NJË RRËFIM PËR QAZIM DUSHKUN

(Nga bashkëmoshatari i tij Ismail Rrahmani)

Burri 85-vjeçar nga Ferizaj, Z. Ismail Rrahmani, nga kujtimet e tij,shkëputi edhe një rrëfim për fillimin e shkollës së parë në gjuhën shqipe në qytetin e tij.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur u hap shkolla shqipe, fati më ra që të jem në klasën e parë që e filloi mësimin me mësues Shaban Vatën, e më vonë me Gjina Karasani. Ndër të tjerë shokë klase kisha Mehmet Begracën, Sali Bajrën, Zef Gjonin, Qazim Dushkun e të tjerët që bënim tridhjetë nxënës.
Por nga gjithë në, Qazim Dushku, që e kisha fqinj të parë, aty ku sot është xhamia e madhe, përtej hekurudhës, kishte një fat të rëndë. Atij partizanët ia vranë prindërit që kur ishte i vogël.
Por qysh si fëmijë, Qazimi kishte një talent të rrallë për vizatim. Ai nga vatra mblidhte copëra thëngjijsh dhe me gjurmët që linin ata në letër, na vizatonte herë njërin e herë tjetrin si të ishim të gjallë. Mjerisht që nuk i kemi ruajtur ato portrete që na i bëntë Qazimi. Çka vizatonte ai e bënte si të ishte e gjallë në letër.
Më vonë, si jetim, Qazim Dushku u martua i ri, me nje grua me dallim dukshëm të madh në moshë me të, por që ajo i ndihmoi të shkollohej dhe të bëhej edhe një këngëtar i madh.
Kështu rrëfen Ismail Rrahmani, me një kthjelltësi të rrallë për shokun e dikurshëm të klasës, duke iu rikthyer fëmijërisë.
Nga Faruk TASHOLLI
(Ferizaj, 6.7.’18)