Anketë e Shaip Beqirit me bashkëkohësit e shquar të Beqir Musliut me rastin e vdekjes
Me rastin e vdekjes së shkrimtarit të mirënjohur Beqir Musliu (11.VI.1945 – 24.VI. 1996) u morëm deklarata disa shkrimtarëve tanë për kolegun e tyre të ndjerë. Të folurit për personalitetin e Beqir Musliut ngjizet më shumë se në çdo rast tjetër me të folurit për veprën e tij letrare. Kjo ngjizje ishte një veçanti e rrallë tek Beqir Musliu, e cila tash e tutje do të mblidhet që të mbetet përjetësisht në poetikën e tij, me të cilën do të emërtohet rrjedha fundamentale e modernitetit poetik shqiptar. Këtë herë po ua lëmë fjalën miqve dhe kolegëve të poetit, për t`ia ruajtur vetes këtë të drejtë për një kohë kur do të ketë më pak gjasa të shqiptohet sall si dhembje e pikëllim, apo kur ato të jenë pa trazimin që kanë tash. Për këtë anketë pata ndihmën e vyer të mikut tim, atëherë redaktor i “Rilindjes” në Tiranë, Ramdan Musliut.
Adem Demaçi: Guximi krijues përballë terrorit
Më tronditi shumë lajmi për vdekjen e poetit Beqir Musliu, i cili edhe në kohët më të vështira, atëherë kur njerëzit frikësoheshin edhe të mendonin lirisht, ai pati guximin të shkruante një poemë të gjatë për vëllain tonë – Fazli Greiçevcin, i cili e përfundoi jetën e vet nga torturat e rënda të serbomëdhenjve të Beogradit. Më pati mahnitur mënyra që e gjeti poeti të shprehej për lavdinë e heroit dhe të martirëve tanë. Për mua, duke qenë në burg, ishte e pabesueshnme që përjashta, në kohën e terrorit (1971) guxonte dikush të shkruante në atë mënyrë aq të guximshme dhe aq të bukur për njerëzit që flijoheshin për atdhe.
Më vjen keq që u gjenda larg dhe nuk pata mundësi të marr pjesë në përcjelljen e fundit të poetit tonë Beqir Musliu. Mirëpo, ashtu si dëgjova unë, shqiptarët nuk i kanë mbetur borxh poetit të tyre, duke ia organizuar një përcjellje të fundit çfarë e ka merituar Beqir Musliu.
Beqir Musliu është një poet shumë i talentuar që vdiq mu në kulmin e kohës së tij krijuese. Ngushëllohemi duke pasur parasysh veprën që la pas vetes poeti ynë i ri, poeti i pavdekshëm. Uroj që brezat e ardhshëm të mësojnë nga vepra e Beqir Musliut se si duhet të shkruhet bukur dhe të mendohet lirisht, siç bëri ai edhe në kohët më të vështira. Poashtu dëshiroj që vepra e poetit tonë të studiohet dhe të vendoset në vendin që e meriton.
Fatos Arapi: Shkrimtar i vizioneve të kohës së ardhshme
Me Beqir Musliun kam pasur rast të njihem që në vitin 1979. Që prej atëherë e mbaj mend fytyrën e një krijuesi që është e kthyer nga e ardhmja.
Më dukej se është njeri që shikon diku matanë nesh, diku në një botë që ne nuk shohim dot. Edhe vepra e tij letrare, aq sa kam pasur mundësi të lexoj prej tij, fragmente, më dukej se është një pjesë e veçuar e letërsisë shqiptare, një fletë e një imazhi kozmik që është shkruar nga gjaku i këtij shkrimtari që ekzistencën e vet e bën në një realitet astral.
Vepra e tij e gjerë letrare do të jetë lekturë e gjeneratave të ardhshme, sepse këto të tashmet nuk mund ta arrijnë atë shkallë të edukimit të ndjenjës estetike sa ta ndiejnë ngjyrimin e fjalës së tij, imazhet kozmogonike, tingullin e pazakonshëm të tij.
