Ballina Rajoni Vuçiq: Në Kosovë nuk kemi asgjë, fitojmë nëse ia marrim veç një...

Vuçiq: Në Kosovë nuk kemi asgjë, fitojmë nëse ia marrim veç një metër

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha sot se “për Serbinë do të ishte fitore në qoftë se e merr një metër në Kosovë, ku sot nuk kemi asgjë.

Gjatë vizitës së tij në një fshat të Serbisë, Donji Banjani, siç raporton “Beta”, presidenti Vuçiq ka thënë se lidhur me  dialogun e Brukselit e kritikojnë ata që kanë vendosur kufirin midis Serbisë dhe Kosovës, kurse “sot do ta donin Shkodrën dhe Drenasin”.

Presidenti serb ka folur edhe lidhur me një letër që i ka dërguar presidentit rus, Vlladimir Putin, shefi i grupit parlamentar të partisë Serbia e Re, Slavisha Ristiq, përmes së cilës ai e akuzon Vuçiqin se po përgatitet të nënshkruajë marrëveshjen me Prishtinën, e cila do ta ndajë Kosovën nga Serbia, përcjell Telegrafi.

“Vladimir Putinit i dërgoi një letër njeriu që e ka vendosur kufirin, kurse ne do të themi ‘vijën  administrative’ në Bërnjak, në komunën e tij në Zubin Potok. Ai dhe qeveria e tij e kanë vendosur kufirin në Jarinje dhe sot ata thonë: ‘Ne do ta donim edhe Shkodrën, por gjithsesi na jepni Drenasin’, dhe atëherë do të pyesni nëse kjo është reale”, tha Vuçiç.

Duke shtuar se qeveria e mëparshme, deri në vitin 2012, vendosi “vulën dhe dyllin mbi pavarësinë e Kosovës”, Vuçiç tha se qeveria aktuale është duke luftuar “që të marrim çfarë të mundemi për popullin dhe vendin e tonë”, përcjell Telegrafi.

“Nga e gjitha, që ata e humbën, nëse veç një metër e marrim, është fitore, sepse tani nuk kemi asgjë. Njerëzit duhet të kenë besim në udhëheqjen e tyre që punon gjatë tërë kohës në këtë çështje. Sot ne nuk jemi të përjashtuar tërësisht prej saj, kurse deri në vitin 2012 ata vetëm kanë pritur të vëmë nënshkrim në pavarësinë që i është dhënë Kosovës”, tha Vuçiç.

Ai vlerësoi se dialogu i brendshëm për Kosovën ishte “absolutisht i suksesshëm” dhe se kanë dëgjuar mendime të ndryshme, se kishte edhe fyerje, “por se kjo tregon se debati ishte i lirë dhe demokratik”.

Vuçiç tha se ka mendime të ndryshme nga ata që thonë: “pranojeni pavarësinë e Kosovës, mos bëni asgjë, kjo është një realitet”, por dhe ata që thonë: “mos shikoni asgjë nga realiteti, sepse ne duhet të jetojmë vetëm në qiell”.

“Lidhur me Kosovën do të kemi ende për të folur. Edhe shumë kemi për të folur me popullin. Shumica e njerëzve në Serbi janë të përgjegjshëm dhe racionalë  dhe mendojnë për mbijetesën e Serbisë dhe të ardhmen e saj”, ka thënë Vuçiq. /Telegrafi/