SEJDI HYSENAJ, TEK NËNSHKRIMI “SHQIPTARËT E AMERIKËS”

1.
Vatrani Sejdi Hysenaj i Gashit të Gurit, përndryshe i shkruem në pasaportën e tij amerikane Sejdi Husenaj, atë ditë qershori 1994, teksa avioni ulej në Rinas të Tiranës i ranë lotë. E loti i parë antikomunistit Sejdi Hysenaj i rá nga syni i djathtë. Se thonë edhe okulistët e mendimtarët: loti i gëzimit vjen nga syni i djathtë.

Ai kishte 45 vite pa ardhë në Shqipëri, në Shqipërinë e zemrës, në truallin e vet amtar, në vendin e tij të shenjtë. Gati një gjysëm shekulli. Nuk është pak. Ishte largue krejt i vogël, fëmijë djepi. Vinte i rritur si të ishte burrështetas, vinte nga shteti ma i fuqishëm i botës – nga Amerika, vinte në të bukuren e të magjishmen moshë të fuqisë së mendjes e zemrës. Bash në ditëlindjen e 46-të të tij.

Loti është edhe për burrin. I bekuar është loti për tokën tande. Ai që mundet të qajnë për mirë mundet të qeshin dhe për mirë. E, kush e ka pá dhe e njef për afër Sejdi Hysenajn e Gashit të Gurit i ka vnue re se ai ecë me të qeshuren e tij. E ka burimore të qeshurën. E ka gëzue jeta. I gëzohet jetës. Ai nuk duron kërrkend me ia prek të Qeshurën. E ka thanë tre mijë vjet ma herët Hipokrati, babai i mjekësisë: ma mirë të ban një orë me të qeshura se sa një shportë me ilaçe. Ai e ka të qeshuren Gash i Gurit, edhe bjeshkë gashjane, edhe Lumi i Gashit. Ai e ka të qeshurën edhe Shqipëri, edhe Kosovë, edhe Shqipëri Etnike. Ai e ka të qeshurën Amerikë. Ai e ka të qeshurën e zemrës së vet, të jetës së vet, të familjes së vet, të kohës së vet.

2.
Sejdi Hysenaj është “djalë Gashi”. Anipse i ka 70 vjet moshë e 700 vjet jetë…Një kangë mbishekullore, “Kanga e Djemve t’Gashit” (“Këngë trimërie nga Tropoja”, mbledhë nga Nuredin Lushaj, botue nga “Ora”, Tiranë, 2003, fq. 65) jehon: “ Ku po del kjo flakë e verdhë / Gashi i Gurit plumb po derdh / Me gjak t’vet armët saritë / Kurr për jetë nuk janë koritë /…/Trima t’fortë, plumb te themra / Si dragoj i kanë shtatë zemra /…

Pra, Sejdi Hysenaj, vjen nga një fis e vis “me shtatë zemra”. Ua ka dëshmue historia edhe Gashit, edhe Sejdi Hysenajt.

Përndryshe, Sejdi Hysenaj, edhe në linjën e gjakut e të tamlit i ka gjyshërit të njohur. Gjyshi i tij, Rexhep Uka është dëshmorë i Monarkisë, i Kohës së Zogut, vra më 1 shkurt 1931 në Bicaj të Lumës në përpjekje me kaçakët e atëherit. Mbreti Zog I, prej 2 marsit 1932, me dekret të tij, iu ka pa lidhë pension familjar. Ky Rexhepi, e ka pasë gruen, Rrushen, nga shtëpia e Rexhë Mehmetit të Geghysenit të historisë kombëtare shqiptare. Bajram Haziri i Rrogamit të Malësisë së Gjakovës, bash baba i nanës së tij, a kanë derë e madhe, oxhak i njohur, kullë e fortë, iu ka njoft fjala, iu ka ndie pushka.

Edhe baba i Sejdi Hysenajt të Gashit të Gurit, Avdyl Rexhepi, nuk e deshti komunizmin enverian, ndaj u detyrue me ikë prej tokës të të parëve të vet, nga vendlindja gashjane. Ka ikë me 7 prill 1939 kah Qafa e Morinës e ka ra tek Hoxha i Morinës të Gjakovës. Në simbolikë kjo do me thanë shumë: më 7 prill 1939 Shqipëria u pushtue nga Italia fashiste. Edhe ardhjen e komunizmit në Shqipëri e shihte si “7 prilli i ri i pushtimit komunist”.

Sejdi Hysenaj është një shqiptar antikomunist. Ai nuk e don komunizmin. Ai ka emigrue prej dekadash, atje larg, në “Planetin Amerikë”, në Tempullin e Demokracisë, në vendin që nuk sundohet prej komunizmit. Atje ka dalë në Amerikë në demonstrata kundër komunizmit, për rrëzimin e komunizmit moskovit, bolshevik, enverian. Ai për diçka është i sigurtë: ka me vdek antikomunist. Edhe ata që e njohin Sejdi Hysenajn janë të sigurtë për këtë. Ai është i bindjes se komunizmi në Amerikë sundimon vetëm kur të vdesin amerikani i fundit.

