Ballina Personazh Zemra e doktorit të zemrës

Zemra e doktorit të zemrës

Nga Ramiz LUSHAJ

Dr. Sali Berisha ka një zemër të madhe, aq të madhe sa më duket sikur nuk ka as krahëror. E, përndryshe: me më pasë fjala rranjë e majë po e risjell në shkronjim, përtej thercave të politikës së ditës, një thënie të thuktë të “Balzakut shqiptar”, shkrimtarit dardan Sulejman Krasniqi, Laurant i çmimit të Republikës, kuvendue në mars 1994 kur ishim sëbashku mysafir nderi në Oborrin Mbretëror Shqiptar të Mbretit Leka Zogu I në Afrikën e Jugut: “Unë e kam mik Sali Berishën. Nuk e di sa ma ka ai mue. I jam mirënjohës se si mjek më ka shpëtue jetën…Për diçka jam i sigurtë: me ia “ça” zemrën Sali Berishës aty do të gjeni Shqipërinë Etnike”.

Sali Berisha është mjek i njoftun i zemrës, shkenctar dijetar i saj e, në krahasim analog, të dy i ngasin njani-tjetrit për nga funksioni, për nga fuqia…
Për ma tepër vet Sali Berisha është një “zemër” e kohës, një nga zemrat e kombit prej kaherit e përtej sodit. Po me një ndryshim: zemra, pothuaj tana herët rrinë fizikisht e trupnisht në të majtë, po tek Sali Berisha ajo tashma rreh në të djathtë, vetëm në të djathtë.

E, me që fjalen e kam tek zemra bio, deshta me fol për valvulat e saj tek Sali Berisha. A e dini pse? Krejt politika e majtë pushtetare e tashtit, këta të majtit e sotëm në vargavijë etër e bijë, po duen me e përdorë Sali Berishën si “valvulë shkarkimi” për paarritjet, mëkatet e rrokullimën e vet. E, këta po kujtojnë se po ia mbrrijnë kësaj, po nuk janë ka e kuptojnë se vet, vetëvetja e tyne politike, karriket e tyre pushtetnore, janë tue u kthye në “valvulë shkarkimi” prej lumenjve të dizinformimit e mosrealizimit programor politik e ekonomik të tyre, prej makutërive e mëkateve të shumë prej atyre me “jaguar” e kollare të pushtetit, prej rënies ekonomike shumplanëshe e rritjes së përditshme të zemërimit popullor…Po, dr. Berisha, si doktor i zemrës, ma mirë se shumkush e dinë se valvulat kanë një mision të madh: ato e sigurojnë mrekullisht e automatikisht rrjedhën në një drejtim të gjakut në zemër dhe e parandalojnë rrjedhën në drejtim të kundërt. E kjo, përtej moralit politik e afër të vërtetës të ditës, vlen sigurisht dhe për Partinë Demokratike, për liderin e saj historik Sali Berisha, për lidershipin e ri të PD…

E, Sali Berisha nuk ka pse me thanë tana herët: “…I mbaj të gjitha përgjegjësitë vet”, pasi qeverisja presidenciale, kryeministrore, e PD-së, e lidershipit të tij historik, nuk janë vetëm të tijat, po gjithsecili pushtetar politik e ekzekutiv të marrin përgjegjësitë e veta, të gjithë liderët e popullit e populli lider ka peshën e vet.

Zemra e Sali Berishës në lartësitë e kohës, të karierës, të viteve të moshës dekades së tetë, po ka ndonji nostalgji të (pa)kuptueshme, si për disa ministra kabinetor që zemra iu ka rreh me prurje gjaku veç për veti e, tashti, me çfardo “dialize politike” nuk mund të jenë prapë flamurtarë pasi “flamurin” e kane lanë dhe na e lanë disa herë rrugës, si më 1997 apo 2013 e, pse jo, dhe më 2015, e duhet ta dijnë e ta mësojnë vendin e prijës e të ndejës në të parakohshmet zgjedhje të 2016-tës.

Ma mirë se shumkush dr. Berisha e dinë fort atë parimin e zemrës që gjaku kur e furnizon trupin me oksigjen e ushqyes e jep ndihmën e vet në heqjen e mbeturinave metabolike. Disa ministra e të tjerë zyrtarë kësish, janë për “polifoto” e jo t’i kemi ende foto në tribuna politike të ditës, (para)elektorale, etj.

E, për mos me ma kungulleshë ndokush fjalën, po them se kurrkush nuk po lyp “t’i flakim”, po ata, disa sish, nuk janë flakadanë për udhë, veçse le t’i japin zjarr prushit demokrat pa i qit’ ujë, pa ja vonue e rrallue drutë…Le ti lanë dhe le t’i lamë ata dhe shumkush prej nesh të punojnë e të na drejtojne dhe demokratet e rinj, me lidershipin e ri Lulzim Basha.

Sali Berisha ka dy zemra; një zemër që rreh në gjoksin e tij dhe një tjetër që rreh në gjoksin e kohës panshqiptare, në muskujt e venat e saj. E para, zemra e tij bio, ajo vetjake, po rreh me mjaft vitalitet në ecjen e tij me sakrifica, sfida, triumfe në ballë të kohës në ndrrimin e sistemeve e të shekujve, në hapësirat e demokracisë e të Shqipërisë Etnike. E dyta zemër e tij, ajo në gjoksin e kohës, ka me rreh dhe në pasjetën e tij, në historinë e kombit e rrugëtimin e politikës, në gjurmët e kohës së sotme e në genet e breznive.

Edhe zemra ka “revolucionin” e vet në trupin e njeriut, të Sali Berishës, të secilit prej nesh. Po Sali Berisha po e kalon krejt jetën në “revolucion”, jo vetëm në 90-tën, jo vetëm në ’97-tën, jo vetëm në vitet 2000, po edhe sot, në 2013 e në 2015, edhe nesër, më 2016. Kjo jo për faktin historik se europianët (patjetër dhe ne – shqiptarët) pas çdo revolucioni nuk shkojmë në shtëpi si amerikanët, po rrijmë prapë në rrugë. Shpesh herë të gatshëm për revolucione, veçse ne shqiptarët më duket se e kemi disi ndryshe, pasi “valvulojmë” me shpërthime, me rebelime. Po ka dhe diçka tjetër krejt esenciale, se komunizmi ynë i nëntorit ’41 e i qershorit ‘91 nuk po dinë dhe nuk po donë me ikë prej tokënisë politike shqiptare, sikur këtu të mos kishin ardhë ndonjëherë në Shqipëri as Papa Gjon Pali II (1993) e as Papa Francesku (2014), po sikur të ishin mshef shpellave të politikës Karl Marksi e Stalini.

Po Sali Berisha nuk mbeti vetëm në disa dekada në revolucion, po Sali Berisha mbeti gjithë jetën e tij njerëzor, sepse Sali Berisha nuk eci vetëm me hapa, po me zemër, me zemrën e tij për Shqipëri, për Kombin e Vet/Tonë, aq sa e thashë dhe në kryefjalë: Sali Berisha ka një zemër aq të madhe sa që më duket se nuk ka krahëror.

Tiranë, 12 dhjetor 2015