URTIA SOLOMONIANE E POEZISË SË SADIK BEJKOS

Nga Ali ALIU – akademik

“… Të shkruash vjersha, do të thotë t’i bësh vetes Gjyqin e Madh”. Knut Hamsen

Poezia e Sadik Bejkos, jo vetëm kjo e librit më të ri të tij (“Këngë të Solomonit”), por që nga fillimet (përmbledhja “Rrënjët”, 1973), ka një shtyllë të pranishme frymëzimi, mbase më konstante në burim- ndjenjën e vetmisë. Qëndron ajo si një obelisk në gravurën e të cilit, ravijëzohen nuancat, -zhgënjimi, dëshpërimi, revolti, braktisja, rebelimi… Ndjesia vjen veshje e fatit a fatalitetit të një kohe, artikuluar si shtresim i vrenjtur i përhershëm. Është mozaik i lidhur, homogjen, thurur përmes lëvizjeve përsiatëse të shpirtit dhe mendjes së trazuar, narrativë jetësore e hidhur, që sjell ekspresion përtej fjalës; është detaji i fshehur, është gjesti, është shenja, në përmasa të një “feste të intelektit” (Valeri).
Të kthehemi edhe njëherë tek ndjenja e vetmisë, që, me këtë rast, në bërthamën e vet ka pleksje e jehona që vijnë sa nga abstenimi i vullnetshëm nga bota përreth, aq si furi përjashtuese drejt agresivitetit brutal të botës reale. Shija dhe çfarësia e vetmisë në poezinë e Bejkos vjen e përhershme dhe e përkohshme, globale dhe lokale, fizike dhe metafizike, vuajtje dhe prehje, ikje dhe dëbim… Thellë-thellë, në thelbin e vet, duket si një ikje për të shpëtuar shpirtin e vet nga kriza e vlerave, nga tharja e botës dhe shpirtit në këtë fragment kohe. Prandaj, nuk janë të rralla vargjet me perspektivë të një observimi olimpik të zërit, nga e cila sodit shtjellën e kësaj hapësirë, shpesh përçudnuese, edhe si bashkëvuajtës prometeik por edhe me yshtje të një tisi ironik diskret dhe elegant.
Në këtë poezi është e pranishme shija e një rezignimi të papërballueshëm, fat që të pushton e të mban mbërthyer në vetmi, si sfidë përballë botës, qëndrim i papërkulur, vetmi e zgjedhur, status i qëllimshëm, që vjen edhe satisfaksion jo me çdo kusht dhe, sidomos jo para se gjithash i vetmi, por status që nxjerr vetveten në krye, perspektivë zëri që lundron natyrshëm drejt bregut vetmi. Natyrë, shije të tillë vetmie ofrojnë edhe vargjet që ndjellin me një aromë të lehtë malli, nostalgji që i shkojnë veshje e natyrshme fronit të këtij pozicioni poetik. Sidomos gjatë rebelimit dhe strehimit në kohën e kaluar, në botën dhe ëndrrat e fëmijës, apo çastesh intime, siç tingëllojnë vargjet antologjike në hapje të librit “Rrotullimi i planetëve” bashkë me poemthin “Këngë të Solomonit”, jehona e të cilave vjen sa varrë e një pengu, sa kthim-thirrje ngushëllimi. Që të dyja, bashkë me vargjet “Mos më lexo në mbrëmje Magdalini”, kanë në vete shije të një fluidi magjik, kanë një fluturim drejt një strehe të përtejme.
Dëshpërimi i shndërruar në art poetik, me këtë rast vjen refleks i parë i lexuesit; dëshpërim dramatik në momente, që vjen poezi gatuar fuqishëm. Vetmi që tërhiqet, në raste edhe barrikadohet në mbrojtje të shpirtit nga epidemia e mospërfilljes, e pandjeshmërisë; është strehë në kërkim të dashurisë që mungon; ajo që vjen jehonë e vegim i mjegullt, i largët, vjen thirrje e blatim drejt së humburës ne tokën e thatë… E tillë poezia dy katrenash “Rrotullim i planetëve” që e hap librin, tek e cila shfaqet nata e ankthshme në pritje të agimit që do të sillte mrekullinë e pritur. Nata që nuk lëviz e ti i vetëdijshëm për lëvrimin e heshtur, të brendshëm të rruzullit, – i vetmi i sigurt që do ta sjellë agimin… Rrotullim pa zë, i heshtur, diku përtej botës, si Ajo, e dashura, po aq e largët që nuk do ta dijë kurrë se nën shtresimet e natës thikë, zëri rreh të shohë, të prekë të cekë sytë e saj e s’mundet… Sytë që as mëngjesi në kërkim nuk do të mund të nxjerrë nga shtresat e akullta ku i fshehu terri…
Poetika e vargut të Bejkos është në ullirin e klasikes bashkëkohore në poezinë shqipe, ajo e korifenjve të saj në krye me Fatos Arapin dhe Azem Shkrelin. Që nga fillimi ai solli prirjen refleksive në poezi me librin e parë “Rrënjët” (1973) dhe me serinë e pas njëzet viteve sidomos, me librat “Si vdes gruri”, “Letër Hamurabit”, “Psalm për Atin” dhe që e sollën natyrshëm librin më të ri “Këngët e Solomonit”, që zë vend majave të letërsisë shqipe.