Ramadan Musliu: Vajtja e Orfeut Shqiptar
Kur të vdes miku vdes edhe një pjesë e qenies sate. Kush mund të mendojë se Beqa shkroi këtë e atë, se ishte kështu e ashtu. Njeriu në këto situata kërkon atë personalen, ndjen zbrazëtinë e shpirtit, i kujtohet ajo pikë e lotit që gjithmonë do të rrijë e varur për qepalla e kurrë nuk do të pikojë sa për ta lehtësuar dhembjen.
Beqirin e kisha mik mu pse ishte shkrimtar. Me labirintin artistik të tij le të merren ata që duhet të bëjnë disertacione dhe të japin gjykimin e ftohtë prej esteti. Ai doli nga labirinti që e kishte krijuar vetëm e vetëm për t`i ikur vdekjes. Në atë labirint ai kërkonte Euridikën e vet, poezinë. Gjithë kënga e tij është këngë për poezinë. Gjithë jeta e tij ishte jetë e një alkimisti, i cili nuk merrej me bakër, por gjakun e vet e kthente në ar. Beqiri dhembjen e jetës e kthente në poezi.
Është nder i madh të jesh mik i magut të letrave, magut që kuptimin e jetës e kërkonte ndër fjalë.
Natasha Lako: Ka humbur diçka brenda shkronjave shqipe
Humbja e një poeti, e një mjeshtri të gjuhës shqipe, e një mendimtari, e një shpirti krijues, humbja e një njeriu, të gjitha këto përmblidhen sot në emrin e Beqir Musliut.
Të duket sikur përjeton diçka nga largimet e mëdha që kanë ndodhur shekujve, sa herë është fjala për lëvruesit dhe përfaqësuesit e gjuhës shqipe.
Ne sot të gjithëve u kemi krijuar aureolën e forcës së tyre të madhe midis jetës dhe vdekjes, por bashkudhëtari ynë i shtrenjtë na kujton se edhe të gjithë të tjerët para tij kanë qenë njerëz mes njerëzve, midis shqiptarëve të çorientuar ose analfabetë, të urtë ose të marrëzishëm, lakej ose të panënshtruar të përjetshëm.
Emri i Beqir Musliut, si i të gjithë njerëzve tanë të mëdhenj, është emri i balancës sonë, por kësaj here midis jetës dhe vdekjes. Ishte tepër i ri, në moshën 50 vjeçe, kur e arriti këtë.
Është një dhembje e provuar para kohe dhe një krenari e provuar para kohe.
Dhëshiroj në këto çaste t`i shpreh ngushëllimet familjes së tij, ta quaj vëlla. Por kjo nuk të ngushëllon, sepse ka humbur diçka brenda shkronjave shqipe.
