Ballina Kulturë Dashurisë time nuk i duhet ballkoni i Zhulietës

Dashurisë time nuk i duhet ballkoni i Zhulietës

Tufalakim poetik nga Loli SHEHI

DUEL I HESHTUR…

I thua pareshtur
Je kaq e bukur
Si sirenë deti, ajo lahet në sytë e tu
Ndërsa ti,
Si një kampion i zhytjeve të thella
Ke nisur notin drejt detit  të jugut…
Te fustani dallgë, ngritur përmbi gju
Pothuajse, e ke zhveshur të gjithën,

Pa e cikur me majë të gishtit

E  dhe e zhvesh me sy
Mes kalimtarëve, në dritë të diellit
Joshur e magjepsur, të DY..
Përpiqet më kot t`i vidhet shikimit tënd
Të maskoj hiret
T`i arratiset tundimit që po e çmend..
I ngjyrosen, mollëzat…

I kuqëlohen buzët….
Fillon të flasë kuturu…
Të përgjërohet me pëshpërima…
Mos të lutem, mos bëj kështu!
Jo…Jo këtu!
Ngre shallin…
Mundohet të mbuloj dlirësinë e zhveshur
Vështrimi yt i pabindur,
Rrëshqet më poshtë,

Akoma më guximshëm
Te këmbët përmbi këmbë…

Harkuar shkujdesur…

 

VESHUR TË KAM…

Veshur të kam 
Në trupin tim, 
Si këmishë me kopsa këputur
Që as e mbërthej, as e zbërthej dot, 
E sjell rreth trupit me krahët kapërthyer,
E ashtu ndër vete të mbështjell,
Nanuris atë aromë
Pastaj, mbyll sytë
Më përzhit mungesa jote, 
Sytë, më bëhen oaz, 
Joshem deri në palcë
Çdo qelizë lëngëzon parfumin e trupit tënd 
Të shtrëngoj fort e s’ngopem, 
Derisa krahët, djersijnë,
Pastaj… lëshohem 
Ndjesi që më çmënd!
Ti, 
Zotëron qenien time të pafuqi! 
Trupi yt, veshje që më rrethon,
Deri në ashtë 
Avujt depërtojnë thellësive
Veshur të kam, 
Thellë, nën lëkurë 
E të ndjej, akoma më thellë, në inde
Inde që përputhen plotësisht,
Inde që puthen 
Puthen e përputhen, 
Zihen e duhen
Luftojnë e dorzohen,
Dorzohen… 
Për t`u dashuruar… sërish….

 

DASHURIA IME

Dashuria ime…

Nuk ka nevojë për ditë shenjtorësh,

As për data shënuar më të kuqe në kalendar,

Për tufa lulesh, shoqëruar me dedikime të çastit,

Për veshje të shtrenjta blerë në dyqanet e modës,

As për stoli vezulluese të lara në ar.

Dashurisë time

Nuk i duhet ballkoni i Zhulietës,

Ndoshta sepse edhe unë nuk jam një zhulietë

Nuk i duhen podiume, drita prozhektorë,

I mjaftojnë vetëm sytë e tu

Që ndjenjës digjen si meteorë

Dashuria ime

Është fare e thjeshtë,

E zakonshme, e heshtur, pa vizitorë, pa bujë

Ndonjëherë,  edhe rrebesh e furtunë,

Që po të zuri befas në rrugë, të lag deri në palcë,

Të futet deri në ashtë e të bën ujë…

Dashuria ime

Është ai flladi i ngrohtë,

Që të përkëdhelë fytyrën,

Është ai zjarri bubulak që flakë ta ndezë kraharorë.

Është matematikë e thjeshtë, që nuk ngatërrohet me metaforat

Është rezultantja e njëshit në katror,

Dashuria ime

Nuk qëndron në puthjet plot zjarr,

Ndër çaste epshesh e çmendurish në shtrat,

Dashuria ime, është një grua e hijëshme

Është një zonjë e fisme plot sharm

Është ylberi i një pikë vese që ndrin mbi buzë,

Qëndron më thellë akoma, nën inde, nën lëkurë,

Është, unë tek Ai,

Është, Ai tek unë.

Dashuria ime

I ngjan poezisë,

Asaj poezie që s’mund të shkruhet kurrë nëse s`ka muzë!

 

POR, SOT JO!

Shpesh të kam quajtur dashuri e çmendur,

Që vrapoje si kometë nëpër natë,

Që notoje oqeanesh pa ditur not,

Herë-herë, ndjeva edhe mëshirë për ty,

Të kam quajtur ëndërr boshe, shpirtngratë

Të kam quajtur zbavitje,

Të kam quajtur lojë,

Pasion adoleshent i pakuptimtë,

Që ndjenjash  faniteshe hapësirave

Si asgjë  treteshe  në qiellin e përhimtë,

Në çast, qielli humbte kaltërsinë,

Gjithësia ndryshonte bojë

Ne të dy, adoleshentë të pasionuar në këtë lojë…

Por sot,

Të kam kaq pranë,

Të  prek si e vërtetë,

Të ndjej në çdo qelizë,

Ndjej frymëmarrjen,                                                                                                                                                                         Ndjej afshin e puthjes.

Marr frymë mes frymës tënde, dhe gjaku lëviz,

Të sodis fytyrën rrezëllitëse si hënë e plotë

 Të kisha premtuar, që peng nuk të mbaj,

Por  tani…ik… s’të thënkam dot!

 

A  MUNDEM DOT?

Me buzëqeshjen time, mund të gënjej bukur,
Të shkëlqej si diell, edhe kur brenda kam stuhi,
Ëndrrash të fluturoj dhe pse krahëkëputur,
E qiellin ta ndez flakë  si me magji.

Të maskoj aq bukur trishtimin e syve, 
Lotët që djegin hithër, t’i kapërdij ndër vete,
Pastaj hënë e plotë të mbretëroj mes yjeve,
Si varkë e pamposhtur të lundroj ndër dete.

Të maskoj mjeshtërisht, edhe buzën që dridhet,
Kur trishtimi ma ka mposhtur  keqas shpirtin,
Të rend pas diellit, kur në perëndim përvidhet,
Tu them  s’më vjen keq, as për vitet që ikin.

T’i them  gjithë botës që jam kaq e lumtur,
Edhe kur shpirti më dhemb e ndër sy kam lot,
Të  sundoj oqeanet, me busull të humbur,

Po veten time, a mundem ta gënjej dot?