Ballina Sport SPECIALE / 10 episodet që kanë tronditur Kupën e Botës…

SPECIALE / 10 episodet që kanë tronditur Kupën e Botës…

Nga E. Lubani – TeleSport

Kampionati botëror është një veprimtari epike, që zhvillohet një herë në katër vjet dhe përfaqëson reklamën më të mirë për futbollin, sporti më popullor në planet. Por jo gjithmonë ka qenë kështu. Më poshtë, “telesport.al”, po ju paraqet dhjetë episode që kanë tronditur Kupën e Botës dhe disa prej tyre nuk do të harrohen kurrë për skandalin që kanë shkaktuar…

  1. Gjyqtari rigoroz…

Me pseudonimin “Libri”, pikërisht për veprimin që bëri, gjyqtari nga Uellsi, Clive Thomas, u bë protagonist në ndeshjen e parë të Kupës së Botës 1978, mes Brazilit dhe Suedisë. Kur kishte kaluar një minutë pas minutës së 90-të, amerikano-latinët fituan një goditje nga këndi, të ekzekutuar nga Nelinho dhe e përfunduar me golin e Zico, por gjithsesi, Thomas vërshëlleu fundin e ndeshjes kur topi ishte në ajër dhe si rrjedhojë goli i Brazilit nuk ishte i vlefshëm. Ai la ekzekutimin e goditjes nga këndi, por në momentin që Nelinho shkelmoi topin ai vërshëlleu fundin e ndeshjes. Menjëherë u nis në shtëpi nga FIFA, pavarësisht se kishte të drejtë, sepse kishin katër sekonda përtej kohës së rregullt, por ky rigorozitet nuk ishte parë dhe nuk u pa më në historinë e futbollit.

  1. Maradona del me doping

Faktikisht perëndimi i Maradonës në Kupën e Botës 1994 nuk ishte një surprizë e madhe për ata që panë mënyrën si ai festoi ndaj Greqisë. Me sytë e tërbuar, që po i dilnin nga fytyra, argjentinasi u shfaq si i çmendur para kamerave gjatë fitores 4-0 në ndeshjen e vlefshme për Grupin A. Pas fitores ndaj Nigerisë, Maradona, që vinte nga 15 muaj pezullim si pasojë e përdorimit të kokainës, doli sërish pozitiv në testimet anti-doping pas ndeshjes ndaj Greqisë. Këtë herë kishte përdorur efedrinë, e cila sipas Diegos ishte marrë pa vetëdije nëpërmjet një pije energjetike që i kishte dhënë trajneri. FIFA nuk e mori parasysh këtë fakt dhe e çoi në shtëpi futbollistin më të madh të të gjitha kohërave.

  1. Revolta e Francës

Franca zakonisht ka pasur disa tragjedi gjatë botërorëve, por ajo që ndodhi në Afrikën e Jugut në vitin 2010 është diçka e paprecendtë. Vera e debatit dhe polemikave të mëdha nisi një natë para ndeshjes së parë të Kupës së Botës, me një sherr të ashpër mes Florent Malouda dhe trajnerit Raymond Domenech. Gjërat shkuan edhe më keq kur në fund të 45 minutave të para të ndeshjes ndaj Meksikës, Nicolas Anelka i tha trajnerit: “Ik q…, ti bir kurve”. Sulmues u pezullua menjëherë nga Federata Franceze e Futbollit. Të nesërmen, futbollistët e kombëtares, me në krye kapitenin Patrice Evra bojkotuan stërvitjen. Pas humbjes në ndeshjen e fundit kundër Afrikës së Jugut, që solli eliminimin, të 23 futbollistët u pezulluan me një ndeshje nga federata, disa prej tyre si Anelka, Evra dhe Ribery u pezulluan me 8 muaj.

  1. Misteri Ronaldo…

Pasi kishte shënuar katër gola dhe kishte dhënë tre asiste drejt rrugës për në finalen e Kupës së Botës 1998, Ronaldo ishte pranë të qenit Pele i ri. Por vetëm 72 minuta para ndeshjes më të madhe të karrierës, emri i sulmuesit u hoq nga protokolli i ekipit brazilian. Lajmi bëri bujë në gjithë botën, por çuditërisht Ronaldo e nisi ndeshjen nga minuta e parë dhe pse gjatë gjithë kohës qëndroi në hije, nuk bëri asgjë dhe Brazili u mposht 3-0 nga Franca. Më vonë u mësua se Ronaldos i kishin rënë të fikët dhe kishte qenë i sëmurë përpara fillimit të ndeshjes, me trajnerin Mario Zagallto që vendosi vetëm pesë minuta para fillimit të lojës aktivizimin e tij. Në këtë moment nisën teoritë e ndryshe kosiprative, ndërsa zyrtarisht është thënë se pati tezaurim nervor. Edhe mjekët e FIFA-s e kontrolluan përpara se të jepnin “ok” për pjesëmarrjen e tij.

  1. Rezultati i fiksuar

Argjentinës i duheshin katër gola për t’u kualifikuar në raundin e dytë të Kupës së Botës 1978 zhvilluar në shtëpi dhe fitoi 6-0 ndaj Perusë. Janë të shumtë ata që thonë se qeveria argjentinase ndërhyri duke korruptuar peruanët. Peruja kishte pësuar gjatë gola në pesë ndeshjet e fundit që kishte luajtur dhe fakti që i pësoi të gjashtë në një ndeshje të vetme i ka shtuar dyshimet. Menjëherë pas ndeshjes 13 të burgosur për arsye politike në Argjentinë u liruan dhe shkuan në Peru. Pati lëvizje të mëdha në llogarinë bankare të federatës peruane, por që u mbajtën sekret nga bankat. Kur kanë kaluar 40 vjet ende nuk ka asnjë provë reale që ajo ndeshje ka qenë e blerë, por të gjithë e dinë se Argjentinë-Peru u luajt jashtë fushe.