Teki Dërvishi: I pari poet postmodern shqiptar
Poeti, romansieri, dramaturgu, eseisti dhe publicisti Beqir Musliu është përfaqësuesi i parë i postmodernitetit në letrat shqipe. Lirika e tij sublime që u paraqit në vitet e gjashtëdhjeta në letërsinë shqiptare shquhet me veçorinë e saj, me origjinalitetin. Bashkë me Jusuf Gërvallën, Beqir Musliu është poeti më lirik në letersinë shqipe jo vetëm të kohës së tij krijuese, por edhe më larg. I takon grupit të vogël të atyre krijuesve shqiptarë që asnjëherë nuk lejuan të instrumentalizoheshin politikisht, duke i ndejtur besnik vokacionit krijues të artistit. Kështu arti i Beqir Musliut mbeti një opus kombëtar si një vijë në lidhjen e kontinutetit të rilindasve shqiptarë. Është i pari ose më i miri nga mjeshtrit e fjalës artistike që e ngjalli metaforën e harruar të artit gojor shqiptar, duke i ritrajtuar poetikisht epet dhe legjendat shqiptare. Këtë metaforë ai e ngjalli me rafinmenin e gjuhës së artit dhe e nxori nga përdorimi arkaik që zvarritej në poezinë soc-realiste. I çliruar nga ngarkesat ideologjike, ai pati një ideal krijues: ta bëjë të flasë kumbueshëm shpirti i gjuhës shqipe. Fati i krijuesve të mëdhenj, siç thoshte Kishi, është i ngjashëm, madje identik. Edhe jeta krijuese e Beqir Musliut është një metaforë e fatit që i përcjell krijuesit e mëdhenj dhe opuset e tyre që bëjnë thesarin e kulturës së një kombi. Si e tillë, si vepër madhështore, arti i Beqir Musliut letërsisë shqipe i dëshmoi dy dhunti që janë më karakteristiket: ai ishte mësues i brezave të rinj krijues, poeti që pati më së shumti ndikim në brezat dhe gjeneratat e reja dhe dy, vepra e tij dëshmon se në artin shqiptar megjithatë ka pasur si ai dhe të tjerë – krijues që nuk u janë nënshtruar diktateve dhe hartimeve ideologjike për t`i shitur si art, krijues të formatit të madh si Beqir Musliu, i cili ia fali tërë qenien e vet krijuese artit dhe që u pajtua të jetë skllav i artit të vet, të vetmes gjini të bukur të jetës së tij.
Beqir Musliu ishte krijuesi më i madh i kohës së tij dhe si i tillë do të mbetet bashkë me më të mëdhenjtë që ka letërsia shqiptare
Zija Çela: Përndritje e idealeve të përjetshme estetike
Ka shkrimtarë që, megjithëse tërë jetën shkruajnë libra, përveç rritjes formale të inventarit dhe pluhurit alergjik të bibliotekave, nuk i sjellin asgjë tjetër letërsisë së një kombi. Kurse, sapo vdes një shkrimtar si Beqir Musliu, humbjen e ndjejnë gjithë letrat shqipe, sepse tronditjet e një letërsie, ashtu si vetë rritja e saj e vërtetë, shënohen pikërisht në nivelet e larta. Në këto nivele ne do të kemi më pak një penë të zgjedhur për art. Por Beqir Musliu la vepër të atillë që, siç besoj, do të ketë jetë shumë më të gjatë nga sa pati vetë autori. Veçanërisht poezia e tij, me atë përndritjen e idealeve të përjetshme estetike: thellësinë, origjinalitetin dhe mjeshtërinë autoritare, do të mbetet bashkëshoqëruese si referencë e cilësisë dhe nevojë e vetvetishme për lexim.
Sa qe gjallë Beqir Musliu s`na u detyrua për asgjë. Përkundrazi, ai iku duke na lënë ne të detyruar ndaj tij. Detyrimi ynë më i madh dhe respekti ynë më shprehës është botimi e ribotimi i veprave të shkrimtarit, sidomos atje ku u njoh dhe u çmua më pak, për fat të keq, në Tiranë.
Luljeta Lleshanaku: Mjeshtri i magjisë estetike
Beqir Musliu është prej shkrimtarëve shqiptar që më pak njihet në qarqet kulturore në Tiranë. Arsyeja është se vepra e tij letrare në atë fondin e njohur të veprave të ndaluara që shënohej me dorë. A ka poezi shqipe pa peozinë e Beqir Musliut dhe të shumë autorëve të tjerë që më parë ruheshin në pjesën rezervat, kurse tashti, për shkak të gjendjes së vështirë të kulturës, nuk mund të ribotohen, është çështje që duhet të na preokupojë gjithë neve. Vepra e Beqir Musliut, aq sa kam lexuar unë, është prej atyre, pa marrë parasysh gjininë letrare që përcaktojnë standardet e letërsisë shqiptare. Sidomos për krijuesit e gjeneratës sime mendoj se do të ishte ideja që ta kalojmë atë majë të poezisë që e ka pushtuar krijimtaria poetike e këtij autori.
