Nga Ramiz LUSHAJ
1.
“Lisi i shkruar”. Emën të bukur i ka gjet poeti librit të vet poetik. Po kisha me thanë ndryshe: Lis i shkruar është vet poeti ynë, njeriu i mirë, Zeqir Lushaj. Në rrathët e tij njerëzit shkruajnë veç për mirë për kit’ djalosh flokëthinjur të fshatlindjes Gri, burrë i palctë i Malësisë së Gjakovës, zë i rinisë e i urtive pleqnare në letrashkrime të vyeshme, sportist i bjeshkëve e i bregdeteve. Na ka marrë malli për kit lis me rrënjë e degë, i gjelbërt, i frutshëm. Ndaj sa herë ngjitemi e djergemi kujtimeve tona kena qejf me u ndal tek ky lis i kohës. Është lis i lexueshëm. Si gjithmonë. Jetë e mote.
“Lisi i shkruar” është mbajamendja jonë e lashtë dhe e re. Shpesh kena ndalë hapat në rrugë e kena fjalëshkrue emnin tonë apo të dikujt tjetër, lanë një urim…Shenjue vetveten në trupin e listë. Po me shkruejt për lisin tonë, Zeqir Lushaj, tek asht disi e vështirë. Dhe a e dini pse?! Janë të panumërt njerëzit që duan me folë për njeriun e mirë, poetin e brumtë, gazetarin e mjaltë, mërgimtarin e përmalltë, Zeqir Lushaj, që po “dimnon” në Nju Xhersi të Amerikës, në qytetin e kopshtijeve.
2.
“Lisi i shkruar” Zeqir Lushaj vrellon poezi me ndjenjë, ritëm, forcë, që në thjeshtësinë e vet të motiveve jetësore kanë madhështinë e shpirtit të tij poetik njerëzor. Mjaftojnë titujt e gjashtë cikleve të këtij vëllimi poetik për me e kuptue tematikën e filozofinë e poetit në vendlindje, në i/emigrim, në udhëtimet e tij poetike: Flladi i Paqes (cikli i parë). Bashkekzistencë (cikli i dytë). Shpirti prej qelqi (cikli i tretë). Rrembat e gjakut (cikli i katërt). Njerëz që, (më duket se) i kam njohur (cikli i pestë). Shpresa më mban gjallë (cikli i gjashtë). Në vargjet e tij vijnë motive nga gjeo-poezia: lashtësia iliro-shqiptare, Amerika, Tropoja,Lozana në Zvicër, mali i Dajtit, Australia, Struga, lumi i Drinit, bjeshka e Dikçuerit në Gri, Shëngjini, Pogradeci, Prishtina, Alpet Shqiptare, Fierza, Shkodra, Maja Everest, Gjakova, Hasi, Rrashbulli i Durrësit, Gurra e Gjarpnit mbi Çerem, lumi “Mis Valbona”, lugina e Ohrit, Gjallica e Lumës, Qafa e Prushit, Komani, etj. Ky vëllim poetik “Lisi i shkruar” nuk është botim i shpejtë, po përmbledhje e përjetimeve poetike ndër vite, në kapërcyellin e dy shekujve, që nga viti 1976 deri më 2009. Autori në vargjet e tij është edhe epik, edhe lirik, përcjell edhe mesazhe, ban edhe sarkazmë, flet për politikën pa ba politizime dhe për historinë pa ba historizime, etj.
3.