  1. Protesta e Kuvajtit

Presidenti i Federatës Kuvajtiane të Futbollit, Al-Ahmed Al-Jaber Al-Sabah, nuk kishte mundësinë të bazohej te VAR në vitin 1982, por gjithsesi bëri një presion të jashtëzakonshëm. Franca po kryesonte 3-1 në ndeshjen ndaj Kuvajtit, kur ata pësuan edhe golin e katërt, edhe pse asnjë prej tyre nuk po lëvizte. Çuditërisht ata pretendonin se kishin dëgjuar një vërshëllimë nga gjyqtari nga Bashkimi Sovjetik. Faktikisht, vërshëllima që ndali lojtarët aziatik kishte ardhur nga shkallët e stadiumit, por kjo nuk e pengoi tërbimin e Al-Sabah, që i nxori lojtarët e tij nga fusha. Presioni i tij funksionoi sepse në mënyrë të çuditshme gjyqtari anuloi golin e Francës, pa të drejtë. Gjithsesi, vetëm pak minuta më vonë, Franca e shënoi sërish golin e katërt dhe këtë herë Sheiku nuk mund të bënte asgjë.

  1. Tragjedia e Gijonit

Ajo që ndodhi në ndeshjen e fundit të Grupit 2 në vitin 1982 ka qenë një nga faqet më të shëmtuara të futbollit. Gjermania dhe Austria kanë pasur gjithmonë një rivaltet të fortë mes tyre, por në këtë rast u bënë më shumë se vëllezër. Nëse ndeshja fitohej 1-0 nga Gjermania, të dyja ekipet do të kualifikoheshin, në dëm të Austrisë. Gjejeni sa doli sfida? Pikërisht ky rast që u quajt tragjedi dhe “mëma” e rezultateve të paravendosura e detyroi FIFA-n të ndryshonte përgjithmonë strukturën e Kupës së Botës. Gjermanët shënuan në minutën e dhjetë dhe më pas për 80 minuta, asnjë prej ekipeve nuk bëri qoftë edhe një goditje drejt portës kundërshtare. Një komedi e paharrueshme, e cila u reklamuar gjatë nga Algjeria. Që nga ajo ditë, ndeshjet e fundit të grupeve janë luajtur gjithmonë në të njëjtin orar.

  1. Harald Schumacher

Veç asaj që ndodhi në Gijon, Gjermania u bë e urryer në Kupën e Botës 1982 dhe për një episod tjetër. Sjellja e portierit  Harald Schumacher ka qenë turpi i futbollit. Një ndërhyje e tij ndaj sulmuesit të Francës, Patrick Battiston, do të mbahet mend si veprimi më anti-sportiv i historisë së futbollit. Çuditërisht portieri nuk mori as karton të verdhë dhe e gjithë bota e futbollit u revoltua. Një sondazh në Francë e nxori Schumacher gjermanin më të urryer në planet, edhe më shumë se Adolf Hitler. Në autobiografinë e tij, në vitin 1987, portieri tha se synonte të kapte topin, por nuk ishte parë dhe nuk është parë më një ndërhyrje aq e ashpër në historinë e këtij sporti.

  1. Beteja në Santiago

Në 1954 ka qenë Beteja e Bernës mes Hungarisë dhe Brazilit, në vitin 2006 ka qenë një betejë në Nuremberg mes Holandës dhe Portugalisë, por asgjë nuk mund të krahasohet me atë që ndodhi në Santiago të Kilit në vitin 1962, mes vendasve dhe Italisë. Nuk ishte futboll, por një dhunë e mirëfilltë, ku gjyqtarit “të shkretë” Ken Aston i doli ndeshja plotësisht nga kontrolli. Leonel Sanchez i Kilit goditi me grusht Mario David dhe më pas gjatë një sherri masiv theu hundën e Humberto Maschio. Shoku i tij i ekipit Honorino Landa bëri të njëjtën gjë me Giorgio Ferrini, në një ndeshje ku policia u fut katër herë në fushë për të vënë paqen. Pikërisht kjo sfidë detyroi FIFA të fuste rregullin e kartonit të verdhë dhe të kuq. Takimin e fituar 2-0 ndaj Kili, komentatori David Coleman e cilësoi “si ndeshjen më të dhunshme, të pakuptimtë dhe të shëmtuar në historinë e futbollit.”

  1. Përshëndetja fashiste e Italisë…

Në vitin 1938, Italia u bë vendin i parë që fitoi dy herë radhazi Kupën e Botës, por lavdia e tyre u zbeh nga sjellja, sidomos në çerekfinalen kundër Francës. Të besuarit e Vittorio Pozzo nuk mund të luanin me uniforma blu, sepse shorti vendosi që Franca do të mbante atë fanellë. Por ata nuk zbritën në fushë as me të bardha, që ishte uniforma e dytë e deklaruar, por luajtën me një fanellë të zezë sterr në nder të “këmisha të zeza”, arma e fashizmit në Itali. Gjatë momenti të himtit ata u kthyen nga diktatori Mussolini dhe bënë përshëndetjen fashiste. Të njëjtin veprim e kishin bërë edhe ndaj Norvegjisë. “Gjyqtari i ndeshjes dhe kundërshtarët na panë me habi dhe tmerr sepse ishte një demonstrim dhune. Ata ulën kokën dhe e pranuan. Në këtë mënyrë e fituam betejën që në fillim. Gjallë a vdekur ai botëror do të ishte i yni dhe të gjithë pjesëmarrësit e dinin,” – do të tregonte më vonë Pozzo.