3.
Sejdi Hysenaj i Gashit të Gurit më thirri në Hotel Tirana International për një kafe mëngjezi. E gjeta në të tretin kat të hotelit, kah veranda. Më priti i qeshur tek tavolina e tij. Ndejtëm do kohë bashkë aty. Edhe kur erdhën një burrë i fismë i Metaliajve, i Jahelezëve legjendë e legjendar të Dragobisë, dhe Drita A. Lamaj, një demokrate e vërtetë, e flaktë, e pathyeshme; nana e të mirit Gerhard në Amerikë. E folëm sëbashku: gjatë, e për mirë.

Pas porosisë së parë po vjen prapë kamarierja. Po vjen mbas pak një kamarier. I ka inteligjent e me kulturë personelin e vet “Hotel Tirana International”. Erdhi prapë një kamariere, e cila dukej ma e vendosur, ndoshta pá diçka habi nga ky kujdes i lartë, ndaj na tha përzemërsisht: – “Kemi porosi nga shefi ynë t’iu shërbejmë me kujdes të veçantë! Çfarë dëshironi…”! E, kush është shefi, pronari i Hotel Tirana International, e din shumkush, edhe në Shqipëri e Kosovë…edhe në Amerikë. Është biznesmeni i sukseshëm Ram Geci, nga Bytyçi i Malësisë së Gjakovës, njeri i virtyteve e vlerave të larta, një autoritet i heshtur, një humanist i njohur. Ai e ka NIPT-in e Hotel Tirana International, po realisht është identiteti i ri i Hotel Tirana International, pasi aty ka ndryshue shumçka për mirë e shpejt, nga brenda e jashtë, nga kultura e shërbimit e nga shërbimet. Aty, tek Hotel Tirana International të duket se “hynë në Europë”, se “shkon në Amerikë”. Aty janë dy kulla të larta në nji të vetme: kulla fizike “Hotel Tirana International” dhe kulla tjetër e saj, kulla morale e shpirtërore “Ram Geci”.

E, pse fola do gjatë për Ram Gecin, po ua them shkurt: Ram Geci me jetën, arritjet e personalitetin e tij është një “barometër” i demokracisë, i kohës…, që nuk i rrinë kurrkujt nën hije, në hile, që rrinë në lartësinë e vet, që dinë kujt e kur me dhanë nderime e mirënjohje. Burrave që i njeh mirë e për mirë, burrave si Sejdi Hysenaj i Gashit të Gurit dhe i Amerikës, burrë që nuk ia ka interesin kurrkujt dhe ka punue gjithmonë për interesat kombëtare shqiptare në Amerikë e në Shqipëri, për Amerikë e për Shqipëri. Kanë kod të lartë burrnie Burrat e Mirë të Malësisë së Gjakovës. Burrninë lartnore, shpirtin e vet të pastër, e kanë të paren pasuri të tyre, të kahershme, të përjetshme. Ata janë edhe Shkëlzen, edhe Valbonë.

4.
Vatrani atdhetar Sejdi Hysenaj është një nga njerëzit e komunitetit shqiptaro-amerikan që ka luftue gjithnjë e gjithmonë për të forcue urat e miqësisë historike në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Shqipërisë. Për çka e ka dekorue edhe Presidenti Bujar Nishani me dekretin nr. 9083 të 30 prillit 2015. Ai ka njohje e lidhje të mira me senatorë, kongresmenë, diplomatë e zyrtarë amerikanë. E, në takime e biseda me ta, kudo e kurdoherë, e ka kryefjalë: Shqipërinë, interesat kombëtare panshqiptare.

Atdhetari Sejdi Hysenaj ka qënë në ballë të demonstrative shqiptare në Amerikë për Çështjen Kombëtare Shqiptare në vitet ’80 e ’90 të shekullit të kaluar. Ai ka dhanë kontributin e tij shqiptar për kombin e vet.
Ky veprimtar atdhetar ka dhanë kontribute edhe në ngritjen e Shtatores së Heroit të Kosovës, Shaban Polluzhës në Drenicë, dhe deri të Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari, shtatorja e të cilit përurohet kësaj vjeshte të vonë në vendlindjen e tij, Tropojë (Malësi e Gjakovës).