Gria, vendlindja e poetit Zeqir Lushaj, ka plot lisa në truallin e vet: Tahir Sinani, Hero, gjeneral i tri luftrave: në Kosovë, Luginën e Preshevës, Maqedoni; prof. dr. Petrit Malaj, aktor, rektor i Akademisë së Arteve në Tiranë; poeti, dramaturgu, gazetari e pedagogu Skënder Sherifi, që ka botue disa vepra ku vëlimi poetik “Love” u cilësue një nga dhjetë botimet ma të mira në gjuhën frënge për vitin 2008; Ibrahim Kadri Malaj, autor i një korpusi botimesh të tij për vendlindjen si “Tropoja në breza”, “Tropoja ime”, “Bujqësia tropojane ndër vite”, “Tradita etno-kulturore e Tropojës”, “Besimet fetare në Tropojë”, etj;. dr. Nuredin Malaj, që la emër të mirë në Malësinë e Gjakovës, në shëndetësinë shqiptare, etj.; veprimtari Avdyl Matoshi – nënkryetar i Forumit Shqiptar të Kulturës, Edukimit e Shkencës; publicisti e humoristi Xhevdet Malaj, autor i librit “Kur flasin burrat e Malësisë: në rjedhat e urtësisë tropojane” (2003), etj. etj.
4.
“Lisi i shkruar” Zeqir Lushaj është njeri i themeltë, i shoqërisë së madhe, të haptë dhe të qëndrueshme, një bajenderës me mirësi, një njeri me virtytin e mirënjohjes, një veprimtar i shumanshëm e i shumfishtë që ende duhet ta vlerësojnë drejtësisht, ma shumë, ma shpejt, edhe koha e sotme në nivele zyrtare duke i akorduar tituj apo dekorata meritore.
Asokohe, në vitet ’70-‘80 Tirana dukej disi e vogël po të ktheheshim në vendlindje pa e takue patriotin tonë tropojas, Zeqir Lushaj, i cili gjente kohë për të gjithë me i ndrrue dy fjalë miqësisht, me e pi një kafe për qejf, me na ba ndonjë nder me botime në gazeta e revista apo tek puna e tij me rininw, me ndonjë autorizim për biletë autobuzi me u rikthye në Tropojë, etj. Asokohe, kryeqyteti shqiptar kishte pak tropojas, saqë ne i numëronim ata vetëm dy herë me gishtat e dy duarëve, ndaj Zeqir Lushaj ishte, si të thuash, “ambasadori ynë” në Tiranë, ndoshta ma aktivi e ma i miri, bashkë me
Njeriu i mirë, gazetari i njohur, veprimtari shoqëror, poeti i heshtur, Zeqir Lushaj, kishte miqësi të virtytshme me djemtë e talentuar të Tropojës, si me poetët e mirënjohur Skënder Buçpapaj e Hamit Aliaj, me gazetarin e TVSH Ilir Buçpapaj, qyshse këta ishin studentë të Universitetit të Tiranës, me fotoreporterin ushtarak Agim Hajdar Doçi, me juristin Qazim Gjonaj, me poetin e veprimtarin Idriz Bajrami, me poetët Selim Aliaj, Jaho Margjeka, Gjon Neçaj, etj. etj. Nga shoqëria ime (e jona) ndër vite me Zeqir Lushajn ruaj kujtimet ma të mira, kam pasë përkrahje të pakursyer prej tij, dhe, shpesh herë, njerëzit në Tiranë na thirrshin me emrat e njëri-tjetrit edhe në ndonjë rast që ishim të dy sëbashku. Këta na dinin se ishim vllazën apo kusherinj ndërveti, pamvarësisht se nuk kishim lidhje gjaku, ishim në dy fise të ndryshme e nga dy fshatra të ndryshme (Gri e Gegaj) të Malësisë së Gjakovës (Tropojë – Malësia e Mirë).
“Lisi i shkruar” Zeqir Lushaj, prej nga Amerika apo kur vjen në vendlindjen e tij, në Gri, teksa pushon verave në Shëngjin, kur rrinë në metropolin shqiptar në Tiranë, në rrugëtimet në trevat shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, punon për vepra të reja, të cilat i ka në laboratorin e tij krijues, i ka shfaq pjeswrisht në media elektronike etj. dhe presim të dalin së shpejti në dritë, në duart e lexuesve, në bohemën e letërsisë e të historisë.