Kryeministri Edi Rama në Voskopojë. 100 fshatrat si model i integruar ekonomik dhe social i zhvillimit rural, në kuadrin e Programit Kombëtar të Rilindjes Rurale.
Është kënaqësi që jemi së bashku, – jo se duhet thënë, por sepse është kënaqësi, – në një nga pikat ku do të zhvillohet Programi i 100 Fshatrave, që është një model zhvillimi të integruar rural, në kuadrin e Programit Kombëtar të Rilindjes Rurale!
Ne kemi hapur një proces në të cilin duam të përfshijmë një tërësi faktorësh. Zhvilluam një takim të parë me të gjithë përfaqësuesit e vendeve të tjera në Shqipëri, për të tërhequr vëmendjen ndaj këtij Programi dhe për të orientuar fokusin e financimeve të strukturave të ndryshme të bashkëpunimit drejt këtij Programi.
Në këtë takim kemi ftuar disa prej protagonistëve lokalë, por edhe më gjerë që kanë shprehur konkretisht interes për të hedhur sytë nga zhvillimi rural, duke investuar në agroturizëm dhe po ashtu, kemi nisur dhe një proces përfshirjeje të të gjithë forcave të talentuara në rrjetin e universiteteve, për sa i përket, si fillim, planifikimit dhe zhvillimit urban dhe rural dhe sigurisht do të përfshihemi dhe më tutje për të përfshirë dhe angazhuar studentë dhe pedagogë të fakulteteve të ndryshme që të krijojnë një sinergji në funksion të këtij transformimi të konsiderueshëm ku jam shpresëplotë se shumëkush do të shohë një model të prekshëm të zhvillimit të fshatit në Shqipëri.
Jemi në një fshat që me të gjithë fatkeqësitë dhe 3 djegiet e tij, është në një fazë ku shenjat e një zhvillimi të ri janë të dukshme dhe ku nxitja e mëtejshme me instrumentet e Programit të 100 Fshatrave do të sjellë patjetër një zbulim shumë domethënës të të gjitha vlerave dhe pasurive të jashtëzakonshme të Voskopojës.
Projekti i 100 Fshatrave ka një domethënie të rëndësishme, sipas nesh, sepse çon një valë zhvillimi që ka nisur fillimisht në qendrat e qyteteve dhe me aspektet e tjera të trajtuara nga Programi Kombëtar i Rilindjes Urbane, aty ku shpesh jetohet me fatalitetin se nuk ka rrugë dhe mundësi për të ndërtuar mirëqenie reale përmes punës.
Po t’i vini re fshatrat e zgjedhur janë fshatra që kanë trashëgimi kulturore, janë fshatra që kanë bukuri përrallore të natyrës, janë fshatra që kanë elementë të spikatur të traditës qoftë nga pikëpamja ndërtime, qoftë nga pikëpamja e elementëve të ndryshëm të historisë dhe të vetë mikpritjes dhe në këtë kuptim nuk janë 100 fshatra nominalë, por janë zona interesi përparësor për zhvillimin në mjedisin rural, duke krijuar qendërzime prej të cilave të krijohen pastaj valët e shtrirjes së mëtejshme.
Edhe në këtë zonë janë një sërë fshatrash që janë përzgjedhur dhe nëpërmjet agroturizmit dhe inkubatorëve të produkteve tradicionale, ku Voskopoja ka të paktën 3 me nam; mishin, bulmetin dhe sado lehtë që mund ta merrni, besoj që vlen të merret seriozisht, edhe petkat, si dhe rrjetin e dyqaneve të distribucionit të këtyre produkteve nëpërmjet një emërtese të kontrolluar dhe një logoje të posaçme “Made in Albania”, që duam ta përdorim si një instrument përbërës.
Po ashtu programi synon edhe mundësinë e certifikimit dhe të formalizimit të produkteve tradicionale, që deri tani, të prodhuara në kushte shtëpie, nuk kanë pasur mundësinë e certifikimit zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë.
Jemi shumë të bindur, po ashtu, që në të gjithë këtë zinxhir idesh të ndërlidhura me njëra-tjetrën, ka plot elementë që do të shtohen nga ndërveprimi me komunitetet, krijimi në çdo fshat i një grupi përfaqësues të veprimit që do të jetë një pikë referimi për realizuesit e këtij Programi.
Faktikisht, këtu janë bërë bashkë të gjitha agjencitë shtetërore që lidhen me zhvillimin e territorit dhe po ashtu edhe ministritë që janë përfshirë në këtë Program si ministri linje, por me një peshë parësore, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural sigurisht, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Kulturës dhe e kudondodhura Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Kemi folur vazhdimisht, do vazhdojmë të flasim me intensitet për agroturizmin si një instrument zhvillimor i pashfrytëzuar në funksion të rritjes ekonomike dhe përmirësimit të ndjeshëm të kushteve sociale në zonën rurale të Shqipërisë dhe dua ta përsëris edhe sot që është çelur thirrja për të aplikuar për projekte të zhvillimit për bujtinat dhe për hotelet e vogla sipas standardeve të përcaktuara në programin e zhvillimit të agroturizmit, ku qeveria do të mbështesë financiarisht, qoftë familjet që duan t’i kthejnë shtëpitë në bujtina, qoftë ata që duan të investojnë si investitorë në ndërtimin e strukturave të agroturizmit.