Ngarkesa e vetmisë në poezinë e tij, siç u theksua, me këtë rast mund të jetë status i vetë-kërkuar, apo i imponuar. Në rastin e parë, tërheqja në vete vjen ngushëlluese, vjen prehje me sy gjysmë të mbyllur për t’i mbrojtur nga shkreptima therëse e dritës. Ndërsa e dyta vjen dhembje, zhgënjim, dëshpërim i thellë. Tek poezia e Bejkos pra ajo është dy-kahëshe: mospërfillje që prodhon ambienti, bota, e që shkallëzon e herë-herë del brutale, e ndaj të cilit vë përpara murin mbrojtës poeti… Ngasësi i parë me këtë rast shtrihet më qetësisht, pushton më shumë hapësirë thellësisht diskrete, me përjashtime të rralla kur shpërthen si përmes vargjeve “Kohë e përjetshme”; ndërkaq bota që shpërfill, që është e egër, thellë-thellë soditet nga një ironi e hollë, e përhershme e zërit lirik, nga statusi i një urtie solomoniane, kënd filozofik që i jep formatin e përsosur estetik poezisë. Ky shtresim i pranishëm, i heshtur, kjo buzëqeshje e brendshme e shfaqur pa zë në buzët e folësit, i cili sa herë nxitet dhe sfidohet nga jashtë, prek çështje thelbësore të qenies dhe ekzistencës, nga perspektiva e statusit që qëndron mbi cinizmin e thatësisë shpirtërore të çastit…Nga kjo perspektivë leximi, poezia e Bejkos del gjuhë e kapshme, fjalë-figurë me qartësi plastike, që arrin thellësi kuptimi dhe reflektim universal.
Bota, me veshjen e realitetit që sjell poezia e këtij libri, kur nuk të thyen dot, kur nuk të bluan dot në ingranazhet e vet, kur nuk ta shkel dot Unin, në rastin më të mirë të izolon, pastaj edhe të dëbon, të ndëshkon dhe, realisht mbetesh vetëm, përkatësisht i vetmuar. Mund të thuhet për poezinë e Bejkos se ky imazh nuk del me çdo kusht si ikje në vetmi por më shumë si synim për të qenë vetja… Mbase edhe satisfaksion, përkatësisht përballim i shqetësimit të trazuar, edhe për vetë faktin që statusi në fjalë të ofron paqe, përkatësisht baraspeshë mes dy krahëve, në frymën e paroksizmit: “… Plot helmët e thellë në gëzim jam”. (“Loja”). Fundja udhëtim i vetmuar, i të vetmuarit është jeta- kështu është ngjizur bota, njerëzimi. Kjo ndjesi, jetë-vetmi, s’do përfundojë në botën e pandreqshme… I vetmuar a i vetvetes ndërsa është dhembje e ngarkuar e poezisë të librit më të ri të këtij poeti, me shqetësime të prekshme që në fillimet e tij poetike.
Matrica ngasëse, vatra dëshpëruese e të vetmuarit nuk është kornizë kufizimi, nuk është kufi limitues, as si frymë dhe format shprehës, as si sfidë dhe ngasje e hapur, e papenguar e frymëzimit poetik. Përkundrazi: libri “Këngë të Solomonit” sistemohet brenda tetë cikleve, plus dy poezitë në hapje (“Rrotullimi i planetëve”) dhe në mbyllje (“Uria e keqe”, “Ode dashurisë” e para dhe “Ode mirësisë” e dyta). Prania jo dozash të njëjta, grija e përditshme, e përhershme dhe, etja e mallit për vlerat e arratisura shpirtërore, do jetë kudo ngarkesë e vargjeve dhe mes-vargjeve. Vetë nevoja e brendshme, e natyrshme e autorit për një klasifikim dhe sistemim të tillë, brenda kaq ledheve të qartë, është dëshmi e lëvizjes tejetej të perceptimit të botës, të natyrës dhe çfarësisë të frymëzimit. Dëshmi se në hapësirën aktuale të poezisë shqipe, në rrethana të krizës shpirtërore, nuk mungojnë zëra që e mbajnë në jetë, në ngritje artistike, poezinë, me shikim të mprehtë dhe me ndjeshmëri të thellë, me vetëbesim të natyrshëm… Edhe mes vargjeve të kësaj poezie ndjehet vizioni i brendshëm drejt botës me tipare njerëzore, drejt botës shpirtërisht më të pasur me dashuri…
Cikli që është më kompakti dhe më në union me shtratin bartës të shtjellës, është ai i dyti sipas radhitjes së autorit, e që mban titullin “Ora 24”. Cikli është unik në frymën e bindjes së moçme se poezitë nuk mund të qëndrojnë pa ndikuar, përkatësisht pa u ndikuar dhe pa u mbështetur te njëra-tjetra. Sidomos poezitë e përfshira në librat e formatit të “Këngë të Solomonit”… Të dhjeta poezitë e këtij cikli, duke krijuar tërësi kompakte dhe harmonike, ndërtuar gjymtyrësh nga i njëjti material, përplotësohen, kuptimësohen dhe hedhin ndriçim estetik te njëra-tjetra.