Sejdi Hysenaj në bisedë më flet me vlerësim të lartë për prof. dr. Sali Berishën dhe për dr. Ibrahim Rugovën, se si këta dy burra të shquar të kombit shqiptar nuk e harruan kurrë diasporen shqiptare në Amerikë, e nderuan e vlerësuan atë, e kujtuan atë, iu kanë dhanë mirënjohje atyre. Ai i ka takue shpesh edhe në Amerikë apo në Shqipëri prof. dr. Sali Berishën. (ish)Presidentin Bujar Nishani, liderin e ri të PD e Opozitës Lulzim Bashën. Edhe kohët e fundit. Asnjëherë, asgjë personale, vetjake. Gjithmonë për Kombin, për Demokracinë.

Sejdi Hysenaj i Gashit të Gurit e ka nusen e tij, Shaken, nga Sinanajt e Bytyçit, nga fisi i sojshëm i Bytyçit. Motra e tij, Kadire Hysenaj është martue në derën e njohur të Byberajve të Malësisë së Gjakovës, nga fshati i lindjes e vllaznia e Haxhi Zekë Byberajt të Shoshanit, në kullen e Hysen Kadri Biberajt. Është nusja e dr. Elez Biberajt të “Zërit të Amerikës”, “Nderi i Kombit”, që ka dhanë shumë për kombin shqiptar, që kanë rritë fëmijë me emër e ardhmëri deri në institucione të larta të shtetit amerikan.

Të katër fëmijët e Sejdi Hysenajt të Gashit të Gurit janë shqiptarë në emra, në shpirt, në lidhjet martesore, në lidhjet me Atdheun e vet. Djali i tij, Petrit Husenaj në Los Anxhelos është shkrimtar me dy libra ( gjenden dhe në “Amazon”), i botës kompjuterike, i guzhinës së gatimeve të veçanta. Djalë i ditur i kohës, praktik i jetës, në rendje drejt së ardhmes së tij. Dy çikat e tij, Shpresa e Lumnija janë të martueme në Derën e Jahelezëve të Amerikës. Çika tjetër, Kumria është e martueme në një shtëpi të njohur të Prelvukajve të Martinajve të Plavë-Gucisë, në këtë vllazni e vis të shquar kelmendas për dituri, trimni e atdhetari kombëtare.

5.
Në shtator 2002 Sejdi Hysenaj e mori një rrugëtim të veçantë për në Kosovë. Do të çonin atje eshtnat e nacionalistit të shquar shqiptar, të Tahir Kërrnajës nga Gashi i Gurit, i thirrun ndryshe në Amerikë “Baba i Kosovës”, që kishte ndrrue jetë në moshën 85 vjeçare. Ai varrosej në Kosovë, sipas amanetit të tij për t’u prehë përjetsisht në tokën shqiptare. Ai varrosej në përkujdesje të lartë zyrtare e shpirtërore të Presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Nga Amerika kishin ardhë në këtë përcjellje të fundme, në këtë ceremoni mortore, në këtë nderim të lartë, bashkëvendas e bashkatdhetarë të tij nga Amerika si Vllaznit Bytyçi: Sejdi e Sabit Bytyçi (që e deshtën e mbajtën shumë atë), Harry Bajraktari, Rrustem Geci, Kujtim Zherka, Hysen Kerrnaja, Mustaf Sylaj, Medin Hoxha, Maliq Arifaj, Zef Balaj, Shahe Zherka, Musli Mulsomanaj, Sami Mulosmanaj, Ali Gjediaj, Halit Neza, Isa Ndresha, Vehbi Bajrami. (Halil Zeq Hajdari. “Bab’ Tahiri i Kosovës”. Monografi. Botimet M&B. Tiranë, 2015, fq. 106).

Ky nuk ishte rrugëtimi i parë dhe as i fundit i Sejdi Hysenajt në Kosovën ku kaloi një pjesë të jetës së tij të hershme. Ai ishte dhe në vitin 2004 kur e vendosen në Drenicë një bust (shtatore) të Shaban Polluzhës, të heroit të shquar shqiptar të Luftës së Dytë Botërore, të luftëtarit kundër shkijeve për çlirimin e bashkimin kombëtar shqiptar, të antikomunistit të pandalun, të “Heroit të Kosovës”. Ishte nismë e atdhetarit Sejdi Hysenaj ky akt i lartë kombëtar. Ishin bashkë kontributor në fondin prej 24 mijë USD disa veprimtarë shqiptarë nga Malësia e Gjakovës, nga Kosova, etj., ku po veçoj: Vllaznit Bytyçi, Harry Bajraktari, Rrustem Geci e të tjerë, si dhe Kajtaz Faslinë, inisiator e koordinator në Kosovë. Ky bust (shtatore) e heroit Shaban Polluzha në Drenicë mban nënshkrimin mjaft domethanës: “Shqiptarët e Amerikës, 2004”, një mbishkrim, një nënshkrim, që iu flet kohënave të djeshme, të sotme e të nesërme të kombit shqiptar.
 

RAMIZ LUSHAJ