Edhe këtu jemi në kushtet kur mund të shohim disa zhvillime që kanë ndodhur dhe që flasin qartë se në këtë rrugë ka sukses ekonomik, në këtë rrugë ka vetëpunësim dhe punësim të sigurtë, në këtë rrugë ka patjetër edhe fitime të konsiderueshme, në raport me çfarë do të mund të fitohej nëse do të ndiqej e vetmja rrugë e ndjekur deri më sot, që është zhvillimi intensiv në bujqësi, apo në blegtori gjë që rezulton e pamundur në shumë zona, për arsye gjeografike, për arsye të traditës dhe për arsye të fuqive të punës në territor.
Voskopoja është tipike edhe për faktin se ka një trashëgimi kulturore jashtëzakonisht të pasur. Një fshat që është quajtur Sikstina e Lindjes me rreth 7 kisha të mrekullueshme dhe me kurorën e Shën Prodhomit ku nuk ka javë që të mos vijnë turistë të huaj, përveçse çdo javë shtohet numri i vizitorëve që vijnë nga Tirana, Durrësi apo zona të tjera të Shqipërisë. Deri tani, mund ta themi se është e vërtetë që aksesueshmëria në gjithë këtë trashëgimi kulturore mbetet ende shumë e kufizuar. Nga ana tjetër, qendërzimi i potencialeve të investimit të integruar, aeroturizëm, agrobiznes, hoteleri turizëm, turizëm kulturor dhe natyror, duke ecur dorë për dore, do të na japin mundësinë që të krijojmë shumë më tepër sinergji, edhe nga pikëpamja financiare e investimeve nga qeveria, nga buxheti, e investimeve që do të vijnë nga rrjeti i donatorëve që tanimë e kemi formësuar në funksion të këtyre fshatrave dhe investime që do të vijnë sigurisht nga sektori privat.
Përfitoj nga rasti që të prezantoj dhe Koordinatoren Kombëtare të programit që është në krahun tim të djathtë, Elva Margaritin, e cila do të jetë si të thuash udhëkryqi ku do të ndërthuren të gjitha këto rrugë që do të sjellin në një drejtim të përcaktuar dhe të orientuar në vazhdimësi, qoftë përpjekjet e agjencive qeveritare, qoftë kontributet e donatorëve të huaj, qoftë edhe interesimet dhe pastaj edhe përpjekjet konkrete në terren të sipërmarrjes.
Edhe një element i fundit, fola për rrjetin e burimeve njerëzore në zhvillimin dhe planifikimin urban dhe për këtë tanimë është ngritur dhe një bërthamë e akademisë së 100 fshatrave ku agjencia jonë e zhvillimit të territorit, e planifikimit të territorit, do të bashkëpunojë me fakultete të ndryshme të arkitekturës, të planifikimit urban dhe me struktura universitare edhe përtej kufijve të Shqipërisë, falë bashkëpunimeve që janë konceptuar me donatorët.
* * *
Dua të ritheksoj një element që ka të bëjë me potencialin e madh që ka programi për të tërhequr investimet e emigrantëve. Edhe në këtë zonë, si në gjithë zonat e Shqipërisë ka shumë njerëz të cilët janë larguar në emigracion gjatë 20 e kusur viteve. Kanë krijuar të ardhura, kanë krijuar kursime, vazhdojnë punojnë shumë fort kudo ku janë dhe kam bindjen se mesazhi ynë këmbëngulës për t’i bërë që të konsiderojnë mundësinë e investimit të kursimeve të tyre në shtëpitë e gjyshërve apo në fshatrat ku ata kanë lindur dhe janë rritur, do të zgjojë interes. Ashtu sikundër është e padiskutueshme që këto investime do të mund të kthejnë mbrapsht në formë fitimi, shumë më tepër se sa çfarë mund të fitohet sot në Greqi apo në Itali, apo në Gjermani e gjetkë nga një emigrant që është një punëtor, nga të ardhurat prej rrogës.
Kjo është një sfidë, kjo është dhe një mundësi e provuar dhe e sprovuar në vende që tek agroturizmi kanë zbuluar shumë e shumë kohë më parë se sa ne, instrumentin për të vënë në lëvizje një pjesë të motorit të ekonomisë që mund të gjenerojë shumë turizëm, që do të thotë shumë eksport e mund të gjenerojë po ashtu shumë të ardhura, në kushte kur duket sikur krijimi i shumë të ardhurave është krejtësisht utopi për shkak të pozicionit gjeografik, për shkak të vështirësive të aksesit në tregjet bujqësore dhe patjetër edhe për shkak të prapambetjes në shumë aspekte, siç është ajo që kemi trashëguar ne në shumë vite.
* * *
Duke qenë se nuk është një takim thjesht për të folur ne dhe për të përcjellë kuadrin e përgjithshëm të një vizioni të ri për zhvillimin rural dhe të një programi tërësisht inovativ për të orientuar zhvillimin rural dhe për të nxitur investimet në fshat, investimet në agroturizëm por është një mundësi për të ballafaquar idetë dhe njëkohësisht dhe për të pasuruar ne këtë kuadër, duke dëgjuar këtu të ftuarit, besoj se organizatorët e programit kanë bërë gjënë e duhur për të bërë një ndërprerje për pak pushim dhe sistemim të atyre fjalëve të marra nga pjesa e parë dhe për të kaluar pastaj në pjesën e dytë, ku ne do dëgjojmë me shumë vëmendje e do mbajmë shënim të gjitha ato që do të thuhen për t’i reflektuar më tutje në kuadrin e përgjithshëm të programit.