1. “Ana Karenina”, e shkruar gjatë viteve 1873 – 1877 prej shkrimtarit të madh rus Leon Tolstoi. Vepra hapet me një citat madhështor: “Familjet e lumtura janë të gjitha njësoj, ndërsa familjet fatkeqe janë fatkeqe ndryshe nga të tjerat”. Kjo novelë është një kryevepër e dashurisë tragjike të Ana Kareninës me kontin Vronski, të dy këta pre e një dashurie, që nuk do të marrë kurrë miratimin nga shoqëria ruse e kohës. Kurorëshkelësja Ana Karenina ndjek një rrugë të pashmangshme të shkatërrimit shoqëror dhe shpirtëror. Ajo që e bën librin kaq të pëlqyeshëm për publikun është aftësia e Tolstoit për të balancuar historinë pasionante të Ana Kareninës dhe jetës familjare të Levinit, personazhit që kryen një martesë të thjeshtë, që është besnik ndaj Zotit dhe që i pëlqen të merret me bujqësi. Fillimisht autori u ofron lexuesve mëkatin e ëmbël të Anës dhe më pas i edukon ata me virtytet e Levinit.
2. “Zonja Bovari”, është novela e parë e Gustav Floberit, të cilën ai e botoi në vitin 1857 dhe që konsiderohet prej shumë kritikëve si kryevepra e tij. Prej shumë novelave të shekullit të 19-të, që flasin për shkeljen e kurorës, vetëm zonja Bovari është një personazh shumë i urryer prej vetë autorit të saj. Floberit iu deshën 5 vjet për të plotësuar portretin jashtëmartesor të personazheve të vendosur në provincat e Francës. Në letrat që shkruante për të dashurën e tij, ai ankohej pafund për lodhjen që po i shkaktonin personazhet e novelës dhe se nuk arrinte të gjente paqen e duhur me atë që shkruante. Kur e përfundoi novelën, njihet shprehja e famshme e tij: “Zonja Bovari është e imja”. Shkruar me një stil të mrekullueshëm dhe me personazhe thellësisht të prekshëm, kjo novelë e Floberit dëshmon sesi dëshira për t’u ngjitur sa më lart mund të na nderojë ose shkatërrojë.
3. “Lufta dhe Paqja”, është një roman me katër vëllime, i botuar në vitin 1869 prej Leon Tolstoit. Ai është libri i tretë më i famshëm dhe i lexuar, sipas klasifikimit të revistës prestigjioze “Time”. Mark Tuein është shprehur për këtë libër: “Tolstoi ka harruar të përfshijë vetëm një garë me varka, sepse çdo gjë tjetër që ka lidhje me pushtimin e Rusisë nga Napoleoni në vitin 1812 është këtu”. Tolstoi është ekspert në vizatimin e duhur të skenave të betejave, pasi ai përshkruan ndjenjat personale të qindra karaktereve nga të gjitha shtresat e shoqërisë. Ajo që e bën librin kaq të dashur, është se mes morisë së madhe të personazheve janë edhe tri përshkrime fantastike të princit Andrei, Natashës dhe Pierit, të cilët luftojnë me dashuri dhe përpiqen të gjejnë një mënyrë të duhur për të jetuar.
4. “I madhi Getsbi”, është romani stoli i epokës së xhazit, që pikturon një portret të paharrueshëm të ditëve të kaluara mes muzikës xhaz, xhinit, pakujdesisë dhe pasurisë së vënë lehtë. Ky roman është ndoshta legjenda më e madhe e kërkimit të “ëndrrës amerikane”, e shkruar ndonjëherë. Xhej Getsbi është një milioner i vendosur të fitojë përsëri zemrën e vajzës, të cilën ai e dashuronte dhe e humbi. Në këtë mënyrë ai kthehet në ikonë të mallit e romantizmit, teksa narratori Nick Carroway, në mënyrë brilante, ndriçon periudhën e fundit të Luftës së Parë Botërore dhe dhe mbarimin e pafajësisë amerikane.
5. “Lolita”, një roman nga Vladimir Nabokov. “Lolita, drita e jetës sime, zjarri i trupit tim, mëkati dhe shpirti im”, kështu fillon kjo kryevepër e shquar ruse. Në të flitet për Humbert Humbertin, një burrë i moshës së mesme, i cili bie çmendurisht në dashuri me një vajzë vetëm 12-vjeçare, Dolores Haze. Burri martohet me të ëmën e vajzës dhe kur ajo vdes, ai bëhet babai i Lolitës. Ndërsa Humbert tregon për udhëtimin e tyre me makinë, Nabokov përshkruan dashurinë, fuqinë dhe fiksimin në gjuhë tallëse, guximtare dhe shokuese. Personazhi i Lolitës është kthyer që prej publikimit të romanit në simbolin e vajzave të vogla, që bien në dashuri me burra të moshës së mesme.
