Ballina ED/OP VOJISLAV SHESHEL: “KOKËN LART, NUK ËSHTË TURP HUMBJA, ËSHTË TURP TË JESH...

VOJISLAV SHESHEL: “KOKËN LART, NUK ËSHTË TURP HUMBJA, ËSHTË TURP TË JESH SHQIPTAR!”

Nga Prend Ndue BUZHALA – Kosovë

Vojislav Sheshel (shovinist serbomadh e racist, i akuzuar në Hagë për krime lufte), pas humbjes së Serbisë në futboll nga Zvicra, shkroi: “Kokën lart. Nuk është turp të humbësh, është turp të jesh shqiptar.”
Shtypi kroat shkruan: “Sheshel është i obsesionuar nga shqiptarët dhe ustashët (kroatët).”

1.
Nuk e di pse shumë shqiptarë më ngjajnë në Sheshelin, kur e fyejnë kombin e tyre (që nga Skënderbeu e deri te Nëna Tereze, apo me sulmet perverse kundër”Evropës shtrigë” e me madhërimin e orientit si identifikim i antishqiptarzimës sonë.).
I ngjajnë në sulmet kundër kombit shqiptar e nuk e marrin model dashurinë e tij (qoftë edhe patologjike), ndaj Atdheut të vet.

2.
Të habitshme këto aleancat historike ballkanike, që na shfaqen me fytyrë antishqiptare, herë me fytyrën greko-sllave, duke ia afishuar asaj trashëgiminë arbërore shqiptare. E vonuam historinë, duke zgjedhur si aleat historik Moskën, Beogradin dhe Pekinin, për inat të Perëndimit! Dikur u zgjodh izolimi totalitarist. Ky izolim i tillë socialkomunsit, sot na shfaqet në horizont, me pamjen e një frustrimi të ndrydhur psiko-historik, me histeritë e djeshme komuniste, që na e vonuan historinë gati për një shekull. Tulatja e protagonistëve të regjimit komunist nën strehën e demokracisë, e kur nuk e ka mirë aty, gjejnë azilin e vet ideologjik te orienti, gjejnë strehim tek sulmet kundër “Evropës shtrigë”, kundër Vatikanit dhe kundër identitetin europerëndimor shqiptar.

3.
Serbi Vojislav Sheshel është i akuzuar në Hagë për krime lufte e gjenocid ndaj kombeve tjeran nën ish Jugosllavi. Në gjykimin e Sheshelit në Hagë; vetë Sheshel atje ka thënë që në bankën e të akuzuzarve duhet të jetë kreu i Vatikanit, sepse e ka shkatërruar Jugosllavinë dhe Serbinë; Sheshel ka shkruar këto vepra kundër Vartikanit, kundër Bashkimit Evropian dhe kundër gjermanëve e kroatëve etj: “Vatikan, glavno Satanino gnezdo” (“Vatikani- çerdhja kryesore e Satanës” – 2006, në 1000 faqe), ku e akuzon Vatikanin për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë), “Rimska kurija vecito cedna srpske krvi” (“Kuria e Romës, përjetësisht e etshme për gjakun serb”), “Evropska unija, satanisticka tvorevina” (“Bashkimi Evropian, krijesë satanike”), “Vatikanski antisrpski instrument Franjo Tudjman” (“Instrumenti vatikanas antiserb Franjo Tugjman”) dhe “Hitlerovi najverniji sledbenici Helmut Kol i Hans Genser” (“Trashëgimtarët më besnikë të Hitlerit, Helmut Kol e Hans Gensher”).
Nuk kemi nevojë të bëhemi sheshelianë në emër të një uniteti mohues e fiktiv kombëtar.
Nuk kemi nevojë që edhe njëherë ta vonojmë historinë.
Sheshelin e mbështetësit e tij rusë, i tmerrojnë shqiponjat shqiptare.

(Prend Buzhala, 29 qershor 2018)