit, Bala ndalet te të tjerët, fisnikërisht. Pjetër Gjoka, Naim Frashëri, tragjikë vezullues. Tano Banushi: “më dridheshin gjunjët kur interpretoja krah tij, por ai më merrte me vete, ma bënte të lehtë”. Çesk Zadeja, gurgullon muzikë dhe humor. Kujtim Spahivogli, viktimë e të qenit njeri në një sistem kundërnjeri.
Në sfond, dhimbja që kaploi vendin pas Luftës së Dytë. Qytetin e tij e ngulfati më fort. Shkodrën e shqiptarisë, të dijes, të artit. Të punës, të tregut. Të gazmendit. Një tjetër poemë mjerimi ia zbehu fytyrën, ia zmadhoi sytë. Si quhej i deleguari? Kush e mban mend. Ata “që vinin nga lart ishin të tërë njëlloj, visheshin njëlloj, flisnin njëlloj, qeshnin – megjithëse rrallë – njëlloj”.
Qytetar Shkodre, s’e harron humorin. Zuri një krap mbi dymbëdhjetë kilesh, midis brohoritjeve të “kolektivit” peshkatar. “Ju betohem për kryet e atij krapi, nuk rrej!”.
Nëpër rreshta zdrit nderimi për familjen. E ka bekuar Zoti, mban gjallë vlerat e shoqërisë. “-Hë, nanë, a jam ba djalë i mirë? -Të njohin shokët, more bir!”.
A mund të jesh artist pa ndjeshmëri të lartë për gjuhën? Ka luajtur nëpër filma, me teatrin Migjeni ka shetitur Shqipërinë (përfshi Kosovën). Diku flasin për një degë lisi që “asht shkye”, një malsor ndërhyn. “Jo bre zotnitë e Shkodrës. Shkyhet nji copë beze a pëlhure, dega e pemës shkapet”. Dega ka qenë e kapur në trungun e lisit, është shkapur! I dhemb thellë bjerrja e gjuhës shqipe. Varfërimi artificial i saj.
Ymer Bala jeton në Amerikë. Kurrgjë s’i mungon atje përveç… Përveç Shqipërisë dhe skenës.
I mungojnë duke i pasur thellë brenda vetes.
Kallëzon çiltërsisht ky libër.
Nëpër faqet e tij përvijohet një artist – njeri.
Dhe një njeri – artist.
Mehmet ELEZI
09 korrik 2018