Vargjeve të tij, mozaik dhe kolazh të pleksur, rrezaton fuqi kohezive që mëton përtej brengës, që beson në përjetësinë e mirësisë, dashurisë…Ndjenja për të qenë pjesë – përtej vetmisë, e kësaj bote të vëngër e terse, nuk është pa shpresë përballë përjetshmërisë së vlerave… Është poezi që thellësisht beson në fuqinë e vet, që është e ndërgjegjshme për këtë, për brengën e botës së vet, për humbjet e veta, ëndërrimet e veta të kaluara dhe i vë në funksion të daljes nga koha. Botë poetike e trazuar, thellësisht e ndjeshme dhe refleksive, e sfiduar nga një ambient me gërçe morale dhe thatësi shpirtërore që depërton përtej sipërfaqes nga ku nxjerr lëndën dhe bën art të madh. Është kohë e jetuar dhe e ndjerë, ndriçuar fanarësh të imagjinatës përtej monotonisë gri…
Poezia “Ora 24”, që është edhe titulli i ciklit në fjalë, sjell kohën që s’ka kohë, kohë që i ka konsumuar edhe gërhamën e fundit, kohë në tehun e gremisjes, tani e mpiksur kallkan, e eklipsuar dhe shtrirë mbi hapësirën si një jehonë zëri, edhe ai shurdhëri e mpiksur, tretur e shuar pa përgjigje, pa kthim, pa adresë por këmbëngulës në kërkim – “Ku, ku je?” Vargje të zëna në një kohë përjashta,- jashtw kohe, mes gjumit dhe zgjimit, përkatësisht as fjetur as zgjuar…Tërë universi mbërthyer akull, kumbimi “Ku, Ku je?”, vazhdon ta përftojë tejetej hapësirën, ajo ndërsa jashtw kohe, si çdo gjë… Kjo është perspektiva nga e cila zëri lirik , ndjekur nga kërkimi i ethshëm, lebetitës i thirrjes, lundron hapësirave pafund të botës fëmijërore, hapësirave ëndërrimtare, herë te bryma e mëngjesit e herë te rrapet, lëvarur gjithandej në natyrë e gjithësi, mu si pikturat e Shagalit, duke thurur tercetat e poezisë imazhesh të përkryera, si bora që sakaq mbulon gjurmët e ujkut që ka ndjekur me atin a ikur në gjumë prej tij, me një fund që përmbyllet, përkatësisht hapet me ngritjen e perdes një skenë mahnitëse: … “E dot s’përgjigjesha!” Është zëri që ulërin nga thellësitë e vetë poetit në kërkim të kohës, të vetvetes…
Të vuash vetminë, dëshpërimin, zhgënjimin, të dish të jesh i përvuajtur është virtyt, është urti nga e cila rrezaton mirësi… Është kjo që e çon deri në trazim rebelues atë dhe që me këtë rast, edhe shpresë se diç edhe mund të ndreqet… Strehimi nën shtyllat kryesore të traditës kulturore, në kodet e qëndrueshme që balancojnë dhe harmonizojnë begatimin e pandërprerë të tyre, është frymë dhe vizion i kësaj poezie, përkatësisht, në një variant tjetër metaforik, është po ajo ulurimë, tek poezia pasuese menjëherë pas saj, që titullohet “Ujku”.