Beqir Musliu ka qenë letrar estetizant, sa që ekspresioni artistik që ofron teksti i tij letrar është diçka e veçantë, diçka që vetëm në veprën e tij mund të gjendet, askund tjetër. Magjia e fjalës së tij do të jetë preokupim i gjeneratave të shumta që ia kanë mësyrë rrugës së këngëtimit.
Skënder Buçpapaj: Bartësi i parë i zjarrit prometeik
Beqir Musliu me krijimtarinë e tij poetike qëndron në fillim të një ere të re të poezisë sonë moderne. Atij i takon merita të hapë kapitullin e poezisë së pakënaqësisë në historinë e letërsisë shqipe. Të pakënaqësisë që nuk shprehej më përmes foljeve si në poezinë pararendëse, ajo nuk shprehej as përmes thirrjeve patetike. Të pakënaqësisë që shprehej përmes emrave prejmbiemrorë: së zezës, së purpurtës, dy metaforave bazë të poezisë së tij. Në marrëdhëniet midis këtyre ngjyrave të simbolikës sonë tradicionale ai krijoi simbolikën moderne të marrëdhënieve në mes tragjikës dhe të të shëmtuarës, ai i estetizoi këto marrëdhënie, i bëri estetikisht të përjetuara në realitetin e kohës. Nëse Migjeni zbuloi metaforën e bukurisë së bardhë, B. Musliu zbuloi metaforën e bukurisë së zezë. Të dyja kanë një thelb, sepse të dyja vrasin, por kanë dy shfaqje të ndryshme, e dyta është antimetaforë e së parës. Kjo poezi u pasua prej mjaft poetësh të tjerë të talentuar. Dhe kjo do të thotë se ai i hapi rrugën i pari kësaj poezie e cila edhe u quajt poezi e ikjes prej metaforës, pra e antimetaforës. Dhe kjo do të thotë se ai pati guxim krijues e dhunti krijuese për ta hapur këtë rrugë, për ta krijuar atë iluzion estetik që udhëhoqi gjeneratat e reja poetike, por edhe se atij iu dorëzua të parit zjarri prometeik për të hapur këtë rrugë. Kur zjarret përfshijnë edhe qiellin, shpesh harrohet kush ishte i pari që e solli urën e zjarrit. Beqir Musliu nuk ua mori zjarrin perëndive, ato e zgjodhën vetë atë, ndërsa ai pati guximin dhe talentin poetik për ta përcjellë atë. Nëse pasrendësit e tij, për çfarëdo arsyeje, do ta harrojnë këtë, historia e letërsisë shqipe nuk do ta harrojë. Edhe ikja e tij e shpejtë prej kozmosit tonë poetik është një metaforë antimetaforike. Për të ikur ikin vetëm meteorët, por jo planetët, prandaj edhe ai në të vërtetë s`ka ikur, por i është kthyer përjetësisht krijueses së vet, poezisë.
Sazan Goliku: Poeti i verbit të bukur shqiptar
Nga takimi i parë dhe i fundit me Beqir Musliun krijova përshtypjen se poeti, dramaturgu e romansieri i shquar shqiptar s`e pranonte dhe s`e besonte kurrë vdekjen, edhe pse pak ditë i kishin mbetur në panteonin e letrave shqipe, pra në vetëdijen e kombit, vepra dhe emri i Beqir Musliut prore do të mbetet gjallë sot e nesër.
Ditën e vdekjes së poetit, për koicidencë, lexova në Radio-Tirana poezinë “Vdekja e poetit”, ku këndohet për përtëritjen, për pavdekësinë e lulëkuqes së Kosovës. Në dhembjen e humbjes së Beqir Musliut na ngushëllon verbi e vargu i tij sa shqiptar aq dhe i bukur e bashkëkohor. (Botuar në EUROZËRI, nr.28/1996, Zürich).