6. “Middlemarch”, nga Xhorxh Eliot. Dorothea Brooke është një vajzë e re idealiste, të cilën dëshira për të përmirësuar botën e çon drejt një martese me pedantin e inatosur Kasaubon. Ky gabim e udhëheq atë drejt rrethanave të dhimbshme në kërkim të lumturisë. Novela tregon për kufizimet që shoqëria u bën grave dhe për jetën e mjerueshme të fshatit. Rrëfimi vjen si një kronikë e qytezës së Middlemarch në Angli dhe portretit të një gruaje. Eliot shquhet për analizimin e momenteve të krizës dhe bën që lexuesit të ndiejnë thellë gjendjen e ankthit dhe ndjesinë e zgjidhjes së problemit të personazhit. Simpatia e Dorothea Brooks për personat e papëlqyeshëm e drejton moralin e saj më shumë nga bamirësia sesa nga përbuzja dhe armiqësia.
7. “Aventurat e Hakëlberri Fin”, i shkruar nga Mark Tuein, është romani i një fëmijërie të lumtur për të gjithë ata që e kanë lexuar në vegjëli. Heminguej shprehet: “Çdo roman modern amerikan vjen prej “Hakëlberri Fin”. Për disa ky është romani i aventurave të dy çapkënëve, njëri i abuzuar nga prindërit dhe tjetri një skllav i arratisur, të cilët përpiqen t’u shpëtojnë ligjeve të shoqërisë duke udhëtuar drejt Misisipit. Për të tjerë ky është romani i ashpër satirik, të cilin Tuein e ka shkruar për të treguar ligësinë e diskriminimit racial, fanatizmin fetar, hipokrizinë, lakminë dhe shpërfilljen e shoqërisë ndaj nevojave kolektive. Thjeshtësia e personazheve bën kontrast me jetën e kollarisur dhe kapitaliste, që shoqëria e kohës përpiqej të bënte.
8. “Hamleti”, është drama më e famshme e kohërave e shkruar prej dramaturgut të papërsëritshëm Uilliam Shekspir. Hamleti tregon historinë e një princi të ngarkuar me peshën e rëndë të hakmarrjes për vrasjen e të atit nga duart e xhaxhait të tij, i cili më pas u martua me të ëmën e Hamletit dhe u bë mbret i Danimarkës, duke rrëmbyer kështu fronin e personazhit kryesor. I detyruar nga rrethanat e vrasjes dhe i shtyrë prej fantazmës së të atit, Hamletin e shohim të përfshirë në probleme të rënda të ekzistencës, të cilat Shekspiri i ka pasqyruar aq bukur në shprehjen e famshme: “Të rrosh a të mos rrosh, kjo është çështja!”
9. “Novelat e Çehovit”, u shkruan përgjatë viteve 1860 – 1904. Djali i një robi rus të liruar, Anton Çehov, u bë një doktor, i cili shpesh i kuronte pacientët pa pagesë dhe që më pas do të njihej si shpikësi i novelës ruse. Deri më tani letërsia ruse ishte njohur me mënyra të ndryshme të shkrimit, përgjithësisht të zbukuruara dhe të tepruara. Çehov, nëpërmjet novelave të tij, reflektoi ndodhitë dhe krizat e jetës së rëndomtë. E gjitha kjo nëpërmjet stilit të tij origjinal, imagjinatës së përzier me mëshirën dhe nëpërmjet përshkrimit të paarritshëm. Ai mbetet një mësues i madh dhe një njeri i mençur, vëren Alan Gurganus për “Novelat e Çehovit”, të cilat akoma dhe sot frymëzojnë dhe turbullojnë mendjet njerëzore.
10. “Në kërkim të kohës së humbur”, është një roman me shtatë vëllime i Marsel Prustit. Është puna e tij më e shquar e njohur si për gjatësinë e saj, ashtu edhe për kujtesën e pavullnetshme. Fitoi famë kur në vitin 1992 u përkthye nga frëngjishtja në anglisht prej D. J. Enright nën titullin “In Search of Lost Time”. Prust, me stilin e tij të jashtëzakonshëm, hipnotik dhe të paimitueshëm, arrin të përshkruajë në mënyrë unike ndodhitë e romanit të tij më të njohur.