Ballina Bota Haradinaj: Me Kinën kemi raporte më të mira se me Bosnjën

Haradinaj: Me Kinën kemi raporte më të mira se me Bosnjën

Sarajevë, 2 korrik 2018 – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur keqardhje që Bosna e Hercegovina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Por, ai ka thënë se nga mosnjohja e shtetit të Kosovës nuk humb vetëm Kosova.

“Nëse njerëzit mendojnë se me mos-njohjen e pavarësisë sonë humb vetëm Kosova, mashtrohen thellë. Ata që mendojnë kështu vijnë nga rrugë të gabuara, që nuk e kuptojnë se ku jemi, por edhe ku po shkojmë”, ka thënë Haradinaj, për mediumin boshnjak “Avaz”.

Haradinaj e ka kritikuar qasjen e Bosnjës e Hercegovinës ndaj Kosovës, duke theksuar se për këtë arsye Kosova ka marrëdhënie më të mira me Kinën se me Bosnjës fqinje.

“Shikoni, njerëzit tanë udhëtojnë në Kinë, kinezët e njohin pasaportën tonë, madje e kanë edhe konsullatën e tyre këtu (në Prishtinë). Dhe, nëse e shohim kështu, Kosova ka raporte më të mira me Kinën e largët se sa me Bosnje e Hercegovinën fqinje”, ka thënë kryeministri i Kosovës, transmeton Koha.net.

Haradinaj ka folur edhe për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë. Ai ka thënë se Serbia “nuk e ka kohën e dynjasë” për të marrë vendim për njohjen e realitetit se Kosova është shtet evropian i pavarur, i orientuar kah Bashkimi Evropian dhe NATO-ja.

Haradinaj është shprehur i gatshëm që të vizitojë zyrtarisht Sarajevën. (r.m.)