Nën peshën e trazimit dramatik, të eklipsi të kohës nga njëra anë dhe, zënies së bërthamës frymëzuese mes ëndrrës dhe zgjimit janë shumica e poezive të këtij cikli si “Ujku”, “…nën dhunën e dritës”, “Mos më lexo në mbrëmje”, “Magdalini”, “Loja”, “Reja mbi mal”, “Pylli dhe lakuriqi i natës”, “Brenga”… Tek e para, nga njëra anë zëri që thërret Atin në ëndërr ta mbrojë nga ujku, nga perspektiva tjetër, e zhgjëndrrës: – Ujku, – “kujën time ka të ngulur në grykë”, të cilin s’ka kush ta dëgjojë…Tek poezia antologjike “…nën dhunën e dritës” shfaqet biblioteka – metaforë, globale e shqiptare, shfaqet rrënojë e katandisur si pas një tërmeti që lë pas prishje të çdo sistemimi dhe renditje vlerash; si krijesë e lidhur duar e këmbë, kullë me trarë kalbur e gojë-plasaritur, gërmadhe që lebetitet si në ëndërr nga turi i shtjellës tornado që e çon drejt humnerës…e dot nuk zgjohet… Më tej një kryqëzim dhe ringjallje tiranase, (“Mos më lexo në mbrëmje, Magdalini”), një buzë pranvere penguar, që bën të vijë e s’mundet, pendohet hakmarrës dimri, ngrirë lulekumbullat, Tirana fundoset nën qiellin pus, me të dhe Zëri lirik trishtuar, në rënie humnerës qiellore, nëntokë për ta heshtur kryqëzuesit ndërsa ofshamat e tij të gjalla, jehojnë mbi tokë; e përbejnë ato, ofshamat lutëse Sulamithin, dashurinë e dashurive, këngën e këngëve të Zërit që të mos shfaqet, të mos e kujtojë, të mos e lexojë në këtë mbrëmje, – mbrëmjeve të tilla, kur përfundon e ngrirë, akull Tirana, ku zogjtë mbetur pa qiell, pa hapësirë fluturimi, pa zë, pa thërrmi, – mos më lexo Magdalini… Poezia “Loja”, një tjetër përsosje, veshje përtej sureales, po të këtij trazimi shpirtëror të poetit, por që atë, trishtimin e merr në dorë këndi ironik: “Mega Mjeshtri lojën ta luan”, – “Rrak e shtrak çarkun”, e ti, letër fshati braktisur… I akullt, edhe agimi, si mbrëmja tiranase, në fluturimet prehëse të frymëzimit poetik të Sadik Bejkos tek vargjet e poezisë “Reja mbi mal”; agim që e ka flakur atë te reja mbi Dajt, prej nga shfaqet ai, mëngjesi, si kalë që stuhishëm shfryn ngrica dhe acar mbi rrëmet…Një kalë akulli – botën ha rrafsh me tokën gjer në baltë, poeti ndërsa, me sy reje, herë gremisur qiejve, herë vërvitur humnerave pa ditur ku ta degdisin: “Një çelës është rrotulluar në botë – shtjellë erërash me poshtë-lart”.
Të realizuara në këtë lartësi trazimi krijues janë poezitë e librit më të ri të Bejkos “Këngë të Solomonit”. Në shkrimin e rastit po ndalemi vetëm në disa në funksion dëshmie të përshtypjeve nga tërësia e librit…Atyre të përmendura më sipër, po u shtojmë edhe disa poezi karakteristike për synimin tonë, siç janë “Kohë e përjetshme”, “Dinozauri”, “Më thonë”, “Mbjell ullinj”, “Ishte ç’na ishte”… Tek e para, “Kohë e përjetshme”, kemi një hapje të madhe të Vetes së Zërit lirik, edhe si sfidë botës, mospërfilljes së saj… Por edhe dorëzimit, gjithashtu të plotë, gjykatësit suprem, kohës: qoftë rrjedhës kohore të yjësive, qoftë edhe anije që rrëshqet mikluese mbi det, por që mund të ngelë edhe leckë diku në tela. Por mbi këtë botë ngrihet zot i kohës së vet, zot i universit të vet: “mbret i askushit e njëherësh bash sovran”. Sovran absolut mbi tërë qenien e vet, botën e vet. Pa agjendë, pa telefon dhe e-mail: ”por po të dua, si lypësit lekun e fundit, të gjithën, në çast, për një trill e fal”. Të jesh jashtëkohor,- dinozaur, – fat a fatkeqësi, marrëzi a mençuri, pyetje hamletiane që shtron poeti…” Thirre tjetrin, më thonë, vetëm kur të duhet…”, dhe lexuesi, vetëm tek vargjet e gjen shpirtin e poetit, prandaj përthithet pse e gjen veten, trazimet e veta, të kohës, botës së vet… Pak më tej, përmes një tjetër gjetje kreative, elegante shtrin veten, botën e vet, brengën, dhembjen e vet: “Jam but i vjetër, – verën ia thanë, -rrjetë pluhuri endin merimangat”, për ta përmbyllur poezinë “Mbjell ullinj”: “Vreshti i vjetër, – fidanët e rinj, – më rrëmbushin me yje”, kuptim e hapje horizonti tejetej.