Nga Ilir Chami
Me keqardhje ju lajmëroj se dje më 26 Qershor 2018 në moshën 87 vjeçare ndërroi jetë z.Ajet Rushiti, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare në Amerikë.
Mbi të gjitha komuniteti shqiptar e kujton “Xha Ajetin” si njeri familjar prind shembullor dhe bujar me bashkombasit e tij në mërgim. Shqiptarët e Amerikës kujtojnë te ai shpirtin human dhe solidar.
Shtëpia e tij ka qenë e hapur gjithmonë për të pritur dhe përcjellur shqiptarë nga të gjitha trojet.
Gjatë Luftës II Botërore, e gjithë familja e Ajet Rushitit nga Kërçova, kanë qenë në anën e Ballit Kombëtar të udhëhequr nga komandanti Mefail Sheh Zajazi me shokë.
Pas përfundimit të luftës, të gjitha familjet balliste të rrethit të Kërçovës ndiqeshin e persekutoheshin nga UDB e atëhershme jugosllave.
Kjo e detyroi Ajet Rushitin që të ikte e vendosej në Amerikë. Në këtë rrugë të largët atë e ndihmuan Shefki e Rexhep Saliu dhe Xhevit Ramë Dedja që kishin pasur fat të arratiseshin nga burgu i Manastirit dhe të vendoseshin në Chicago të SHBA.
Krahas punës së përditshme për të mbajtur familjen rëndësi të madhe i kushtoi kombit shqiptar ku Xha Ajeti ka qenë aderues i Ballit Kombëtar dhe i Lidhjes Kosovare.
Gjatë veprimtarisë së tij bashkëpunoi me një sërë atdhetarësh duke përfshirë:
Mit’hat Frashërin, Luan Gashin, Abaz Ermenjin, Vasil Andonin, Xhemë Hasën, Ernest Koliqin, Metush Krasniqin, Ibrahim Rugovën, Fehmi Aganin, Mark Krasniqin, Arben Xhaferin, etj.
Ajet Rushiti në SHBA u takua dhe njoftua me shumë veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare ku filluan veprimtaritë në dobi të problemit të pazgjidhur të kombit shqiptar.
Me punën e tyre të palodhshme ata arritën të informonin zyrat e fuqishme politike në botë për padrejtësitë ndaj shqiptarëve në atë kohë në përgjithësi e sidomos shqiptarëve të Kosovës në veçanti.
Në Amerikë ai ka qenë një prej figurave kryesore për organizimin e shqiptarëve – me karakter të fortë dhe moral shembullor.
Së bashku me Jusuf Azemin, shquhet për lobimet e fuqishme në OKB e Shtëpinë e Bardhë dhe takimet e shumta me Ronald Reagan, George Bush Senior, Bob Dole, Tom Lantos, Bill Clinton, etj.
Z. Rushiti me veprimtarë të tjerë ndihmoi rrëzimin regjimeve sllavo-komuniste tito-enveriste, kontriboi në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, dhe punoi për demokraci në Trojet Etnike.
Në veçanti ai sensibilizoi faktorët politikë për Çështjen Çame, atëherë të harruar nga regjimi enverist, në Bruksel dhe Washington.
I ndjekur tërë jetën nga agjentura sllavo-komuniste, shpirti i Xha Ajetit kurrë nuk pushoi për Shqipërinë Etnike.
Rreth punës dhe aktiviteteve të shumta atdhetare të Ajet Rushitit me shokë po edhe të gjithë organizatës “Lidhja Kosovare” historiani Riza Sadiku ka shkruar dhe botuar disa libra historikë me një numër të madh të dhënash rreth aktiviteteve të shumta atdhetare të Ajet Rushitit me shokë.
Brezi i ri është falënderues dhe mirënjohës për rolin dhe tërë veprimtarinë e tij.Amanetin dhe rrugën atdhetare të Xha Ajetit e pasojnë bijtë, nipat e stërnipat.
Familja humbi një njeri të mrekullueshëm, Azbija një bashkëshort të mirë Gëzimi, Luani dhe Gëzimja humbën një prind shembullor, një edukator dhe një mësues të madh.
U prehtë në paqe!